SPECIALE/ Transaksionet brenda familjes, zbardhen dyshimet për pasurinë e Kelmend Balilit

SPECIALE/ Transaksionet brenda familjes, zbardhen dyshimet për pasurinë e Kelmend Balilit

144
0
Shares
Nën dyshimin se pronat e vëllezëve Balili në Sarandë e Delvinë mund të tjetërsohen, prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi sekuestrimin e tyre me akuzën se janë krijuar pjesërisht nga aktiviteti kriminal, një akuzë që familjarët e Kelmend Balilit e mohojnë me forcë.

Më 3 prill 2016, Alma Balili, bashkëshorte e Kelmend Balilit, regjistroi në Qendrën Kombëtare të Biznesit kompaninë me emrin tregtar ‘Santa Quaranta’ me objekt veprimtarie Hotel, Bar Kafe, Restorant dhe me kapital themeltar 100 lekë. Një muaj më vonë, në maj 2016, një operacion masiv antidrogë i policisë greke në bashkëpunim me agjencinë amerikane të luftës kundër drogës DEA, solli shpalljen në kërkim të Kelmend Balilit, 44 vjeçarit që në këtë kohë mbante postin e Drejtorit të Shërbimeve të Transportit Rrugor dega Sarandë. Në korrik 2016, kohë kur fati i Kelmendit ishte i paqartë pasi autoritetet shqiptare nuk prononcoheshin nëse ai ishte apo jo i shpallur në kërkim, Alma e çregjistroi kompaninë Santa Quaranta.

Një vit e gjysmë më vonë, kjo kompani jetëshkurtër përbën një prej argumenteve me të cilat Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi vendosjen e hotelit luksoz në dalje të Sarandës nën sekuestro në bazë të ligjit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, të njohur më së shumti si ligji antimafia.

Sipas prokurorisë, veprimet e Alma Balilit me pronat e familjes lidhen me faktin se bashkëshorti i saj Kelmendi është i shpallur në kërkim si i hetuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Kërkesa e prokurorisë e nëntorit 2017 pranë Gjykatës për Krimet e Rënda në Tiranë solli vendosjen e sekuestros për një numër të madh pronash të anëtarëve të ndryshëm të familjes Balili, gjithsej 39 objekte, ku përfshihen toka, apartamente si dhe hoteli‘Santa Quaranta’ në Sarandë, i cili u inagurua në prani të disa zyrtarëve të lartë të maxhorancës qeverisëse në gusht 2015. [Kliko këtu për të lexuar kërkesën e prokurorisë].

Familja Balili shpreson se pronat e saj do të konsiderohen pa lidhje me subjektin e hetimit, shtetasin Kelmend Balili, aktualisht i shpallur në kërkim, ndërkohë që prokuroria gjykon se të gjitha pronat e saj janë me prejardhje të dyshimtë dhe për këtë arsye ka kërkuar vendosjen e tyre nën regjimin e sekuestrimit dhe administrimin e tyre nga zyrtarë të Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave.

Sipas dokumenteve të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit si dhe sipas kërkesës së sekuestros së prokurorisë për Gjykatën e Krimeve të Rënda, kompania në fjalë tregon lidhjen mes të shpallurit në kërkim Kelmend Balili dhe resortit luksos të njohur si Santa Quaranta, një pronë shumëmilionëshe, e cila është nën pronësinë e kompanisë Balili-KO, ku aksioner i vetëm është Bashkim Balili, vëllai i Kelmendit i cili nuk përballet me asnjë akuzë.

Bashkim Balili i tha BIRN në lidhje telefonike se prokuroria nuk ka të drejtë të kërkojë sekuestrimin e ‘Santa Quaranta’, pasi ky është objekt nën pronësinë e tij dhe jo të të vëllait, të cilit, media greke i ka ngjitur nofkën “Eskobari i Ballkanit”.

“Alma Balili ka një dyqan floktore në Sarandë, që nxjerr vetëm bukën e gojës dhe asnjë gjë me shumë. Këtë jua them me shumë bindje. Ndërsa për hotelin, sërish jua them me shumë bindje se në këtë pronë nuk ka asnjë lidhje vëllai im, Kelmend Balili dhe gruaja e tij. Kelmendi është shpirti im, është vllai im, për të marr dhe pushkën, por këtë pronë e ka Bashkim Balili”-tha ky i fundit për BIRN.

Në lidhje me kompaninë e regjistruar nga Alma Balili me emrin Santa Quaranta dhe që më pas u çregjistrua, financierja e kompanisë “Balili&Co” Alba Hodaj tha për BIRN se Alma Balili nuk ka asnjë lidhje me hotelin dhe se ky NIPT është hapur pasi, gruaja e Kelmendit ka marrë një ambjent me qira tek “Santa Quaranta”, ku do ushtronte aktivitetin e saj.

“Për këtë ambient ka një kontratë qiraje mes Alma Balilit dhe kompanisë. Biznesi është hapur por pas problemeve me punën e bashkëshortit, Alma, ka vendosur të heqë dorë nga marrja me qira e këtij ambienti dhe njëherësh ka bërë dhe çregjistrimin e biznesit në QKR”, tha Hodaj.

Pas kësaj, më 1 dhjetor 2017, vëllai i Kelmendit, Bashkimi, regjistroi një kompani tjetër në QKB të quajtur “Santa Quaranta Premium Resort”. Regjistrimi i kompanisë së re ndodhi vetëm 9 ditë pasi Gjykata e Krimeve të Rënda e kishte vendosur objektin nën sekuestro.

Zbatimi i vendimit të gjykatës bëri që kompania e re të vihej nën administrimin e dy zyrtarëve të Ministrisë së Financave, të cilët do të duhet të kryejnë administrimin fizik dhe ekonomik të kompanisë deri në një vendim final.

Sekuestrimi në bazë të ligjit antimafia është një vendim i ndërmjetëm i cili nuk ia heq pronësinë Bashkim Balilit, por i krijon mundësi prokurorisë që të hetojë për origjinën e parave që kanë krijuar pronën ndërsa i kalon barrën e provës pronarit për të vërtetuar se prona nuk është produkt i aktiviteteve kriminale.

Lidhje të shumëfishta

Prokuroria në kërkesën e sekuestrimit rendit disa të dhëna të grumbulluara gjatë hetimit që lidhin të kërkuarin Kelmend Balili dhe bashkëshorten e tij me aktivitetin e Bashkim Balilit dhe anëtarëve të tjerë të familjes. Ekzistenca e kompanisë jetëshkurtër Santa Quaranta nën pronësinë e Alma Balilit është vetëm një nga këto lidhje.

Lidhja tjetër e gjetur nga prokuroria është një kredi bankare e marrë nga Bashkim Balili me vlerë 500 mijë euro në të cilin, Kelmendi rezulton dorëzanës.

“Në kontratën e kredisë bankare nr.1010 rep. Nr.281/1 kol datë 31.07.2015 rezulton se dorëzanësi numër 1 në këtë kontratë për pagimin e kredisë është i hetuari Kelmend Balili”, shkruhet në kërkesën e prokurorisë për gjykatën.

Një lidhje e tretë e dalluar nga prokuroria, e cila dyshon se një pjesë e madhe e pronave të familjes janë krijuar nga aktiviteti i dyshuar kriminal i Kelmendit, është një kontatë shit-blerjeje aksionesh mes Alma Balilit, bashkëshortes së Kelmendit me Hektor Balilin, vëllain tjetër të familjes. Sipas kontratës, Alma bleu 50 për qind të aksioneve të kompanisë “Balili Security” përkundrejt shumës 2.5 milionë lekë, transaksion i kryer më 5 tetor 2015. Më 20 prill 2016, Alma ia transferoi aksionet pas Hektorit përmes një kontrate dhurimi.

”Unë Alma Balili, ortakja që zotëroj 50 % të kuotave të kapitalit të shoqërisë “Balili Security” me vullnetin tim të plotë vendosa që kuotat e mia të kapitalit në shoqëri t’ia dhuroj Hektor Balilit,” shkruhet në kontratë.

Por financierja dhe kontabilistja e kompanisë “Balili&Co”, Alba Hodaj i tha BIRN se kjo shitje është bërë me qëllim që Alma Balili të kishte një biznes në Shqipëri, me qëllim sigurimin e një vërtetimi, që do e fuste në dosjen e të birit, pasi djali do konkurronte në një shkollë në Angli.

“Ky veprim është kryer vetëm për të siguruar një vërtetim që Alma Balili dizpononte një biznes në shqipëri. Madje transaksioni prej 25 milionë lekë të vjetra nuk është kryer. Pasi djali nuk ka fituar të drejtën e shkollimit në Angli, Alma ka firmosur dhe dokumentin tjetër, duke ja dhuruar pjesën e aksioneve kunatit Hektor Balili”-thotë kontabilistja.

Pavarësisht kësaj, prokuroria nuk duket e bindur. Konkluzioni i prokurorisë është që pasuritë që gjenden nën emrin e Kelmend Balilit “janë të fituara përpara përfshirjes së tij në aktivitetin kriminal, ndërsa shumica e pasurive është e regjistruar në emër të vëllai të tij Bashkim Balili”.

Prokuroria del në konkluzionin se nga të 39 pasuritë e vendosura në sekuestro dhe që i përkasin kryesisht Bashkim Balilit, “një pjesë janë krijuar pas përfshirjes të të hetuarit në veprimtarinë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike”.

Prokuroria e argumenton më tej kërkesën e sekuestros me konkluzionin se “nga hetimi provohet se këta të fundit dhe familjarët e tyre nuk kanë të ardhura të cilat mund të justifikojnë një pasuri të tillë”.

Prokuroria e argumenton kërkesën e saj për sekuestro pjesërisht me dyshimin se pronat mund të tjetërsohen në rast se ato nuk sekuestrohen. Sipas prokurorisë, ka një lidhje mes hapjes së hetimeve ndaj Kelmend Balilit dhe veprimeve të Alma Balilit për të mbyllur kompaninë Santa Quaranta dhe për të dhuruar aksionet e Balili-KO.

“Një nga elementët ilustrues në këtë drejtim është fakti se me marrjen dijeni të hetimeve, në datë 18.05.2016, bashkëshortja e të hetuarit Kelmend Balili ka hequr dore nga aksionet e shoqërisë “Balili Security”. Edhe në rastin e objektit Ish-Kampi i Puntorëve, sot rezidenca “Santa Quaranta”, ekziston kushti i tjetërsimit të saj duke parë dhe kalimin e saj në korrik të vitit 2016 si aset i shoqërisë “Balili-Ko” sh.p.k,” thuhet në kërkesën e prokurorisë.

Kelmend Balili është zyrtarisht i shpallur në kërkim në Shqipëri, por policia thotë se disa operacione të kryera gjatë muajve të fundit në kërkim të tij kanë rezultuar të dështuara.

Emri i Balilit u rikthye në qendër të vëmendjes publike së fundmi për shkak të hetimit pasuror nga ana e prokurorisë si dhe për faktin se një investigim gazetaresk nga Top Channel zbuloi se kompanitë e sigurisë së familjes Balili vijonin të dispononin kontrata për ruajtjen fizike me disa institucione shtetërore dhe vijonin të përfitonin të ardhura nga buxheti i shtetit. Duke iu referuar të dhënave nga organizata Open Data, kompania e ruajtjes fizike Balili-Ko rezulton se ka përfituar gjatë viteve të fundit qindramijëra euro nga kontratat e ruajtjes fizike me institucione të tilla si Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Peshkimit në Ministrinë e Bujqësisë, Prefektura e Vlorës si dhe, ironikisht, Prokuroria e Rrethit Sarandë dhe ajo e rrethit Gjirokastër.

Pyetur nga BIRN, zëdhënësi i Policisës së Shtetit Genti Mullai i tha BIRN se licenca për këtë kompani dhe kompaninë tjetër “SB-Securiti” tashmë është hequr.

“Një komision pranë Policisë së Shtetit që vlerëson dhe jep licencat për policitë private ka analizuar situatën dhe në bazë të hetimeve pasurore që ka nisur policia dhe prokuroria, ky komision ka vendosur të heqë licencat për subjektet “Balili-KO” dhe “SB-Securiti”-tha Mullai.

Pyetur se kur policia e ka marrë këtë vendim, Mullai nuk dha një përgjigje.

Sipas të dhënave të Open Data Albania, faturat e fundit të likujduara për kompaninë Balili-Ko nga buxheti i shtetit i përkasin dhjetorit të vitit 2017. Autor: Elton Qyno  BIRN  Tiranë

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY