DETAJE/ Pronat e Klement Balilit, si ia dha qeveria 21 ha tokë...

DETAJE/ Pronat e Klement Balilit, si ia dha qeveria 21 ha tokë dhe historia e përfitimit të “Santa Quaranta”

223
0
Shares

Erjon Braçe akuzoi një ditë më parë në Parlament ish-ministrin e Bujqësisë se i ka dhënë toka me qira familjes Balili gjatë kohës që ushtronte detyrën.
“Është një kontratë dhënë për këta njerëz, nga partia e tyre për njerëzit e tyre”, akuzoi Braçe.
“Ju sfidoj që të provoni që kjo garë nuk ka qenë e ndershme. Merrni dosjet me vete dhe shkojmë në prokurori”, iu përgjigj ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.
Për të hedhur dritë mbi këtë çështje, Top Channel ka siguruar të gjithë procedurën ligjore të njërës prej kontratave. Bëhet fjalë për rreth 21 hektarë në Buronjë të Delvinës.
Gjithçka ka nisur më 28 dhjetor të 2015, kur me një vendim të Qeverisë “Rama” kjo sipërfaqje toke kalon në menaxhim nga Ministria e Arsimit tek ajo e Bujqësisë, me qëllim “të shtohet në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, për nxitjen e investimeve në bujqësi dhe blegtori nëpërmjet shfrytëzimit të tokës bujqësore”.
Në mars të 2016 Ministria e Bujqësisë shpall garën për dhënien me qira të 21 hektarëve, ndërsa ofertat mbyllen më 5 prill. Më 20 maj të 2016, Ministria e Bujqësisë shpall fitues kompaninë “Alb Universal 95”, e themeluar në fund të dhjetorit 2015, Albin Balili, i cili një muaj më pas, më 22 janar 2016 ia dhuron Xhesjana Ballaçit është pikërisht kjo e fundit që ka hedhur firmën në kontratën me Ministrinë e Bujqësisë. Kontrata ka marrë fuqi ligjore me nënshkrimin nga palët.
Një pronë tjetër e Balilëve, resorti “Santa Quaranta”, ka një histori më të gjatë. Historia e përfitimit të kampit të punëtorëve në Sarandë nga Bashkim Balili, vëllai i Klement Balilit, nis në vitin 2000. Atëherë ky objekt prej 30 mijë metrash/katrorë zotërohej nga dy pronarë: firma e shpallur piramidale “Kamberi” me 60 për qind dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura me 40 për qind. Në mesin e viteve ’90 prona kishte qenë e tëra në zotërim të sindikatës.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura e kishte përfituar pronën në vitin ‘94 pas një aktmarrëveshje mes sindikatave të Shqipërisë për ndarjen e pronave të përfituara me një dekret të Presidentit Berisha.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura u lidh me një kompani italiane me të cilën krijuan shoqërinë “DEA” për ofrimin e shërbimeve të hotelerisë. Kuotat u ndanë 60 për qind për italianët, që do të investonin 100 mijë dollarë dhe 40 për qind për Bashkimin e Sindikatave të Pavarura.
Në vitin 1996 aksionet e italianëve u blenë nga firma “Kamberi”. Në vitin 1997 firma “Kamberi” u shpall piramidale, por në vitin 2000, kur asetet e saj administroheshin nga shteti, rezultonte ende bashkëpronare e ish-Kampit të Punëtoreve. Në 18 maj po të vitit 2000, kuota prej 40 për qind e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura u mor me kontratë qiraje nga shoqëria “Titan Konstrukstion”, që zotërohej nga Bashkim Balili, kundrejt një çmimi prej 4 milionë lekësh në vit.
Pa kaluar një vit, me 7 shkurt 2001, Bashkim Balili bleu kuotat e tjera, 60 për qind të firmës “Kamberi” për rreth 85 milionë lekë. Shuma u likujdua plotësisht në Bankën e Kursimeve.
Në 2008, ndodhi kthesa e madhe, ku Balilët morën të gjithë pronësinë mbi ish-Kampin e Punëtorëve. Palët, Bashkim Balili dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura, nënshkruan më 22 dhjetor 2008 një kontratë shkëmbimi pasurie. 40 përqindëshi i 30 mijë metrave/katrorë të ish-Kampit të Punëtorëve zotëruar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura u shkëmbye me një pasuri prej 3500 metrash/katrorë në Linzë të Tiranës, që sipas dokumentacionit hipotekor zotërohej nga Bashkim Balili.
Në fakt kjo kontratë ka qenë e paligjshme, pasi një ligj i ’98-ës, ende në fuqi, ndalon tjetërsimin deri në vitin 2020 të pasurive të zotëruara nga sindikatat, por në pronësi publike.
E megjithatë, kontrata e shitblerjes nga Sindikata mbeti në fuqi. Në vitin 2015 ish-Kampi i Punëtorëve, tani, me emrin “Santa Quaranta” u përurua me bujë, gjatë fushatës për zgjedhjet lokale.
Por nuk përfundon këtu. Ky biznes me këtë emër, “Santa Quaranta Resort” u rregjitrua si i tillë vetëm para dy javësh, më 1 dhjetor të 2017, pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, ose, një javë pasi policia ekzekutoi vendimin e Gjykatës për Krime të Rënda për vënien nën sekuestro të kësaj pasurie. TCH

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY