Ikja e dritave në aeroportin e Atlantës i largon investimin 5 miliardë...

Ikja e dritave në aeroportin e Atlantës i largon investimin 5 miliardë dollarë, CNN i kërkon ndihmë ekspertit shqiptar

97
0
Shares

Nga Ruben Avxhiu, Illyria

Aeroporti kryesor i Atlantës është mbase ai më i ngarkuari në botë, por ditën e dielë përjetoi diçka të paparë, mbeti pa drita për orë të tëra duke sjellë anullimin e më shumë se një mijë fluturimeve. Miliona njerëz ndryshuan planet e tyre për shkak të efektit kaskadë, por një pasojë më afatgjatë e këtij incidenti mund të jetë kandidatura e qytetit për t’u bërë selia e dytë e gjigandit të ekonomisë botërore Amazon.Com. Atlanta është edhe qendra e rrjetit të fuqishëm televiziv CNN dhe nuk është çudi që një nga programet e këtij rrjeti debatoi pikërisht shanset e tanishme të Atlantës me Amazonin. Për këtë temë, CNN Tech iu drejtua ekspertit shqiptaro-amerikan Dr. Ilir Hysa, economist i lartë në Moody’s Analytics, i cili foli copë: “Rastisja kohore është vërtet e tmerrshme për Atlantën”, tha ai. “Amazon mund të jetë në procesin e eliminimit për të skartuar disa e për të mbajtur një liste të shkurtër kandidatësh, në këtë pikë”.

Amazon po kërkon një qytet ku mund të hapë selinë e dytë pas Seattle dhe interesi ekonomik i një pranie të tillë ka vënë shumë qytete amerikane në garë të çmendur. Atlanta ofronte edhe Aeroportin Ndërkombëtar kyç “Hartfield-Jackson” si një nga avantazhet e qytetit. Pas çmendurisë së ditës së dielë, ku mijëra njerëz mbetën në errësirë, pa mundur të lëvizin brenda avionëve në pistë apo në terminale, ky avantazh po vihet në dyshim. “Aeroporti tani nga një avantazh kthehet në një lloj problemi”, tha Dr. Hysa.

Iliri nuk mendon se incidenti do ta bëjë Amazonin që ta fshijë nga lista Atlantën por mesiguri që do të kërkohen shpjegime se çfarë e shkaktoi ngjarjen dhe se cilat janë gjasat që të ndodhë përsëri. 238 qytete janë në garë për selinë e Amazonit, që do të quhet HQ2 dhe për të cilën kompania e fuqishme e Jeff Bezos do të shpenzojë mbi 5 miliardë dollar për ta ndërtuar. “Moody” ku punon Dr. Ilir Hysa e konsideron Atlantën si kandidaten e dytë më të fortë pas Austin, Texas. Një numër qytetesh ku jetojnë shqiptarët, përfshi edhe Bronx e Philadelphia kanë bërë ftesat e tyre joshëse për Amazonin, po konkurrenca është e madhe.

Nuk është hera e parë që Atlanta përflitet për problem infrastrukture dhe disa specialistë thonë se sistemi i saj i transportit public nuk është aq i sofistikuar sa të meritojë një prani ekonomike si Amazon. “Atlanta ka bërë një punë të madh kohët e fundit për të përmirësuar infrastrukturën, por bllokimi i trafikut mbetet një problem”, shpjegoi Dr. Hysa. Sipas firmës analitike INRIX Atlanta është qyteti i tetë në botë për nga rëndesa e trafikut. Ky problem vetëm mund të thellohet nëse incidentet e ikjes së dritave si këtë të dielë në aeroportin gjigand do të përsëriten.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY