Ballafaqimet në gjyq, Shullazi “dhëmb për dhëmb” me prokuroren: Kam përgjime, ja...

Ballafaqimet në gjyq, Shullazi “dhëmb për dhëmb” me prokuroren: Kam përgjime, ja ç’do ndodhë seancën tjetër

256
0
Shares

Procesi gjyqësor kundër Emiljano Shullazit dhe katër të pandehurve të tjerë është zhvilluar me kryerjen e tre ballafaqimeve të dëshmitarëve Ylvi Beqja biznesmen, ish-shoferit të tij Romeo Tarja, kunatit të Ylviut, Besnik Musaj dhe noteres së Durrësit Aida Spahiu.

Seanca e ballafaqimit të këtyre dëshmitarëve është shoqëruar me debate të forta mes prokurorëve, vetë dëshmitarëve, avokatëve mbrojtës dhe të 5 të pandehurve që ndodheshin në sallë, Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endrit Zela dhe Endrit Qyqja shkruan Shqiptarja.com.

Gjatë seancës gjyqësore i pandehuri Emiljano Shullazi bëri me dije se në seancat e rradhës do sjellin dëshmitarë dhe përgjime që tregojnë se kush nga prokurorët ka mësuar dy dëshmitarët e mbrojtur nga prokuroria Ylvi Beqja dhe Besnik Musaj,që jtë dëshmojë kundër tyre.

”Kemi prova padiskutim. Kemi dëshmitarë dhe përgjime që kush nga prokurorët e ka mësuar që të dëshmojë. Do dalin emra po jua them… do vinë dëshmiratët dhe do jua thonë se si janë manipuluar këta dëshmitarë”­, ka deklaruar i pandehuri Shullazi në sallën e gjyqit.

Por në këtë debat ka ndërhyrë dhe prokurorja Elisabeta Imeraj e cila ka deklaruar se nëse kanë përgjime dhe dëshmitarë që faktojnë manipulimin e provave dhe dëshmitarëve mund t’i paraqeste në prokurori dhe organet e tjera të drejtësisë.

Por Shullazi i është kundërpërgjigjur duke pohuar se: ”…nuk kam fare besim tek prokuroria…”, por prokurorja Imeraj ka shtuar se: “…më vjen keq që keni krijuar këtë bindje dhe përshtypje të gabuar…”.

Në seancat e para të këtij procesi gjyqësor mbrojtja e të pandehurit Shullazi ka kërkuar që të pyeten disa dëshmitarë VIP, ku më konkretisht ish­kryeministri Sali Berisha, disa avokatë të njohur në Tiranë, disa gazetarë, Ervis Martinaj, emër ky i njohur dhe i dyshuar nga policia si i implikuar në një vrasje në një lokal në Dajt si dhe dhjetëra dëshmitarë të tjerë, biznesmenë etj.

Gjatë seancës gjyqësore avokatët e të pandehurit Shullazi kaluan etikën profesionale duke fyer dëshmitarin e prokurorisë Ylvi Beqja, duke pohuar “…pse na sillni plehra në gjykatë…”, ”…gjyq farsë…, …gjyq i papërgjegjshëm…”. Por sërisht prokurorja Imeraj i ka dalë në mbrojtje dëshmitarit Beqja duke i kërkuar gjykatës që të tërheqë vëmëndjen mbrojtjes dhe të mos kalojë limitet ligjore të mbrojtjes, duke fyer njerës që ka thirrur organi i akuzës për të dëshmuar.

Që në fillim të seancës gjyqësore dëshmitari i prokurorisë Ylvi Beqja deklaroi se kërkonte të bënte një kërkesë që sipas tij nuk duhet të pyetet një ish­avokati i tij në këtë proces, pasi dhe ai kishte kaluar në “dhomën e këshillimit”, duke nënkuptuar se dhe ai ishte kërcënuar. Beqja akuzoi disa avokatë se si ish­-sigurimsa kanë kërcënuar avokatët mbrojtës të tij.

Ballafaqimi i parë Beqja-­Spahiu

Gjykata: Dëshmitarë jeni thirrur për të kryer seancën e ballafaqimit pasi në deklarimet tuaja në seancat e mëparshme ka momente që i tregoni në mënyra të ndryshme. Bëhet fjalë për nënshkrimin e kontratës së dhurimit të një pjesë të sipërfaqes së ish­hotel Vollgës nga Ylvi Beqja tek Emiljano Shullazi. Aida Spahiu është pyetur në seancën e datës 18 korrik 2017 ku ka pohuar se të dyja palët Shullazi dhe Beqja janë paraqitur me vullnetin e tyre të plotë duke nënshkruar kontratën dhe më pas janë larguar qetësisht.

Spahiu në këtë deklarim ka pohuar se mes dy protagonistëve nuk ka pasur asnjë konflikt dhe asnjë kërcënim dhe se nga ana ime gjatë nënshkrimit të kontratës nuk është përmendur asnjë shumë parash. Për më tepër nuk ka pasur asnjë ulje qepeni apo ngritje qepeni nga persona të tjerë të jashtëm ose të brendshëm zyrës time. Nuk janë takuar me Beqjan në Rinas apo vende të tjera për çeshtje pune përveç zyrës time në Durrës. Nga ana tjetër për këtë moment gjykata ka sqaruar dhe thëniet e deklaruara nga dëshmitari i prokurorisë Ylvi Beqja, i cili ka thënë se 2014 se janë takuar me Shullazin tek noterja Spahiu në Durrës, për të firmosur kontratën e dhurimit. Teksa noterja po bënte modulitetet, më ka thënë që “…Ylvi dokumentat janë bërë gati, por shuma prej 671 mijë euro ende nuk ka kaluar në llogari…”, në këtë mement ky zotëria këtu është hedhur dhe ka thënë: Dale… dale pak, çfarë janë këto shuma lekësh që duhet të kalojnë. Më ka hedhur dorën në qafë dhe ka filluar të kërkojë llogari se nga vinin këto lek. Më pas i ka rënë qepenit të zyrës së noteres Spahiu që ishte mbyllur dhe në këtë moment disa nga personat që e shoqëronin kanë ngritur qepenin, duke më nxjerë jashtë dhe aty kanë filluar kërcënimet. Gjykata pasi vuri në dukje deklarimet e dy dëshmitarëve pyeti noteren Aida Spahiu nëse i qëndronte apo ndryshonte thëniet e saj të pohuara para gjykatës në datën 18 korrik 2017:

Noterja: Unë i qëndroj plotësisht nga fillimi deri në fund asaj që kam deklaruar herën e parë në gjykatë.

Gjykata: Bëhet fjalë edhe për një takim që keni pasur me bashkë të pandehuri në Rinas.

Noterja: Jo, automatikisht unë nuk kam pasur asnjë takim me çështje pune. Unë kam shprehur dhe kam deklaruar, e deklaroj që rastësisht mund ta kem takuar zotërinë. Unë kam kontaktuar në ambjentet, e territorit, e vendit të zyrës time, tek zyra e rregjistrimit…

Gjykata: Në thëniet e bashkë të pandehurit ai ka thënë që e kam takuar, ka qënë shumë e tensionuar.

Noterja: Jo nuk e kam takuar…

Gjykata: Më fal janë thëniet e bashkë të pandehurit

Noterja: Ato që konfirmoj i konfirmoj dhe nuk kam për të shtuar plotësisht asnjë gjë. Përveç faktit që të dy kanë firmosur me vullnet të plotë dhe skam re asnjë kërcënim apo gjë të paligjshme mes tyre. Unë i qëndroj plotësisht asaj që kam deklaruar…në seancën e parë.

Gjykata: Atëherë lidhur me faktet dhe thëniet që keni deklaruar në seancat e para kur keni dhënë dëshminë, i qëndroni thënieve tuaja apo keni diçka për të shtuar… Beqja: Zoti gjyqtar para se të bëjë këtë ballafaqim me këtë zonjën, doja të dorëzoja një kërkesë për një ish­avokatin tim që është thirur këtu nga gjykata, por edhe ai ka kaluar në dhomën e këshillimit, nga ish­sigurimsi dhe sot….

Ndërhyn gjykata: Ju lutem lerini këto….vijeni me dëshminë

Beqja: Kam një kërkesë…

Gjykata: Lere kërkesën, vijojmë dhe mbarojmë me procedurën pastaj bëj kërkesën.

Beqja: Ok ndjesë ndjesë. Jo se dhe ky ka kaluar, siç kanë kaluar të gjithë dëshmitarët në “dhomën e këshillimit” në thonjëza. Tani sa i përket për pyetjen që më bëtë zoti gjyqtar me bindjen më të plotë dhe me sigurinë më të plotë mund tju them që këtu, të paktën kjo zonjë e nderuar nën betim por nuk thotë të vërtetën.Unë kam argumenta për ta bindur gjykatën…

Gjykata: Mund t’jua lexoj dhe dispozitën nëse nuk jeni i qartë se sib ëhet një ballafaqim…

Beqja: Zoti gjyqtar më keni kërkuar për ballafaqim dhe unë ju jap argumenta dhe fakte…

Gjykata: Jeni kërkuar që të ballafaqoheni me faktet dhe thëniet tuaja, dhe ballafaqimi konsiston që këto që jua lexuam ne i qëndroni këtyre deklarimeve, nëse ndryshoni cilat prej këtyre ndryshoni dhe nëse ke detaje dhe rrethana të tjera mund ti shtoni. Pra kjo është procedura me pak fjalë e ballafaqimit…

Beqja: Nuk i ndryshoj dhe I qëndroj të gjitha atyre çfarë kam thënë.Janë të gjitha të vërteta dhe mundësisht mi lejoni ti argumentoj edhe thëniet e zonjës.

Gjykata: Jo nuk është e nevojshme sepse ato janë të dokumentuara dhe do vlerësohen me thëniet e tjera që janë në dosje. Thjesht kjo ishte procedura e ballafaqimit.

Beqja: Zoti gjyqtar, këto vërtetohen me qelizat telefonike. A ka qënë në Rinas zonja, janë serverat ai hotel ku ka qen, kam firmosur katër fashikuj

Ndërhyn Gilmando Dani Beqja: Ju lutem mbylle ti…mbylle.

Gjykata: Ju lutem mos replikoni pa lejën e gjykatës… Beqja: Atëherë mbylljani gojën atyre zoti gjyqtar..

Gjykata: As ata dhe as jo nuk kanë të drejtë të replikoni pa lejë dhe jashtë objektit të gjykimit…

Beqja: Shikoni çfarë nxjerin nga goja…

Gjykata: Tani ka ndonjë pyetje rreth këtij momenti?

Prokurorja: Dy momente që ne kemi këmbëngulyr dhe kemi bërë kërkesën përpara gjykatës për ballafaqim ka të bëjë me sjelljen në zyrën e noteres, ku noterja ka deklaruar ndryshe dhe Ylvi Beqja ka deklaruar ndryshe. Dhe e dyta është për takimin në Rinas dhe rrethanat për të cilat ka ndodhur. I dëgjuam dy personat që ballafaquam dhe secili i ka qëndruar me detaje rreth asaj që kanë deklaruar në seancë. Një pyetje do kisha për bashkë të pandehurin Ylvi Beqja në raport me sjelljen në zyrë, kur është nënshkruar kontrata, pra vini re dhe e shihni dhe qëndrimin e mbajtur sot nga noterja, qoftë për mbylljen e qepenit qoftë edhe për informacionin e dhënë për sasinë monetare. Çfarë mund të na thoni në lidhje me këto?

Beqja: Përsëris atë çfarë ka ndodhur?

Prokurorja: Jo çfarë ka ndodhur,çfarë mund na thoni juve në lidhje me këtë fakt që nuk ka ndodhur ashtu siç keni thënë ju në gjykatë.

Beqja: Zonja prokurore kam prova që tregojnë të kundërtën e pohimit të kësaj. Do ju ve në dispozicion prova të tjera, ju lutem verifikoni,tabulatet, serverin e pamjeve filmike të disa bizneseve aty, mbasi kemi dalë ka pasur dhe njerës të tjerë që kanë hyrë në zyrën e noteres.Unë ato që kam thënë I kam thënë, por nëse me lejoni ti argumentoj…

Avokati Gurra:Thotë për dhomë këshillimi dhe na përfshin të gjithëve neve…

Beqja:E kam për zotërinë atje, avokatin Vladimir Meçe…

Gurra:Kjo është për efekt të hipotetizmit të prokurorisë apo romantizmit tënd?

Beqja: Atëherë nëse ju nuk e dini po jua them sot. Unë e kam kallëzuar penalisht në prokurori atë zotëri,(Duke drejtuar gishtin nga Vladimir Meçe) Gura,noteres: A janë përmendur lekët në këtë takim nga i mbrojturi prej meje Emiljano Shullazi?

Beqja: Po i ka përmendur noterja…

Gura: Jo ti jo, noterja…të përgjigjet.

Noterja: Është kontratë dhurimi dhe në kontratë dhurimi dhe në aktet e tjera nuk kanë të bëjnë fare lekët. Nuk janë përmendur asnjëherë lekët.

Gura: Në qoftëse zotëria e ka pasur begatinë martesore e ka pasur me martesën e parë apo me martesën e dytë këtë të mirë material të krijuar?

Beqja: Është një pyetje tendencioze zoti gjyqtar

Gjykata: Mos u përgjigjni… Shullazi: Sipas Ylvi Beqjat në këtë takim në zyrën tuaj, ju keni përmendur një shumë lekësh. Tani ju si notere na shpjegoni para gjykatës që në këta takim janë përmendur kjo shumë lekësh nga ana juaj apo nga unë ose Ylviu, që të sqarojmë dhe këtë moment zoti gjyqtar?

Noterja: Shprehem shumë qartë tek unë në atë takim nuk është përmedur asnjë shumë lekësh. Janë akte dhurimi dhe ska arsye që të përmendet shuma lekësh.

Shullazi: Nëse kërkon tabulatet le ti marin dhe le ti verifikojnë.Ku jana këto tabulate hajde ti themi se ndoshta janë dhe tek shkolla “Partizani”. Se ai çfarë nuk thotë,sepse ky thotë jo kaq për qind, pastaj dhurim, njer thotë hajde, jo dhe më ashtu … se nuk e ka për turp ta thotë, por vetëm mjeku­ligjor e ka për detyrë ta konfirmonte, e kupton zoti gjyqtar.

Beqja: Zoti gjyqtar a mund ti përgjigjem, që mos aludojë se…

Gjykata: Jo jo nuk është e nevojshme të replikoni Gjykata: Ok ka pyetje të tjera?Vijojmë me procedurën tjetër tjetër prokurore?

Ballafaqimi i dytë Tarja-­Beqja

Prokurorja: Është tjetër ballafaqim mes bashkë të pandehurit Ylvi Beqja dhe dëshmitarit Romeo Tarja.

Beqja: Me leje zoti gjyqtar. Në qoftëse më keni thëritur për ballafaqim, unë kam argumenta plot që çfarë thotë kjo noterja nuk janë të vërteta…dhe mund ti verifikoni edhe ju si gjykatë edhe prokuroria.Janë qelizat telefonike që ka ardhur nga Durrës me të birin në Rinas.

Gjykata: Kjo është procedura e ballafaqimit. Të tjetar i vlerëson gjykata dhe prokuroria.

Beqja: Këto janë fakte more zotri gjyqtar…

Gjykata: E ke thënë?

Beqja:Po këto janë fakte të reja dhe noterja ka shtuar gjera të reja sot.

Gjykata: Ne nuk detyrojmë njeri të thotë atë që na intereson neve..

Beqja: Po jo more të detyroni se jeni gjykatë, po këtu po dalin njerëzit të ndershëm sa s’ka më,në një kohë që gënjejnë dhe mashtrojnë…

Gilmando Dani:Ke borxhe po hë, ik laj njer borxhet

Beqja: Hë se do e shohëm po hë, sorra të forta

Gjykata: U paraqit dëhsmitari Romeo Tarja.Do ju rikujtojmë thënien tuaja pastaj do rifilloni, në raste ka ndryshime, mund të shtoni.

Gjykata: Rrethanat tuaja janë të përgjithshme. Ju keni qënë tek bashkë i pandehuri Ylvi Beqja dhe jeni shkëputur në korrik të 2016, për arsye se jeni kanosur dhe keni pasur frikë se keni mësuar për faktin se Ylvi Beqja, do ti drejtohej organeve kopetente për të kallëzuar të pandehurit në këtë gjykim.

Gjykata: Ju ka shprehur ndonjëherë ndonjë shqetësim bashkë i pandehuri Ylvi Beqja, në lidhje me ndonjë kërcënim për ish­hotel Vollgën, nga persona të tjerë…dhe përgjigjia juaj ka qënë asnjëherë,nuk më ka shprehur asnjë më të voglin shqetësim, që mund të ketë marë nga personat kërcënime, shantazhime etj.Një rast i vetëm ka qënë me një person dhe kemi ndjekur rrugën ligjore dhe ai rast është dënuar.Ky ishte momenti parë ndërsa i dyti, është për marjen e disa çeqeve bankare.

Beqja: Më fal zoti gjyqtar, e keni fjalën për çeqet 26 mijë euro.

Gjykata: Po po… ….Dhe momenti i tretë për ballafaqim është fakti i tërheqjes tuaj nga puna, me argumentin se keni thënë që keni dy fëmijë dhe dy pleq në shtëpi dhe kishe nevojë financiare për këtë çështje dhe jo se largimin juaj nga puna lidhur me kërcënimet.Atëherë zoti gjyqtar i konfirmoni thëniet tuaja që keni deklaruar para kësaj gjykate?

Tarja: Zoti gjyqtar në mënyrë apsolute, i referohem dëshmisë së dhënë seancën e kaluar por edhe dëshmisë së dhënë në prokurori, në asnjë rast nuk ka bërë vaki që për sa kohe e kam shoqëruar zotin Ylvi, të kem parë rastin më të vogël të kërcënimit nga personat që janë në panel. Sepse nëse do kishte ndodhur diçka e tillë, do kisha marë masa mbrojtje, për Ylviun, familjen e tij por edhe për vetën time.I nderuar gjyqtar unë nuk i ndryshoj jo sot por edhe 1 mijë herë të tjera të vij këtu, unë këto gjëra kam për të thënë.

Beqja: Qëndrimet e mia janë të sakta dhe nuk kam asnjë gjë për të shtuar. Gjithçka është e vërtetë nga ajo që kam deklaruar. Por kam diçka të re për të shtuar,,, mundem..

Gjykata: Po Beqja: Ky zotëria ka thënë janë tre çeqe, në fakt nuk janë tre çeqe. Këto mund të verifikohen plotësisht. Zotëria thotë se me Ylviun kam punuar nga 99 deri në 2016.Ka librezë pune ky, pesë vjet ka punuar tek unë, ky ka punuar në dy institucione që këtu nuk i ka thënë. Ka punuar tek Drejtoria e Burgjeve 4 vjet, ka punuar tek një biznesmen I nderuar. E ka përzënë e ma marë dy herë dhe sërisht e ka përzënë dhe e kam marë sërisht unë, derën hapur ja kam mbajtur. Ky zotëria thotë që ka marrë 26 mijë euro me çek dhe thotë që i kam çuar atje, porn ë fakt ka dalë një gjë e re, dhe se sja ka çuar Gilmando Danit por i ka future në bankë të nivelit të dytë në emër të familjarëve të tij. Kjo mund të thotë vërtetohet nga ju dhe prokuroria. Se ky thotë i kam marrë në bankë dhe ja kam dorëzuar Ylvi Beqjat të gjitha lekët.

Tarja: Tarja unë kam marë çek nga zoti Ylvi por në mënyrë apsolute të gjitha lekët ja kam dorëzuar në dorën e Ylviut.

Beqja: Sa është vlera që ke marë. Tarja: Vlera ka qënë diku tek 50 apo 70 mijë euro.I kam marë me këste të ndryshme dhe ja kam dhënë këtij. Unë betohem përpara kësaj gjykate se jo Gilmando Danit por askujt nuk i kam çuar asnjë cent, por ja kam dhënë vetëm Ylvi Beqjat. Se çfarë ka bërë me këto lek atë le ta tregojë vetëm ky…

Beqja: Kërkojë që prokuroria ti verifikojë llogaritë në bankë…

Tarja: Ti verifikojë sot e për gjithë jetën Beqja: 20 mijë euro I ka marë dhe I ka futur në bankë në emër të babait dhe të nënës. Faleminderit kaq kisha…

Gjykata: Momenti i fundit kur ka qënë largimi nga puna e Romeo Tarjas?

Beqja: Momenti i fundit ka qënë në vitin 2016, kur më ka kërkuar të tërhiqet nga frika…

Tarja: Gjyqtar personi më njef shumë mirë më njef shumë mirë…

Beqja: Lere more çfarë të njoh…

Tarja: Fjalën frikë unë se kam njohur sa kam lindur. Ndoshta nuk është fjalë e duhur, por fjalën frikë jo.

Beqja: Frikë ndofta jo, por pabesi po. Kërkoj që 20 mijë euro të verifikohen nga ju zoti gjyqtar, ku kanë shkuar, ku i ka kaluar.

Avokati Gura: Këto veprime që referove janë te “Tirana Bank”?

Beqja: Po i kam dhënë një çek jo disa sic thoni ju.

Avokati Gura:Shiko tallu me atë romantizmin tënd që ke mos u merr me mua.

Beqja: Romantizmin mbaje për vete ti. Avokat mos më bëj sofizma në sallën e gjyqit. Leri këto me mua, leri sofizmat.Me mua s’bën dot sofizma ti…/Shqiptarja.com

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY