Mbledhja e dy qeverive Shqipëri – Kosovë, Rama flet për objektivat e...

Mbledhja e dy qeverive Shqipëri – Kosovë, Rama flet për objektivat e përbashkëta, por Haradinaj kërkon…

213
0
Shares

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se mbledhja e përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës do të prodhojë rezultate konkrete. Rama ka vënë theksin në rritjen e bilancit tregtar mes dy vendeve, ndërsa përgëzoi homologun e tij, Ramush Haradinaj, për reformat e ndërmarra. Rama njoftoi hapjen e një zyre operacionale për Kosovën në portin e Durrësit, sikundër bëri të ditur se ministritë kanë grupe të përbashkëta pune me Kosovën. Sipas tij, objektiv është harmonizim i marrëdhënieve në funksion të integrimit në Bashkimin Europian.
Rama dhe Harandiaj deklaruan se do të ketë një unifikim të doganave mes dy vendeve, ndërsa do të firmosen 12 marrëveshje mes dy shteteve për të rritur bashkëpunimin ekonomik dhe politik.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e cilësoi luftën ndaj korrupsionit si sfidën kryesore, ndërsa kërkoi nga Serbia njohjen e pavarësisë në fund të bisedimeve.
Në vijim ai shprehu vendosmërinë për dialogun me Serbinë, duke theksuar se në momentet finale dhe epilogu duhet të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia. Ai gjithashtu përsëriti kërkesën që në procesin e dialogut të marrë pjesë edhe SHBA.
Mbledhja e përbashkët mes dy qeverive po mbahet në qytetin e Korçës, ndërsa në të është parashikuar nënshkrimi i disa marrëveshjeve të përbashkëta.
Në kuadër të kësaj mbledhjeje, dy qeveritë do të firmosin një memorandum bashkëpunimi mes Ministrive të Mjedisit, për Mbrojtjen dhe Zhvillimin e Mjedisit, një tjetër memorandum për bashkëpunimin në fushën e kulturës, marrëveshje dhe memorandume për bashkëpunimin për diasporën dhe një protokoll teknik mes dy Ministrive të Bujqësisë për njohjen bilaterale të certifikatave veterinare për produktet shtazore mes dy vendeve.
Gjithashtu, do të firmoset një memorandum mirëkuptimi mes agjencisë AIDA dhe homologes kosovare KIESA, për nxitjen e investimeve, një memorandum mirëkuptimi në fushën e energjisë elektrike mes dy Ministrive të Energjetikës, marrëveshje për njohjen e kontributeve shoqërore dhe marrëveshje bashkëpunimi mes Ministrive të Jashtme, në kuadër të integrimit evropian.
Ndërkohë, nesër të dy kabinetet do të zhvendosen në Vlorë, ku do të marrin pjesë edhe në festimet e 105-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Po në Vlorë, në Shtëpinë Muze do të zhvillohet një aktivitet i përbashkët, ku do të shpallet dhe logo zyrtare e Vitit Mbarëkombëtar te Skënderbeut.
Mbledhja e dy qeverive shqiptare shënon dhe hapjen zyrtare të Vitit të Skënderbeut me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar. Kjo është mbledhja e katërt e dy qeverive.
Mbledhja e parë u zhvillua në Prizren më 11 janar 2014, në kohën kur kryeministër i Kosovës ishte Hashim Thaçi. Mbledhja e dytë e përbashkët u zhvillua më 23 mars 2015, këtë herë në Tiranë, ku qeveria e Kosovës u prezantua me kryeministrin Isa Mustafa. Më 3 qershor 2016 dy qeveritë u mblodhën përsëri, për të tretën herë, këtë radhë në Prishtinë dhe sot mblidhen në Korçë, ku kësaj here kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka në krah homologun Ramush Haradinaj.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY