Mesazhi prekës i fëmijëve të mjekut që u nda dje nga jeta:...

Mesazhi prekës i fëmijëve të mjekut që u nda dje nga jeta: Koha është e pakët… Mjafton vetëm për gjëra të rëndësishme

252
0
Shares

“Koha është e pakët… Mjafton vetëm për gjëra të rëndësishme”

Dora rrëshqiti vetë tek numri yt i telefonit këtë mëngjes. Nuk e di në kërkonte thjesht një konfirmim prej heshtjes së stërgjatur në anën tjetër, apo priste të dëgjonte sërish zërin tënd. Përshëndetjen e zakonshme. Frymarrjen e rënduar.

Nuk e di ç’kërkonte, kur fjalët prej kohësh kishin filluar të pakësoheshin. Pyetjet e tua të përhershme… Përgjigjet e mia të shkurtra…

Vetëm tani e kuptoj sa gjëra lamë pa i thënë njëri-tjetrit, sepse dy burra mund të diskutojnë për gjithçka, por kurrësesi nuk mund të flitkeshin për gjëra kaq të thjeshta: Se përse ti nuk besoje kurrë se unë do arrija diku, apo se dje gjeta fijen e parë të bardhë mes flokëve dhe teksa shihja veten ne pasqyrë, befas m’u kujtove ti.

Por, tani nuk ka më kohë. Siç thoshe edhe ti gjithmonë prej mëse dy vitesh, teksa jetoje me sëmundjen që rritej brenda teje dita-ditës: “Jetoje jetën, se ndryshe ja… më shih mua!”

Vetëm një orë përpara se ti të ndaheshe nga jeta qëndrova i ulur në errësirën e dhomës sime duke u përpjekur të mblidhja një e nga një kujtimet që kisha prej teje, ndonëse ishte e vështirë.

I shihja teksa vraponin dhe unë i ndiqja pa ditur se ku. Në fund nuk ngelën shumë siç thoshe edhe ti, “vetëm ato më të rëndëshishmet…” I mblodha dhe u përpoqa t’i ruaj, për të mos i humbur nga pak me çdo psherëtimë dhimbjeje.

Herën e fundit nuk i thamë shumë njëri-tjetrit. Ti nuk flisje dot si dikur dhe unë nuk të shihja dot aq të pafuqishëm.

Ti, që me shaka e quaje veten “perpetum mobile,” dhe unë e ndiqja shakanë vetëm me një buzëqeshje. Vetëm një ekran qelqi na ndante, edhe në mes një oqean i tërë nuk na la të përqafoheshim, ashtu siç rrallë, sa rrallë kemi bërë, sepse “burrat nuk përqafohen”.

Por tani s’ka më kohë. Ato pak orë të mbrëmjes që më ngelën i kaloj duke shfletuar një nga një fotografitë e tua, teksa mosbesimi ia lë vendin trishtimit, trishtimi inatit e ky i fundit psherëtimave të ngadalta, sepse në fund, vetëm ato ngelen.

Është e çuditshme se si njeriu mund të jetojë vetëm në pak fjalë, disa imazhe apo një buzëqeshje.

Një shëtitje me makinë gjithmonë do të shndërrohej në një bisedë për jetën, për letërsinë apo në dy tri shaka, të cilat mua dhe Fionën na bëjnë ende të buzëqeshim, sepse vetëm kështu mund të të kujtojmë.

Një njeri që nuk e humbi kurrë sensin e humorit ndonëse sëmundja e brente çdo ditë pak e nga pak. Tashmë teksa unë dhe Fiona mbajmë në duar biletat për të ardhur atje, u munduam sërish të të  kujtonim. Aeroporti nuk do të jetë më aq i ngrohtë dhe e përhershmja, “Tuçii i babit!”

Ajo vazhdon të shpresojë se pasi të hyjmë në shtëpi, do të gjejmë sërish tek pozicioni yt i zakonshëm në kolltuk.

Shumë gjëra na mbetën pa i thënë njëri-tjetrit. Megjithatë teksa i kaloj një e nga një në mendje, bëhen përherë e më pak.

Aq sa mund t’i mbledhësh në një grusht dhe mund t’i hedhësh tej në ajër me shpresën se ti diku do të mund t’i mbledhësh.

Në fund mbeten vetëm gjërat më të rëndësishme. Se si nuk i thamë dot njëri-tjetrit “mirupafshim”. Sikur koha të mund të kthehej pas qoftë edhe vetëm për pak minuta, unë dhe Fiona vetëm kaq do të donim të të thoshim: Mirupafshim!

Po e mbyll me kaq. Siç thoshe ti gjithmonë, “askush nuk do të dëgjojë fjalime të gjata dhe të mërzitshme.

Aq më tepër në një varrim. Se ç’ka diçka mes dheut të lagësht dhe gurëve të ftohtë që na bën të gjithve të ndjehemi keq.

Sikur bartim rrahjet e një ore të padukshme mbi shpinë. E për  më tepër sepse në fund, “s’kemi ç’themi më”. Koha është e pakët. Mjafton vetëm për gjërat më të rëndësishme.

Bjorni & Fiona

Gazeta TemA

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY