INTERVISTA/ Shpërthimi në banesë, flet kryefamiljari: Pas kësaj jeta jonë është e...

INTERVISTA/ Shpërthimi në banesë, flet kryefamiljari: Pas kësaj jeta jonë është e pasigurt

74
0
Shares

Një shpërthim i fuqishëm me lëndë plasëse e llojit tritol ka tronditur fshatin Guci e Re në njësinë administrative Rrethina në Shkodër.
Tre thasë me tritol, prej afro 10 kilogramësh, janë vendosur rreth orës 11:45 të së shtunës në vilën trikatëshe të Mark Lazër Markut. Pronari i banesës së dëmtuar i ka thënë policisë se në momentin e shpërthimit, brenda në banesë ka qenë bashkëshortja e tij bashkë me vajzën dhe me nipin e vogël, raporton “Panorama”.
Shpërthimi i ka terrorizuar dhe vënë në panik gratë me fëmijën që flinin në katin e sipërm, por fatmirësisht ato nuk pësuan lëndime. Ndërsa kati i parë i ndërtesës është shkatërruar.
Në vendin e ngjarjes ka mbërritur grupi i hetimit, por sipas të dhënave të Policisë, Mark Marku ka deklaruar pasi është marrë në pyetje se nuk e ka idenë se kush janë autorët e kësaj ngjarjeje. Ai ka mohuar të ketë konflikte me persona të tjerë. Ai i ka kërkuar policisë ta zbardhë këtë ngjarje dhe të dijë se kush janë autorët, pasi tani e tutje jeton me frikën se kjo mund të përsëritet.
Nga sa mësohet, kanë qenë tre thasë me tritol artizanal të punuar me dorë të vendosura në tri pika të ndryshme, nga të cilët njëri prej tyre fatmirësisht nuk ka shpërthyer. Familja Marku ka dy banesa në oborr, shtëpinë e vjetër dhe vilën trikatëshe, ku është vendosur lënda eksplozive.
Në ditët e zakonshme, familja Marku ka qëndruar te shtëpia e vjetër, sepse ndërtesa e re ishte ende në ndërtim e sipër. Por të shtunën, në shtëpinë e 62-vjeçarit kanë shkuar disa miq, duke bërë që bashkëshortja e tij së bashku me vajzën dhe nipin të dalin për të fjetur te banesa e re. Autorët dyshohet se kanë hyrë pas shtëpisë së re dhe kanë vendosur tre thasët me tritol në tri vende të ndryshme kur të gjithë ishin në gjumë.
Dy prej thasëve kanë qenë të lidhur me një fitil dhe një tjetër me një fitil veçmas. Një nga thasët nuk ka shpërthyer, edhe pse fitili është ndezur, duke bërë që të ketë vetëm dëme materiale dhe të shpëtojnë tre personat që po flinin. Në momentin kur kanë vendosur sasinë e lëndës shpërthyese, në fshat është shkëputur energjia elektrike, duke favorizuar autorët e kësaj ngjarjeje.
Ata kanë prerë telin rrethues në afërsi të banesës dhe janë futur brenda rrethimit. Tre djemtë e Mark Lazër Markut jetojnë në Itali, por sipas babait të tyre as ata dhe as ai vetë nuk kanë konflikte me persona të tjerë. Forcat e Policisë kanë marrë në pyetje disa persona, banorë të asaj zone, por deri më tani nuk kanë arritur që të bien në gjurmët e autorëve të ngjarjes.
Efektivët blu kanë dyshime se ky shpërthim mund të ketë ardhur për ndonjë konflikt të mundshëm apo ndonjë histori konflikti të viteve të fundit, edhe pse 62- vjeçari Marku mohon që kjo ngjarje të ketë ndodhur për motive të tilla. Gjithashtu, një pistë tjetër që po hetohet është veprimtaria e djemve të tij në Itali, pasi nuk përjashtohet që ky të ketë qenë një sinjal hakmarrjeje.

Kryefamiljari: I lumtur që më shpëtoi vajza me fëmijën e gruan
I zoti i shtëpisë ku ndodhi ngjarja shprehet se nuk ka konflikte me askënd dhe se tashmë pas kësaj ngjarjeje ata po jetojnë me frikë. Sipas Mark Lazër Markut, dëmet e shkaktuara në ndërtesë janë të konsiderueshme, por fatmirësisht familjarët që flinin në të nuk pësuan dëmtime, veç tmerrit të përjetuar.

Kur ka ndodhur shpërthimi me tritol dhe a kishte njerëz në banesë?

Ka qenë ora rreth 23:45, kur kemi dëgjuar shpërthimin. U tmerruam, sepse në banesën ku ndodhi ngjarja ndodheshin gruaja dhe vajza me gjithë fëmijën e saj.
Por, fatmirësisht, ato nuk pësuan dëmtime, përveç panikut që kanë përjetuar në ato momente. Tritoli është vendosur gjatë natës, sepse më përpara kam qenë në ballkon, duke ndenjur dhe s’kam parë njeri. Tritoli është vendosur në tri pika të ndryshme, i futur në tre thasë të ndryshëm. Nga këto, njëri prej thasëve nuk ka shpërthyer. Janë futur nga mbrapa shtëpisë së re, pasi kanë prerë telin e rrethimit.

A keni ndonjë dyshim se kush mund të jenë autorët? Keni pasur konflikte me ndokënd ju si familje?

As nuk e kam idenë më të vogël. S’kemi pasur konflikt me askënd dhe nuk di kujt t’ia drejtoj gishtin për të thënë se ky ma ka bërë këtë punë.

Ju keni tre djem në Itali, jeni në dijeni të ndonjë konflikti të mundshëm të tyre atje?

Po, pas ngjarjes kam kontaktuar me djemtë, i kam pyetur nëse kanë ndonjë problem atje. Ata më kanë thënë se nuk kanë pasur asnjë konflikt dhe ne nuk dimë kujt t’ia adresojmë këtë që ndodhi.

Çfarë dëmesh ka shkaktuar shpërthimi?

Dëmi është i madh, sepse është dëmtuar shtëpia e re, por prapë jam i lumtur, meqë më ka shpëtuar familja. Deri tani policia më ka thënë se nuk ka arritur në ndonjë gjurmë të autorëve. Po bëjnë hetime, por deri tani s’më kanë thënë asgjë për ndonjë autor të mundshëm. Unë nuk kam dyshim tek askush.

Keni frikë që ngjarja mund të përsëritet?

Po tani kudo që të shkojmë, nëse atij personi apo atyre personave i është mbushur mendja për të bërë ndonjë gjë ndaj nesh, ata mund ta bëjnë. Edhe nëse shkojmë ndokund tjetër, mund të na vijnë mbrapa, kështu që në shtëpinë time do qëndroj, edhe pse frika ekziston.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY