Reforma në Drejtësi një dështim, anëtari nga shoqëria civile në KLP mund...

Reforma në Drejtësi një dështim, anëtari nga shoqëria civile në KLP mund të mos zgjidhet kurrë, ja arsyet

233
0
Shares

Përfaqësuesi i shoqërisë civile në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) mund të mos zgjidhet dot asnjëherë, duke mbajtur peng krijimin e një prej institucioneve themelore të administrimit të sistemit të drejtësisë.

Në këtë konkluzion duket se ka arritur Komisioni Ad Hoc i Shoqërisë Civile, i cili është ngritur për administrimin e procedurës së përzgjedhjes së kandidaturave për përfaqësues të shoqërisë civile në KLP.

Në një sqarim të hollësishëm për mediat, Komisioni ka bërë të ditur se deri tani janë zhvilluar pesë thirrje publike për tërheqjen e kandidaturave nga shoqëria civile. Në to janë paraqitur 11 kandidatura, por 10 prej tyre janë skualifikuar menjëherë pasi nuk përmbushnin kriteret ligjore të vendosura në Kushtetutë dhe ligj.

Dy arsyet kryesore të skualifikimit kanë qenë:

  • Mospërmbushja e kriterit 15 vite përvojë pune në profesion si jurist;
  • Mungesa e të provuarit me fakte dhe prova konkrete të angazhimit të këtyre kandidatëve në shoqërinë civile, mungesa e një profili të spikatur shoqëror, integriteti të lartë moral apo justifikimi i aseteve.

Komisioni njofton se në datën 30 nëntor është hapur thirrja e gjashtë dhe janë në pritje të kandidaturave të mundshme. Sidoqoftë, komisioni duket pesimist se edhe këtë herë do të ketë kandidatura që plotësojnë kushtet, veçanërisht kriterin për 15 vjet punë si jurist.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të ishte krijuar që në muajin shkurt 2017 dhe mos krijimi i tij përbën shkelje të Kushtetutës pasi afati i krijimit është sanksionuar në Kushtetutë.

Kjo situatë vë në rrezik zbatimin e reformës në drejtësi, të paktën në sistemin e prokurorisë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë është institucioni kryesor që administron karrierën në sistemin e drejtësisë, përfshi emërimet dhe shkarkimet e prokurorëve. Mbi të gjitha KLP është përgjegjës për:

  • Zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm.
  • Krijimin dhe zgjedhjen e anëtarëve të prokurorisë së posaçme SPAK e cila do të hetojë korrupsionin dhe krimet e rënda.
  • Byronë kombëtare të hetimeve e cila nën SPAK do të luajë rolin e njësisë së hetimore të korrupsionit dhe krimeve të rënda.

Pikërisht këtë boshllëk të krijuar nga moskrijimi i KLP-së për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm shumica socialiste po e “zgjidh” në mënyrë antikushtetuese duke sajuar me ligj të thjeshtë një funksion të ri, atë të prokurorit të përgjithshëm të përkohshëm.

Ky dështim është një tjetër tregues i punës së dobët të hartuesve të reformës në drejtësi, të cilët kanë krijuar në letër një sistem që nuk reflekton kushtet konkrete të vendit dhe i mungon harmonia.

Një situatë e ngjashme u ballafaqua në shkurt të këtij viti, kur Prokuroria mundi të dërgonte vetëm tre kandidatura për anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, pra aq sa vende ishin, duke e bërë procesin e shortit të zgjedhjes së tyre të pavlefshëm. Arsyeja ishte se vetëm tre kandidatura të sistemit të prokurorisë plotësonin kriteret ligjore për të shërbyer në KED.

Ky rast u bë shkak për lindjen e konfliktit të famshëm midis Ambasadorit Amerikan Donald Lu dhe Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla pasi Lu në vend që të pranonte defektet në hartimin e reformës në drejtësi sulmoi Prokurorin e Përgjithshëm për sabotim të reformës në drejtësi. Prokuroria e Përgjithshme u kundërpërgjigj duke pohuar se sulmet e ambasadorit amerikan janë të motivuara nga interesat private të tij për të ndaluar hetimet e atëhershme të prokurorisë ndaj kompanisë Bankers Petroleum, kërkesë që ishte hedhur poshtë nga prokuroria. /Exit.al/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY