AGRON GJEKMARKAJ/ Trump si kulak e diversant, si po e justifikojnë Ramën...

AGRON GJEKMARKAJ/ Trump si kulak e diversant, si po e justifikojnë Ramën analistët që e kritikojnë 350 ditë por e mbështesin 15 ditë…

176
0
Shares
Agron Gjekmarkaj

Në Shqipëri po hedh shtat një tezë, e cila meriton disa epitete. Mund ta quash idiote dhe nuk gabon aspak. E përcakton si qesharake e në të drejtë të Zotit je. Por më shumë se kaq, ajo është instrument i propagandës politike për të justifikuar disa qëndrime, siç ishte së fundi “vota e gabuar” në OKB kundër qëndrimit amerikan për Jerusalemin. Të mos ngatërrojmë Trampin me Amerikën është formulimi i saj. Presidenti amerikan nga ndokush në Tiranë konsiderohet si kulak apo diversant, një aksident dhe gomareri e popullit amerikan që e zgjodhi.
Kjo prepotencë provinciale gjykimi s’do kallauz. Të kujton familjet e dëshmorëve të dikurshëm kur prej tyre dilte ndonjë cipëplasur dhe arratisej. Natyrisht dënohej ikanaku me fjalë e gjeste, por ruheshin dëshmorët. Kjo po i ndodh Donald Trampit në Tiranë, ku populli amerikan po konsiderohet si familje me biografi të mirë, por ai aha… faqja e zeze që do kalojë shpejt dhe qytetarët amerikanë do ta gjejnë udhën e duhur. Gjithë kjo urdi arsyetimesh drocka të një mentaliteti “antiimperialist” bëhet për të justifikuar qëndrimin e Edi Ramës në linjë me Erdoganin.
Guxojnë propagandistët të bëjnë diversionim me qëllime lokale se në Amerikë sikur nuk ndikojnë shumë, duke thënë që presidentët Klinton, Bush dhe Obama ishin presidentë për kokë presidenti e të tilla gafa diplomatike si kjo e Jerusalemit nuk i bënin kurrë. Edhe kjo një rrenë e pastër, se edhe ata deshën ta kryenin po u mbet rrugës. Trampi tregoi më vendosmëri. Duke gjykuar nga ndihma e madhe që SHBA i ka dhënë kombit tonë në epoka të ndryshme, me të drejtë vota kundër solli pështjellim e preokupim. Madje, guximi kaloi ylberin dhe u bë grua e përgjithshme. U tha se tani jemi më europianë dhe më pak servilë. E kundërta është e vërtetë.
Jemi më besëprerë (dhe besa nuk është vetëm kanunore, por në themel të qytetërimit europian)dhe bukëshkalë e natyrisht shumë më servilë ndaj diktatorit të ri të Azisë. Mbase është momenti t’i kërkohet falje Sali Berishës për qëndrimin e tij vite më parë ndaj Erdoganit, kur ai (SB) tha nuk kam njohur asnjë turk që të mos thotë kam gjak shqiptar. Të murrëtyer e plot zjarr oksidental nga goja gjuejtën mbi këtë thënë e autorin e saj. Natyrisht, Berisha në këtë rast mund të akuzohej për racizëm antiturk e jo për gjë tjetër.
Po kaq i duhet njohur merita e qëndresës kur me ngulm iu kërkua të sfidonte Amerikën për një votim të ngjashëm për çështjen e Palestinës. Natyrisht akuzat politike se Edi Rama është antikombëtar e plot thënie kësisoj janë gjepura pazari për topat e zbrazur të Opozitës. Personalisht nuk mendoj që Basha apo Kryemadhi, përfshi këtu edhe Tritan Shehun e Petrit Vasilin, ta duan më shumë vatanin.
Por që Edi Rama me këtë votim ka shkaktuar një tollovi e një dëm të madh në marrëdhëniet me aleatin kryesor, kjo s’ka pikë dyshimi. Si do ta rikuperojë, vështirë të thuhet. Ata që i thonë u tregove trim… u tregove europianist… bravo, sfidove Trampin, ose kanë ndonjë hall të madh dhe po i gjinden në një ditë budallallëku që merr formën e fajit kundër vendit, ose trashëgojnë urrejtje ideologjike patologjike gjyshërish dhe etërish ndaj Amerikës.
Ka ndonjë analist, pse jo serioz, të pavarur dhe logjik për pothuaj 350 ditë të vitit, por ama për 15 ditë, sidomos kur Rama është në ditë të gazepit falë gjykimeve të gabuara apo shtrëngimeve misterioze për ne, siç ishte vota në OKB, i gjinden në krah duke thyer çdo rregull të perceptimit, përtej faktit kush e bën atë, një fëmijë apo një i moshuar. Do të ishte më mirë ta lëvdonin 350 ditë dhe ta shanin 15, me kushtin që të mos na i cenojë marrëdhëniet me amerikanët.
Se çfarë bën me Saimir Tahirin, Ilir Beqen, Ogerta Manastriliun e të tjerë vartës të tij nuk ka peshën e një vote antiamerikane. Pastaj, Presidenti Tramp nuk mund të gjykohet me të njëjtat instrumente. Marrëdhënia e Shqipërisë me SHBA-të nuk është diatriba e përditshme politike e Edi Ramës me Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin. Gjithsa ndodhi përfshiu në këtë histori edhe Presidentin Meta. Në dukje letra e tij, që i kërkonte falje Trampit, e bënte qesharak shtetin tonë. Në fakt, pa u shkruar ato rreshta, ne kemi plot shfaqje komizmi në çdo qoshe këndvështrimi shtetëror.
Përtej këtij opinioni, letra e Metës thotë një të vërtetë që ajo votë nuk reflekton vullnetin e popullit shqiptar. Qeveria bën mirë të jetë në sintoni me këtë vullnet dhe njëkohësisht të shkurajojë propagandistët që e trajtojnë Trampin si diversant e kulak. Këtë, jo se mërzitet apo shqetësohet Trampi. Asnjë qime nuk i shkulet në asnjë vend të trupit, po ne sigurisht kjo tallava na bën gazin e botës dhe na lë pa miq. Në këtë rast, pa mikun kryesor.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY