Statuti i ri i PD-së, ja propozimi për zgjedhjen e kryetarit dhe...

Statuti i ri i PD-së, ja propozimi për zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë

191
0
Shares

Një dokument për ndryshimet në statut është përgatitur nga grupi i mendimit ndryshe në Partinë Demokratike, ndërsa Syri.net ka publikuar 15 pikat të cilat propozohen. Më poshtë keni edhe përmbledhjen e propozimeve për ndryshimet statutore të Partisë Demokratike.
1. Ndryshimet Statutore të Partisë Demokratike kanë për qëllim demokratizimin, bashkimin dhe ringritjen e Partisë mbi baza të forta institucionale ku Statuti i Partisë, pra Kushtetuta e saj bëhet dokumenti më i rëndësishëm i kësaj force politike dhe ku askush nuk mund të dalë mbi ligjin (në këtë rast Statutin e Partisë) dhe çdo vendimmarrje merret në përputhje me këtë statut. Shkelja e Statuti nga çdo nivel i Partisë apo anëtar i saj ka penalitete që parashikohen në këto ndryshime statutore.
2. Si një Parti e djathtë ku barazia para ligjit është në themel të parimeve të Partisë, ndryshimet statutore të propozuara janë një gur themel për ringritjen, bashkimin dhe mirë funksionalizimin e Partisë. Ndryshimet Statutore që propozohen përbëjnë një nga sistemet më eficiente të funksionalizimit të Partive të bazuara në liberalizmin klasik, por edhe mund të shërbejnë si një pikënisje e mirë për demokratizmin e të gjithë partive politike në vend, pasi vlera e tyre është demokracia e brendshme, zbatimi me rreptësi i statutit dhe liria e çdo anëtari.
3. Ndryshimet Statutore të cilat janë bazuar në shembujt më të mirë të CDU-së Gjermane, Konservatorëve Anglezë, Republikanëve Amerikanë si dhe Statutin e Partisë Demokratike të vitit 2005 dhe 2009, krijojnë një sistem “Check and Balance” në Parti duke i dhënë fuqinë e duhur çdo forumi të Partisë dhe ku baza e të gjithë aksionit politik në Partinë tonë mbetet liria dhe vota e lirë dhe e pacenuar e çdo anëtari. Çdo Anëtar i Partisë Demokratike pavarësisht funksionit që mban në Parti është një anëtar me të drejta të barabarta i Partisë dhe vota e tij/e saj është e barabartë.
4. Në të përgjithshmen e saj, këto ndryshime statutore synojnë ta kthejnë Partinë Demokratike në institucionin politik demokratik në vend duke bërë ndarjen e pushteteve brenda strukturës partiake. Në këtë strukturë të re të propozuar propozohet të ketë tre pushtete, a) Legjislativ i përbërë nga dy dhoma Kuvendin Kombëtar dhe Këshillin Kombëtar; b) Ekzekutiv i përbërë nga Kryesia e Partisë; c) organet e pavarura që mbikëqyrin veprimtarinë e Partisë në përputhje me Statutin e saj dhe Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
5. Të tre pushtetet zgjidhen nga anëtarët e PD-së me votë të fshehtë dhe me konkurrencë të plotë, duke u bazuar në parimin bazë të së djathtës “meritokracinë” dhe qarkullimin e elitave brenda strukturave të partisë duke ruajtur traditën dhe duke u reformuar mbi bazën e saj. Kuvendi Kombëtar dhe Këshilli Kombëtar propozohen të kenë nën drejtimin e tyre një Kryetar të propozuar dhe të zgjedhur me votat e anëtarëve të secilit institucion, pozicione këto që krijojnë edhe pavarësinë e pushteteve brenda partisë dhe në procesin e vendimmarrjes.
6. Organi më i lartë politik i Partisë Demokratike sugjerohet të jetë Këshilli Kombëtar i cili do të ketë, një kryetar dhe 2 Nënkryetarë njëri prej të cilëve të jetë propozim i Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe një nënkryetar nga Lidhja Demokratike e Gruas.
7. Vendimmarrja për sa i përket strukturave të Partisë Demokratike, listës së kandidatëve në nivel lokal dhe nivel qëndror si dhe kandidaturave për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare nisin nga baza, aktivi i grupseksioneve dhe përzgjedhja bëhet në bazë të intervistave të kandidatëve nga Bordi Koordinues i Qarkut dhe më pas kalon për vendim pranë Komitetit të Kandidaturave, një strukturë e re e përhershme e ngritur pranë Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Vendimi përfundimtar për listat finale të kandidatëve të PD-së merret me votim nga Këshilli Kombëtar dhe 30 ditë para përfundimit të afatit për dorëzimin e listave pranë KQZ-së.
8. Çdo vendim politik, strategji politike apo vendimmarrje për interesa të partisë dhe të vendit merret vetëm nga Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike i cili do të mblidhet jo më pak se katër herë në vit.
9. Këshilli Kombëtar i cili do të jetë organi më i lartë vendimmarrës i Partisë Demokratike propozohet të ketë 120 anëtarë, ku 90 prej tyre do të jenë të zgjedhur me propozime të drejtpërdrejta dhe votim të fshehtë nga Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike.
10. Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike propozohet të ketë jo më shumë se 1100 anëtarë të zgjedhur nga anëtarësia e partisë dhe të zgjedhë një Kryetarë të Kuvendit i cili/e cila të jetë një personalitet me përvojë në Partinë Demokratike.
11. Kryesia e Partisë Demokratike do të jetë organi ekzekutiv i PD-së ku në përbërje të tij do të ketë 25 anëtarë dhe 15 prej tyre do të zgjidhen me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar i PD-së.
12. Kryetari i Partisë Demokratike është përfaqësuesi politik i Partisë Demokratike, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm është organi më i lartë organizativo-administrativ i PDSH-së.
13. E veçanta e këtyre propozimeve janë edhe ngritja e organeve të pavarura të Partisë siç është edhe Komisioni Qendror i Apelimit të Partisë Demokratike (ose Gjykata e Partisë), një strukturë e pavarur e PD-së, funksionale dhe me mandat 4 vjeçar, e zgjedhur me votim të fshehtë nga Kuvendi Kombëtar ku në përbërje të tij do të ketë 5 anëtarë të Këshillit Kombëtar dhe Kryetar i saj do të jetë një jurist me përvojë anëtar i partisë (ex officio). Çdo anëtar partie do të ketë të drejtën e apelimit të vendimeve të partisë pranë Komitetit të Apelimit dhe vendimet e tij do të jenë finale dhe të padiskutueshme.
14. Komisioni i Anëtarësisë dhe i Zgjedhjeve në Parti do të jetë një organ tjetër i pavarur, me mandat katër vjeçar dhe i zgjedhur nga Këshilli Kombëtar në përbërje të të cilit do të zgjidhen 7 anëtarë të Këshillit Kombëtar, i cili do të mbikëqyrë zgjedhjet në parti si dhe listën e anëtarësisë së Partisë.
15. Bordi Financiar i Partisë do jetë gjithashtu një organi i pavarur i Partisë i cili do të zgjidhet me votim të fshehtë nga Kuvendi Kombëtar i Partisë dhe do të auditojë/inspektojë gjithë financat e partisë në çdo nivel dhe do të raportojë pranë Kuvendit Kombëtar. /Syri.net/

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY