Banorët e varfër të fshatit Pagri, në Përmet, janë liruar nga burgu. Ata akuzoheshin se ishin “pronarët” e 12 tonëve hashash, të sekuestruara në mars të këtij viti, në disa magazina të rezervave të shtetit.
Disa javë pas transmetimit në “Fiks Fare” të kësaj problematike, ku bosët ishin në arrati dhe banorët e fshatit në burg, Gjykata e Përmetit, me kërkesë të Prokurorisë ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Koço Zaimajn, Rustem Muçellin, Eqerem Alinë dhe Ismail Saliun.
Ky i fundit ishte në arrati dhe, pas ndryshimit të masës, u dorëzua. Fillimisht banorët u proceduan për trafik lëndësh narkotike, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, moskallëzim krimi dhe prodhim e mbajtje lëndësh narkotike. Çështja u hetua te Krimet e Rënda dhe më pas në Prokurorinë e Përmetit.
Gazetarët e “Fiks Fare” udhëtuan para pak javësh në Pagri, për të parë se ku jetonin këta “trafikantët e mëdhenj”, pasi droga e sekuestruar kishte një vlerë prej 6 milionë eurosh. “Fiksi” shkoi në 4 familjet, gjendja ekonomike e të cilave linte shumë për të dëshiruar. Bashkëshortet e tyre treguan me lot në sy se gjendja ekonomike e tyre është shumë e rëndë. Pas interesimit të “Fiks Fare” në organet e drejtësisë, Prokuroria e Përmetit rivlerësoi masat e sigurisë të 4 banorëve. Mësohet se gjykata ktheu masat, nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.
Pas këtij vendimi, gazetarët e “Fiks Fare” udhëtuan sërish në Pagri, për të biseduar me “trafikantët e mëdhenj”.
Kryeplaku Koço Zaimaj qëndronte në shtëpi. Ai tha se qëndroi 6 muaj e gjysmë në burg.
“Në prill më lajmëruan dhe u paraqita. Më thanë se ka drogë në magazina. Unë i thashë që këto magazina janë të ish-komunave, i ka fshati për bazë ushqimore. Te magazina ime s’kishte drogë. Në Policinë e Gjirokastrës më thanë se akuzohesha për shpërdorim detyre. Unë kam qenë kryeplak prej 20 vitesh. Merrja një pagë prej 1.500 lekësh. Këta fshatarë s’kanë lidhje fare me krimin, por për të mbuluar çdo gjë, mua më morën kot. Më bënë arrestim të paligjshëm”, tha ai, ndërsa shtonte se ka qëndruar në Burgun e Bënçës, në Tepelenë.
Atje, ai thotë se ka qenë me nga 4-6 vetë në qeli.
“Na vinte inat nga opinioni që diskutonte për ne. Ne s’kishim bërë gjë. Jam 58 vjeç dhe s’e kisha provuar asnjëherë burgun. Pasuria ime është toka, dy lopë që kam dhe këto shtëpi të vjetra, që janë ndërtuar para 40 viteve. Si kryeplak kam vetëm vulën, sepse kjo vulë më futi brenda padrejtësisht”, thotë ai.
Më pas tregon se aktualisht qëndron nën masën e arrestit shtëpiak. Akuzohet për moskallëzim krimi, ndërsa shton se ka dëshmuar në polici se makinat lëviznin poshtë e lartë.
“Nuk u dilja dot makinave para apo fytyrave që shikonim. Faleminderit ‘Fiks Fare’ që reagoi për një të drejtë”, përfundon kryeplaku.
Ndërkohë, ngjitur me kryeplakun është edhe banesa e Rustem Muçellit, i cili po e vuan masën e sigurisë në një banesë në Sarandë.
Gazetarët e “Fiks Fare” shkuan edhe në shtëpinë e Ismail Saliut, edhe ky person i proceduar për kanabisin. Prokuroria e Përmetit tha se, edhe për këtë të proceduar ka ndryshuar masa e sigurisë, nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”, megjithëse Saliu ka qenë person në arrati.
Në hyrje të fshatit Pagri është banesa e Eqerem Alisë, i cili qëndroi në burg prej 6 muajsh. Fillimisht, ai falënderoi “Fiksin”, sipas të cilit sepse “tha gjëra të mira dhe reale që ndodhnin këtu në Pagri”.
Më pas tregoi për eksperiencën në burg.
“Burgun e përjetova si person, se ëndërroja këtë burg, por më shumë e hoqi familja ime. Burgu është për burrat thonë, por e heq familja. E ndiej vet shpirtërisht. Qëndrova 6 muaj e 17 ditë, i numëroja përditë. Nuk shtyheshin. 80 për qind e të burgosurve në Bënçë ishin për hashash, të tjerët për vjedhje. Nga sa mësova atje, pothuajse ishin prashitës, vaditës dhe roje. Nuk kishte asnjë me emër trafikant. Ishim edhe neve aty. Habiteshin kush ishte me 5, 10, 20 kile. Na pyesnin neve, unë u thoja që ne ishim për 12 tonë. Realisht ne ishim për kashtë. Të gjitha bisedat ishin për hashashin, minimale të vogla fare”, thotë Eqeremi.
Më tej tregon se, në kohën e komunizmit ka qenë traktorist, më pas bëri shkollëm Pedagogjike në Elbasan dhe më vonë ka punuar për 20 vite mësues. Kohët e fundit ka punuar sekretar në Teqe.
“Tani jam në arrest shtëpie, derisa të dal në gjyq. Në fillim na thanë që ishim grup i strukturuar, grumbullim, shitje ndërkombëtare, pastaj në Përmet na lanë në moskallëzim krimi. Dëmi moral është më i rëndi, por edhe financiari, papunësia ime, një gocë e kam në shkollë. Jo karta telefoni, ndonjë ushqim, veshmbathje. Kam paguar vetëm avokatin nga 50 euro, 100 euro”, thotë Eqeremi.
Ndërkohë tregon edhe për sëmundjet.
“Kam bërë koronare në vitin 2014, bëra dy koronare dhe vura dy unaza. Kam marrë kredi dhe po laj kredinë mbi 10 mijë lekë në muaj. Lekët e ‘KEMP’-it i kaloj për kredi. Kur isha në burg, ilaçet i merrja nga shtëpia, se në burg merrja vetëm paracetamol. Kam qenë me tension të lartë”, thotë Eqerem Aliu, ndërsa ka vetëm një kërkesë: pafajësinë! Asnjë gjë tjetër.
Duket se të gjithë kryefamiljarët (12 familje) në fshatin Pagri kanë qenë persona nën hetim, të arrestuar, në kërkim, apo edhe dëshmitarë. Një tjetër banor thotë se ka pasur edhe ai pjesë të magazinës.
“Nuk u arrestova se nuk kishte drogë te magazina ime. S’e di nga erdhi droga. Unë kisha parë makina, rruga kishte makina plot. Në fshatin tonë nuk kishte asnjë rrënjë, morën në burg bashkëfshatarët e mi. Unë u pyeta edhe te Krimet e Rënda. U thashë që të na burgosnin të gjithë burrat e fshatit”, përfundon banori.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/