“Pse procesi i Vettingut rrezikon të ngrijë”

“Pse procesi i Vettingut rrezikon të ngrijë”

70
0
Shares

DR. FABIAN ZHILLA
Përplasja përtej kornizave institucionale e ambasadorit amerikan Donald Lu dhe Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, shpërfaq situatën dramatike dhe krizën që po kalon Reforma në Drejtësi. Kjo e fundit rrezikon të bllokohet nga “neutralizmi” i organeve, të cilat administrojnë drejtësinë nëpërmjet emërimeve të dyshimta në këto organe dhe shkeljet procedurale në kapërcim të ligjit. Në një artikull paraardhës folëm për ngërçin kushtetues që rrezikon të bllokojë Këshillin e Emërimeve ne Drejtësi. Tek analiza e mëposhtme nënvizohet një tjetër “ngërç” edhe më i madh e shumë më i rrezikshëm.
Bëhet fjalë për “ngërçin” e krijimit të vetë dy institucioneve themelore të “vetting”-ut, konkretisht, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit. Por përpara se të sqarojmë ku qëndron ky ngërç, le të sqarojmë shkurt se çfarë janë këto dy institucione dhe roli i tyre në “vetting”. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit përbëjnë dy organet më të rëndësishme, nga të cilat do të kalojnë të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë të të gjitha niveleve, duke filluar nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, e deri te gjyqtari dhe prokurori i fundit.
Të dy këto institucione posedojnë karakteristikat e organeve gjyqësore dhe sipas nenit 179/b (6) të Kushtetutës së re, të dy organet veprojnë dhe vendosin në mënyrë të pavarur dhe të paanshme. Gjatë mandatit të tyre, anëtarët e Komisionit do të ketë statusin e gjyqtarit në Gjykatën e Lartë, ndërsa anëtarët e Kolegjit të Apelimit do të funksionojë në kuadër të Gjykatës Kushtetuese si degë e pavarur e saj, dhe anëtarët e saj kanë statusin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Komisioni do të përbëhet nga katër trupa gjykuese me nga tre anëtarë secili, pra në total 12 anëtarë, ndërsa Kolegji i Apelimit përbëhet nga shtatë gjyqtarë dhe do të vendosë në panele të përbërë nga pesë anëtarë secili. Si do të kryhet procesi i “vetting”-ut?
Ky proces, nga i cili do të kalojnë të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë, është tredimensional dhe do të përfshijë: së pari, kontrollin e pasurisë; së dyti, kontrollin e figurës; dhe së treti, kontrollin e aftësive profesionale. Parimi kryesor i procesit të verifikimit është se ky është një kontroll i pavarur që do të zhvillohet nga Komisioni, e mandej nga Kolegji i Apelimit nën mbështetjen dhe monitorimin e vëzhguesve ndërkombëtare të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të cilët pritet të vijnë këto ditë në Tiranë.
Në fund të procesit individual të rivlerësimit, Komisioni, e më pas nëse ka ankim, Kolegji i Apelimit, ka kompetenca kushtetuese për të marrë masën disiplinore të pezullimit, ose shkarkimi i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë, duke përfshirë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurorin e Përgjithshëm.
Cili është ngërçi, për të cilën folëm më sipër? Edhe pse vëzhguesit ndërkombëtarë pritet të vijnë për të kontribuar si fillim në përzgjedhjen e 19 anëtarëve të Komisionit dhe Kolegjit, duket se ky proces ka për të qenë jashtëzakonisht i vështirë, për dy arsye kryesore. Së pari, në mënyrë jo shumë të studiuar, Kushtetuta (Neni C i Aneksit) kërkon që anëtarët/gjyqtarët e Komisionit dhe Kolegjit të Apelimit, që do të filtrojnë gjyqësorin dhe prokurorinë shqiptare, duhet të “kenë arsim të lartë juridik dhe jo më pak se 15 vjet përvojë si gjyqtar, prokuror, lektor i së drejtës, avokat, noter, jurist i nivelit të lartë në administratën publike, ose në profesione të tjera ligjore që lidhen me sistemin e drejtësisë.
Po ashtu, “kandidatët për anëtarë të Komisionit dhe gjyqtarë të Kolegjit nuk duhet të kenë qenë gjyqtarë, prokurorë, ose këshilltarë ligjorë apo ndihmësligjorë, gjatë dy vjetëve të fundit përpara kandidimit”. Nëse do të analizojmë me kujdes këtë çështje, rezulton se të vetmit juristë të cilët kualifikohen për të aplikuar janë vetëm ata juristë që kanë përfunduar studimet në vitin 2001 e më parë. Duke pasur parasysh edhe kriteret shtesë kushtetuese dhe ligjore (titujt akademikë dhe vjetërsinë në punë), shanset më të mëdha për t’u kualifikuar në dy institucionet e “vetting”-ut i kanë ata kandidatë, të cilët kanë përfunduar ose para viteve 1990 gjatë periudhës së komunizmit, ose në vitet 1991-2000, kohë që sistemi arsimor ishte në kolaps.
Çuditërisht, Kushtetuta dhe ligjet organike jo vetëm që nuk kanë përjashtuar nga mundësia e aplikimit gjyqtarët, hetuesit dhe prokurorët aktivë të komunizmit (përjashton vetëm bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit), por në fakt ia ka mundësuar këtë gjë vetëm asaj kategorie dhe juristëve të tranzicionit. Është e paimagjinueshme që po pretendojmë të pastrojmë sistemin e drejtësisë nga të korruptuarit, duke mos kryer edhe dekomunistizimin e tij.
Mungesa e pastrimit nga komunizmi cenon moralin e vetë reformës, duke pasur parasysh se sistemi gjyqësor konsiderohej mjeti kryesor represiv i diktaturës së proletariatit ndaj shoqërisë. Nga ana tjetër, kriteri i të paktën 15 viteve eksperiencë pune në sistemin e drejtësisë është në antagonizëm edhe me vetë qëllimin e ligjit. Dikush që ka këtë eksperiencë të gjatë pune në një sistem të korruptuar, a nuk pretendohet që të jetë në konflikt interesi kryesisht për njohjet që ka krijuar me sistemin, apo të ketë përvojë të dyshimtë në një sistem të korruptuar gjyqësor?
Problemi është edhe më i rëndë nëse do t’i shtonim faktin që këto kritere aspak të studiuara përjashtojnë të gjithë ata shqiptarët që kanë përfunduar studimet juridike pas vitit 2002 dhe kanë grada akademike në universitetet nga më të mira në botë, por që kanë “fatin e keq” që të mos kenë përfunduar juridikun gjatë periudhës së komunizmit, apo në periudhën e rëndë të tranzicionit 1991-2000.
Së dyti, problemi tjetër serioz ka të bëjë me mungesën e garës për institucionet e “vetting”-ut. Numri i kandidatëve, të cilët plotësojnë kriteret kushtetuese për t’u emëruar në këto institucione, të cilat përbëjnë dhe garancinë e reformës, ka rrezik që të jetë aq i ulët saqë gara për këto institucione do të jetë pothuaj inekzistente, ose do të jetë midis kandidatëve pak ose aspak të kualifikuar.
P.sh., ndërkohë që për të fituar në Shkollën e Magjistraturës dhe për t’u bërë gjyqtar apo prokuror i shkallës së parë, raportet e konkurrencës mund të shkojnë deri në 1 me 30, gara për institucionet e “vetting”-ut rrezikon të mos ekzistojë fare, pasi mund të shkojë në raporte 1 me 1, ashtu siç ndodhi për kandidatët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Edhe pse autori i këtij shkrimi e ka ngritur disa herë këtë shqetësim serioz në emisione televizive, e po ashtu edhe ekspertë të tjerë që u angazhuan në këtë reformë e kanë paraqitur me shkrim këtë problem në komentet e tyre dërguar Komisionit përkatës Parlamentar, nuk u arrit që kjo “gafë” e rëndë të shmangej.
Është e habitshme gjithashtu që ky kriter u pranua dhe u kalua pa vëmendjen e duhur edhe nga ekspertët ndërkombëtarë, të cilët duhet të kishin parasysh se në vende në tranzicion si Shqipëria, një ndër teknikat e kapjes së institucioneve është personalizmi i kritereve të përzgjedhjes në drejtimin e tyre nga elitat politike që synojnë kapjen e shtetit. Në këtë kontekst, klasa politike shqiptare ka zhvilluar një zhdërvjelltësi të admirueshme politike, e cila ka arritur të manipulojë edhe ekspertët e shumëpaguar ndërkombëtarë që vijnë dhe ikin të konfuzuar, pasi gjejnë “politikanë mjaft të maturuar”, të cilët dinë mirë të krijojnë alibi për mosfunksionimin e reformave.
Skema e fshehjes mbas detajeve, luajtjes me afatet, promovimet populiste dhe sloganet, të cilat mbartin nën sqetull axhenda politike për kapjen e sistemit, tashmë janë kthyer në specialitet të politikanëve shqiptare. Për të kuptuar se sa serioze është situata e “ngërçit” për krijimin e institucioneve të “vetting”-ut, mjafton të dëgjojmë thirrjet e fundit publike të ambasadorit amerikan Lu dhe ambasadores së BE-së Vlahutin, të cilët deklarojnë se “u bëjmë thirrje shqiptarëve patriotë që të aplikojnë për institucionet e vetting-ut”.
Por, për fat të keq, sado patriot të jetë shkruesi i këtij shkrimi, apo të tjerë juristë shqiptarë që kanë përfunduar në universitetet më të mira, brenda dhe jashtë vendit, dhe ushtrojnë profesionin e akademikut apo të profesionistit të ligjit prej një dekade në Shqipëri, apo në vende të ndryshme të botës, kushti absurd i 15 viteve eksperiencë lë jashtë loje, duke ua mundësuar këtë gjë vetëm dy kategorive juristësh: juristëve të komunizmit, apo atyre të fillimtranzicionit shqiptar.
Nëse për fat të keq do të ndodhë që organet e “vetting”-ut nuk do të krijohen në cilësinë e duhur, e vetmja zgjidhje është që Kushtetuta të ndryshohet, duke zvogëluar kriterin 15-vjeçar, në 10 apo 7 vjet eksperiencë. Kjo është vërtet e vështirë, por jo e pamundur. Por, nëse “vetting”-u bllokohet për mungesë cilësie të personave të kualifikuar që do ta kryejnë atë, kjo mënyrë ngelet e vetmja “valvul” shkarkimi.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY