GENC TIRANA/ Donald Trump dhe shqiptaret

GENC TIRANA/ Donald Trump dhe shqiptaret

179
0
Shares

Vota e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara pro resolutës që ra ndesh me vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit hapi një debat të nxehtë mes politikanëve të dy krahëve të kundërt tek ne dhe mediave që janë të lidhura në një mënyrë apo në një tjetër përkatësisht me këto grupime politike. Përplasja e tyre në Parlament apo në mediumet përkatëse është praktikë e njohur dhe duket se në esencë ka pak të bëjë me dilemën nëse ne duhet të jemi pro Izraelit apo Palestinës.

Çfarë ra më shumë në sy nga debati i fundit ishte numri më i madh i prononcimeve pro apo kundra kësaj vote nga ata që nuk janë të angazhuar në politikë, por gjithsesi shprehen rregullisht dhe kanë një zë në mediat sociale. Madje duket se kësaj here prononcimet pro Presidentit Trump ishin në rritje në një kohë që ishte bërë si e modës që në mediat sociale të ripostoheshin pa rezervë shkrime apo video anti-Trump të huazuara nga mediat e huaja. Duke menduar se Trump bëri plot një vit në dhomën ovale dhe se gjatë kësaj periudhe priteshin edhe qëndrime pozitiviste ndaj tij ngelesh me përshtypjen sikur ne jemi zgjuar nga një gjumë i thellë letargjik.

Në qendër të këtij debati palët vërtiten më tepër rreth pyetjes se pse autoritetet shqiptare duhet të jenë kundra Amerikës dhe duket se anashkalohet një çështje më thelbësore: Përse një pjesë e mirë e qytetarëve shqiptarë janë pozicionuar kundër Presidentit të Amerikës Donald Trump? Fakti që ne i jemi mirënjohës popullit amerikan i cili ka qenë historikisht në krahun tonë bie ndesh me qëndrimin tonë kundra Presidentit që amerkanët zgjodhën legjitimisht me shumicë vote.

Pozicionimi anti-Trump i një pjese të mirë të qytetarëve tanë e ka zanafillën në fushatën elektorale të zhvilluar më shumë se një vit më parë ku shumëkush u angazhua emocionalisht si në një lojë ku tifozët bëhen me njërin ekip kundër tjetrit. Ishte disi e natyrshme që pjesa më e madhe u rrjeshtua përkrah Hillary Clinton për faktin që Amerika nën administratën e Presidentit Bill Clinton bëri aq shumë në zgjidhjen e konfliktit në Kosovë në favor të shqiptarëve. Tani që Trump është në detyrën e Presidentit çështja e angazhimit tonë pro apo kundër tij është më delikate dhe kërkon një shqyrtim më të mirë.

Për hirë të vërtetës duhet thënë se prej dy vitesh gjendja e politizuar në Shtetet e Bashkuara është e mbarsur me demagogji më shumë se herë të tjera. Mediat kryesore për shumë arsye mbështetën fushatën e mirëfinancuar të Hillary Clinton. Rrjetet televizive si CNN, MSNBC, etj si dhe shtypi i shkruar New York Times, Washington Post dhe shumë e shumë media në linjë si dhe mediat sociale kanë anatemuar kandidatin Trump dhe vazhdojnë si asnjëherë tjetër në historinë e këtij vendi me të njëjtin intensitet kundër tij edhe tani që ai është President. Nga një studim i Universitetit Harvard rrjetet televizive CNN, NBC gjatë 100 ditëve të para të Presidentit Trump në detyrë transmetuan në 93 për qind të kohës në dispozicin për aktivitetin e tij në mënyrë negative. Në një hulumtim më të gjërë studiuesit vëzhguan se mediat në tërësi përfshirë The New York Times, The Wall Street Journal, The Washington Post etj ishin vetëm 20 për qind pozitivistë dhe 80 për qind negativistë ndaj Presdientit çfarë është shkelje flagrante e parimit të paanshmërisë, raportimit me drejtësi dhe në mënyrë të ekuilibruar që është guri i themelit të mediave të pavarura dhe lirisë së shprehjes.

Kjo makinë e fuqishme propagandistike duket se ka ndikuar në opinionin Evropian edhe më tepër se në Amerikë për arsye të ndryshme. Për rrjedhojë po të njejtin drejtim ka marrë opinioni mbi Trump në Shqipëri, Kosovë dhe trevat e tjera shqiptare. Në shtypin e shkruar dhe elektronik tonin e për rrjedhim në mediat sociale gjënden me shumicë lajme dhe opinione të huzuara nga mediat amerkane të lartpërmendura si dhe ato të Europës, kryesisht të vendit fqinj Italisë që për fat të keq politikanët aty dhe propaganduesit që i pasojnë vitet e fundit nuk dijnë mirë se ku e kanë kokën e tyre dhe çfarë po ndodh me fatin e qytetarëve në atë vend e jo më të dijnë të drejtëpeshojnë dhe të gjykojnë qartë për Presidentin e Amerikës. Në kushtet e kësaj kakofonie duket se ripostimi i një posti anti-Trump në Facebook hera herës i shoqëruar me një koment ripërsëritës të postit vetë duket si argument i pamjaftueshëm për të marrë një pozicion të qartë e të thelluar mirë kundër tij. Përpara se sa të pozicionohemi e të mbajmë një qëndrim kritik është e udhës të hulumtojmë së cilat janë shtyllat krysore me të cilën kundërshtarët e Presidentit mbajnë ngrehinën anti-Trump. A janë argumentat që përdoren kundër tij të mbështetura mirë që ne të jemi negativistë ndaj Presidentit të Amerikës?

Propaganda kundër Trump u kap fort mbas deklaratave të tij për luftën që i duhej bërë emigracionit të jashtëligjshëm nga Meksika dhe u përpoq ta paraqesë atë si racist e që nuk i donte emigrantët. Është e kuptueshme që prapa kësaj propagande fshihej qëllimi që spanjikët, afroamerikanët dhe pjesa më e madhe e popullsë me ngjyrë të mos votonin Trump. Duhet thënë qysh në fillim se kjo nuk u eci kundërshtarëve të tij, pasi një pjesë e mirë e spanjikëve mbështetën Trump. Nga vëzhgimet e një institucioni të specializuar për zgjedhjet presidenciale Edison Research rezulton se Trump pati tregues më të mirë të votës së spanjikëve se Obama dhe Bill Clinton.

Kjo propagandë ndikoi dukshëm opinionin shqiptar gjithashtu ngaqë në dekadat e fundit një pjesë e mirë e jona ka kaluar përmes emigracionit. Fakti është se Trump nuk kishte në fokus emigrantët në tërësi, por vetëm ata që hynin ilegalisht nga kufiri e që ishin përfshirë në aktivitete kriminale. Pjesa dërrmuese e shqiptarëve të ardhur në Amerikën e Veriut i janë nënshtruar rregullave të emigracionit dhe kanë ulur shpinën për të punuar ndershmërisht në këto vende dhe tani kanë zenë vend dinjitoz në kalsën e mesme të shoqërisë. Po kështu kanë bërë edhe emigrantë të ardhur në rrugë ligjore nga vende të tjera përfshirë dhe Meksikën, por jo të gjithë. Ka plot prej tyre që kalojnë kufirin dhe përfshihen në aktivitete kriminale që ishin dhe janë në shënjestrën e Trump. Parë në këtë këndvështrim nuk ka pse ne të paragjykojmë një veprim të ligjshëm të deportimit të atyre që shkelin ligjiin dhe dëmtojnë imazhin e atyre që emigrojnë në mënyrë të rregullt. Trump nuk hoqi dorë nga motoja e tij “Amerika e Para” dhe me të drejtë këmbënguli duke përsëritur se përderisa Amerika mbron kufijtë e plot vendeve të tjera në botë nuk ka pse të mos mbrojë kufijtë e sajë. Ku është e keqja këtu dhe pse duhet anatemuar Trump për këtë gjë? Përse duhet të sensibilizohen emigrantët shqiptarë nga ky qëndrim kur mënyra se si kanë emigruar ata është krejt e pranueshme për Trump dhe administratën e tij?

Trump u konsiderua anti-musliman nga kundërshtarët e tij dhe kjo duhet se ka ndikuar ndjeshëm te shqiptarët në vendin amë dhe Kosovë e gjtetkë, përderisa një pjesë e konsiderueshme e jona është e lidhur me fenë islame. Të shtjellosh këtë çështje do duhet së pari të risjellësh në mendje periudhën në të cilën Trump doli me idenë që të ndalohet hyrja në Amerikë e atyre që jetojnë në vendet që nxisin terrorizmin islamik nga ku morri nxitje sulmi kundër tij.

Duke mos nënvleftësuar çfarë President Obama ka pozitive dhe çfarë ka bërë për Amerikën duhet pranuar se në periudhën e presidencës së tij ISIS arriti të pushtonte territor si kurrrëherë ka ndodhur me një organizatë terroriste. Fushata elektorale ku Trump ngrinte zërin po zhvillohej pikërisht kur ISIS priste kokat e qytetarëve Amerikanë dhe Evropianë në mënyrë publike dhe Amerika zyrtare i dënonte këto akte vetëm me retorikë boshe si të ishte një organizatë joqevereritare e jo si shteti më i fuqishëm i botës. Ishte e dukshme se Obama ishte larg nivelit të burrave të shtetit amerikan në raste konflikti. Një pjesë e mirë e elektoratit që ishte lodhur me sjellje prej ‘bura vogla’ të Presidentit të asaj kohe e vlerësuan vendosmërinë e Trump më shpresëdhënëse.

Koha e provoi se në më pak se një vit pasi Trump mori detyrën ISIS u shpartallua duke humbur 98 për qind të territorit që kishte në Irak dhe Siri. Për ironi kundërshtarët e Trump në atë periudhë u jepnin më shumë peshë idesë se terrorizmi nuk ka të bëjë fare me fenë islame. Në esencë kjo gjë është e vërtetë dhe për më tepër Trump nuk mendonte ndryshe. Vetëm se kundërshtarët e tij ia shtrëmbëronin fjalët dhe kërkonin që t’i atribuonin me pa të drejtë nofkën si anti-musliman. Ai ndryshe nga kundërshtarët e tij donte të ishte më i artikuluar dhe i drejtpërdrejtë dhe nuk linte pa përmendur shprehjen terrorizmi radikal islamik, që në fund të fundit nuk fajson këtë fe në vetëvete përderisa këta radikalistë në shumë raste ushtrojnë terror mbi popullsinë muslimane gjithashtu. Në një konferencë shtypi që mbahet mend nga shumëkush në nëntorin e vitit të shkuar ai pohoi se unë e di të flas me një gjuhë politikisht korrekt dhe mund të isha përgjigjur ndryshe pyetjes mbi terroizmin radikal islamik por problemet nuk zgjidhen pa e përmendur se kush është problemi. Ishte pikërisht kjo gjuhë e drejtpërdrejtë që e bëri Trump më të besueshëm për votuesit e që nuk ka pse të mos jetë i besueshëm edhe për opinionin tonë publik.

Akuza që Trump ka bashkëpunuar më Rusët për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale ishte dhe mbetet dhe sot e për një kohë më të gjatë një nga vegjet ku janë kapur fort kundërshtarët e tij. Kjo është tjerrur aq shumë njësoj si me ato kukllat ruse të drurit (матрёшка) që shiteshin sukseshëm në troturaret e qyeteve evropiane vitet e para mbas shëmbjes së Murit të Berlinit, ku brenda kukullës me fytyrën e Gorbaçovit dilte ajo e Berzhnjevit, Hrushovit, Stalinit e me radhë. Në rastin e sulmit ndaj Trump kjo nuk ngjan si lojë kukllash pasi FBI po merret seriozisht me hetimin e çështjes së ngritur aq me forcë nga kundërshtarët e tij.

Deri tani nuk po del që ekziston një marrveshje e fshehtë me rusët që ta implikojë Presidentin Trump. Madje në të kundërtën, përditë e më tepër po del se hetimi i posaçëm i Drejtorit të FBI Robert Mueller nuk po mban erë të mirë. Një pjesë e hetuesve të tij janë direkt të lidhur më Clinton kundër Trump çfarë i ve një pikpyetje të madhe ndershmërisë së hetimit. Është fakt që Peter Strzok, nënkryetari i kundërzbulimit në FBI që para pak kohësh punonte për Mueller në këtë hetim kishte shkëmbyer mesazhe me një avokat ku kritikonte ashpër Trump dhe përmëtepër ka përgjegjësi direkte në zbutjen e përkufizimit të akuzës që iu bë Clinton në mënyrën si ajo kishte vepruar me email-et sekrete. Ky fakt e kompromenton ndjeshëm paanshmërinë e hetimit ndaj Trump. Tjetër fakt që tregon se hetimi kundër Trum është i njëanshëm është se se disa prej hetuesve në ekipin e Mueller kanë dhënë mbi 62,000 dollarë kontribute për demoratët. Punonjësi i FBI që heton Trump, Jeannie Rhee i ka dhuruar më shumë se 16,000 dollarë demokratëve e për më tepër ka mbrojtur Fondacionin Clinton në një padi që i është bërë. Ai ka qenë gjithashtu avokat i Clintonin vetë për ta mbrojtur nga akuzat në çështjen e emaileve. Ben Rhodes, zëvendës këshilltar i sigurimit kombëtar nën Presidentin Obama, gjatë Komisionit Selektues të Shtëpisë së Bardhë mbi hetimin e Bengazit ku akuzohet së tepërmi Clinton është gjithashtu pjesë e grupit që hetojnë Trump. Si mund të jenë të paanshëm këta hetues pra kur i përkasin kryekëput atyre që kanë stisur histerinë kundër Presidentin Trump?

Një sulm frontal kundër Trump ishte dhe mbetet përpjekja për ta zhvleftësuar figurën e tij morale. Pikërisht në ditët e fushatës elektorale tejmase të elektrizuar dolën 19 femra që e akuzonin Trump për ngacmime dhe sjellje të padenja seksuale. Deri tani asnjëra prej tyre nuk e ka provuar dot fajsinë e tij dhe akuzat ngjajnë si të fabrikuara përderisa bëhen pikërisht në ditët që mund ta dëmtonin fushatën e tij e për më tepër janë zbuluar qëllime të hapura përfitimi material. Këto ditë në mediat amerikane përcillet lajmi që avokatja Lisa Bloom ka kërkuar pagesa nga donatorët për femrat që akuzojnë Trump. Zonja Bloom ka deklaruar për gazetën The Hill se i është drejtuar mediave tabloid që botojnë ngjarje rozë që të paguajnë femrat që akuzojnë Trump në shkëmbim të intervistave që ato eventualisht mund të japin. Sipas praktikës së saj avokatore Zonja Bloom merr deri në 33 për qind të parave që marrin klientët e saj sipas kësaj gazete. Më konkretisht sipas gazetës The Hill, avokatja Bloom po ndihmon aktivisht Jill Harth, një nga femrat që akuzojnë Trump, duke grumbulluar deri tani 2300 dollarë në një llogari në linjë GoFundMe.com me pretendimin për të bërë 30000 dollarë për kredinë e apartamentit të saj. Sa të besueshme janë këto femra kur qëllimi i hapur i tyre dhe i atyre që i orkestrojnë nga mbrapa është përfitimi material?

Strategjia tjetër e fushatës së mirëfinancuar të Clinton për të denigruar personalitetin e Trump, që nuk duket se eci gjithashtu, ishte ndërsimi i artistëve dhe këngëtarëve të famshëm kundër tij. Ndryshe nga fushatat e tjera kur artistë seriozë mbështesin një kandidat duke dhënë një koncert për votuesit, kësaj here u zëvendësua me sharje vulgare që më shumë ulën figurën e vetë artistëve e të organizatorëve prapa tyre se sa figurën e Trump. Këngëtari i muzikës Hip Hop, Jay Z në një koncert që dha në favor të fushatës së Clinton rrjeshtoi sharje të ndyra ndaj Trump në mes të mijëra shikuesve që është turp të ripërsëriten në këtë shkrim. Muaj më vonë kur Trump hyri në Shtëpinë e Bardhë aktoria e komedisë Kathy Griffin bëri publike një fotografi ku ajo mbante në dorë një imitim të kokës së prerë të Trump që ishte gjithësesi pamje makabër dhe për pasojë një provokim fizikisht i rëndë ndaj Presidentit. Tre muaj më parë prezantuesi i CNN Anthony Bourdain tha publikisht se ai mund ta helmonte Trump nëse ai do të gatuante për të. Komentet dhe shakatë e këtyre figurave publike të nxitura nga kundërshtarët mund të kenë kuptime alegorike por padyshim që i hedhin benzinë zjarrit që i është ndezur Presidentit Amerikan që duhet të na bëjë ne më sy hapur në gjykimin pro apo kundër tij.

Sulmet nga të gjitha anët ndaj Trump lidhen kryekëput me faktin se ai hyri në arenën e politkës Amerikane me premtimin se do të thajë kënetën duke nënkuptuar luftën pa kompromis kundër tërë institucionit politik në Capitol Hill pa dallim si Demokratë ashtu edhe Republikanë. Natyrisht që kjo gjë u bie ndesh interesave të atyre që kanë fuqinë ekonomike në dorë e financojnë luftën kundër tij. Ata e kanë kuptuar se Trump po i mban premtimet që bëri në fushatë. Në një kohë relativisht të shkurtër ai implementoi reformën në uljen e taksave, mundi ISIS, doli nga marrëveshje që sipas tij janë bërë jo në interes të Amerikës e duhen rinegociuar si marrveshja e Parisit për ambientin, marrveshja NAFTA mes Amerikës, Kanadasë e Meksikës, etj, etj. Nëse ai vazhdon kështu duke disiplinuar emigracionin dhe nëse u ve fre kapitaleve amerikane që të eksportohen në Kinë, Meksikë dhe vende të tjera për kundërshtarët e tij fitimet nga fuqia punëtore me çmim të ulët që lakmojnë do të shkojnë poshtë. Kjo e bën që Trump merr sulme nga të dy krahët.

Natyrisht që ne shpiptarët jemi larg këtyre skenave a prapaskenave të fuqishme me shumë aktorë e intersa të ndërthurura në të njëjtën kohë. Veçse edhe ne jemi të prononcuar në grupime e përkatësi të ndryshme politike dhe kjo e bën padashje pozicionimin ndaj Trump jo të lehtë. Fakti që Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mbajti hapur anën e Clinton ndaj fushatës elektroale në Amerikë ndikoi që pjesa e elektoratit të majtë shqiptar të prononcohet në një farë mënyre kundër Trump. Çështja është se ndryshimi i pikpamjeve të majta e të djathta në Shqipëri nuk i ngjan shumë atyre në Amerikë. Kur Edi Rama u prononcua kundër Trump pothuajse e gjithë bota mendonte se do të fitonte Clinton dhe shumë burra të tjerë shteti lujatën si në një lojë bixhozi që duke ditur se kush do të zgjidhej kërkonin të fitonin më shumë pikë përpara Presidentit Amerikan të ardhshëm. Fitorja e Trump ia dogji kartën në duar por ky nuk është fundi i botës për politkanët. Shumë burra shteti e uruan Trump për fitoren dhe përpiqen të rivendosin me të marrëdhënje të mira. Nuk është çudi që dhe Zoti Rama të ndjeki të njejtën praktikë. Para ca kohësh ai ka bërë një fotografi duke qeshur me Trump e ndërsa përpara disa ditësh votoi kundër tij pasi niset nga iteresa të caktuara për momentin dhe nesër mund të bierë përsëri dakord nëse intersat ndërrojnë kah. Radarët e politikanëve funksionojnë në frekuenca që shumë herë është e vështirë të kapen nga masa e gjerë. Nërsa ndërgjegja jonë kombëtare që kësaj here është përpara një prove të vështirë morale përballë popullit mik amerikan funksionon me parime të tjera më të larta siç është kodi i nderit dhe Besa.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY