Nis kriza, mbyllen 30 Call Center të vogla: Ja pse falimentuam

Nis kriza, mbyllen 30 Call Center të vogla: Ja pse falimentuam

131
0
Shares

Janë të paktën 30 subjekte call center, që operonin në sektorin e telemarketingut, që kanë mbyllur aktivitetin në vitin 2017. Kompaninë u identifikuan pasi “Monitor” i filtroi sipas emrave nga lista e subjekteve totale, që kishin kaluar në status pasiv në periudhën janar – 8 nëntor 2017 dhe i kontaktoi për t’i pyetur në lidhje me arsyet që kishin mbyllur aktivitetin.
Numri i kompanive Call Center që janë mbyllur nga fillimi i vitit deri më sot, sipas aktorëve të tregut është më i madh, por i vështirë për t’u identifikuar duke qenë se një pjesë e madhe e tyre janë biznese të vogla të regjistruar si Persona Fizikë.
H & L Communication u çel në fund të gushtit të vitit 2015. Sipas përshkrimit në ekstraktin e QKR, kompania do të shërbente në ofrimin e shërbimeve telefonike nëpërmjet telemarketingut. Subjekti ka kaluar në listën e bizneseve me status pasiv. Administratori i kësaj kompanie, me përvojë në këtë sektor, duke parë potencialin që kishte në Shqipëri ky sektor, mori në administrim tre qendra telefonike në qytetin e Tiranës. Aktualisht operon vetëm njëra prej tyre. Dy të tjerat, njëra prej të cilave punësonte rreth 110 persona, nuk arritën të mbijetonin në treg. Sipas administratorit, shkaqet ishin të shumta, por më kryesori ishte mungesa e fushatave nga shteti fqinj.
Kur u pyet për Call Center që kishte të hapur, ai u shpreh me pesimizëm për “Monitor”.
“Nëse situata vazhdon kështu, nuk do të jemi gjatë. Kam bërë investimin e jetës, kam kredi. Po më duket sikur po më marrin punën nga duart”, tha ai kur u pyet se si e shikonte situatën në vijimësi.
Edhe Universal Call, qendër telefonike, me zyra në Bulevardin Zogu I, është një ndër subjektet e reja të listës së bizneseve që kanë kaluar në status pasiv në Tatime. Erion Nushi, administrator i kompanisë, tregoi për “Monitor” se e mbylli biznesin pasi nuk ka më aktivitet. Universal Call u regjistrua si biznes në tetor të 2013-s. Sipas zotit Nushi, ecuria ishte shumë e mirë për rreth një vit e gjysmë, por më pas ata nuk arritën të lidhnin kontrata për të sjellë fushata marketingu nga kompanitë italiane të marketingut.
Edhe për Kejdi Xhemaj, administratori i një tjetër Call Center në listën e pasiveve, mungesa e kontratave me italianët u bë shkak falimentimi.
“Nuk po siguroja më kontrata, falimentuam pas një viti, – tha ai kur u pyet për shkaqet e mbylljes.
AID Communication ishte gjithashtu një nga qendrat telefonike që kaluan në statusin pasiv. Roland Ziu, administrator, tregoi se kompania e tij falimentoi, pasi nuk arriti më që të siguronte kontrata nga pala italiane.
Në mars të 2017-s, për të njëjtën arsye, listës për pezullim iu shtua dhe aktiviteti i zotit Niklovan Çela: Nuk siguruan dot më kontrata.
Apollonia Call, Victory Call Centre, Deta Calling, InterCall, CALL International Albania, Fercall, Ergocall, Quick Call Albania, CommerCall, Call Center Insieme, FKI Call, ALD Communications, International Communication janë disa nga operatorët e tjerë që kanë kaluar në status pasiv gjatë këtij viti, sipas listës së publikuar nga tatimet. Subjektet janë përgjithësisht të reja, të krijuara dy vitet e fundit, pasi aktiviteti i call center filloi të bëhej mjaft i përhapur në vend, duke shfrytëzuara koston e lirë të fuqisë punëtore dhe njohuritë e gjuhës italianë, çka bënte që kompanitë italiane të transferonin këtë shërbim në Shqipëri…Deri në momentin që qeveria italiane ndërhyri për të shpëtuar mbylljen e vendeve të punës, që po ikin nga Italia drejt Shqipërisë.
Në Itali, në datën 1 prill, hyri në fuqi ligji “Për delokalizimin” e call center, i cili shtrëngoi rregullat për zhvendosjen e aktivitetit nga Italia drejt shteteve joanëtare të BE-së dhe vendosi gjoba deri në 50 mijë euro për shkelje të tilla si p.sh mos tregimi i vendit të origjinës nga po kryhej telefonata. I miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, ligjit iu la një periudhë tranzitore për të hyrë në fuqi me qëllim që kompanitë të njiheshin me rregullat e reja, zbatimin e standardeve, raportimin e numrit të punonjësve, adresave të selive, mbrojtjes së të dhënave etj.
Nisma e Italisë për delokalizimin alarmoi kompanitë Call Center në Shqipëri, të cilat penalizoheshin për shkak se operonin në një vend që nuk është pjesë e Bashkimit Europian. Jo në pak raste u ngrit shqetësimi i falimentit dhe riskut të humbjes së mijëra vendeve të punës. Qeveria në atë kohë pati një reagim të zbehtë përmes një shkrese drejtuar palës italiane, por që nuk arriti të merrte ndonjë përgjigje pozitive.
Po në mars nga Italia erdhi goditja finale për call center. 13 kompani italiane firmosën një protokoll mirëkuptimi me kryeministrin italian, Paolo Gentiloni, dhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Carlo Calenda. Kjo marrëveshje parashikon që “95% e aktiviteteve që kryhen direkt të kalojnë në Itali brenda gjashtë muajve nga nënshkrimi dhe në kontratat e reja, të paktën 80% e vëllimeve outsourcing të kryhen në territorin italian”.
13 kompanitë më të mëdha që sillnin fushata marketingu në Shqipëri u angazhuan në këtë marrëveshje. Këto subjekte përbëjnë 65% të sektorit për sa i përket xhiros: Eni, Enel, Sky, Mediaset, Tim, Vodafone, Wind Tre, Fastweb, IntesaSanPaolo, Unicredit, Poste Italiane, Ntv, Trenitalia.

Presioni duket se po funksionon
Elvis Huqi, administrator i International Communication Group, tregoi për “Monitor” se shkak për mbylljen e aktivitetit ku punësonte më shumë se 50 persona u bënë gjobat e larta nga qeveria italiane. Ai tha se nuk mund të rrezikonte që të merrte gjobë në një shumë të tillë, kështu që e pa të udhës që të mbyllte aktivitetin. Para një presioni të tillë, tha Huqi, dhe të pambrojtur nga shteti, shumë u mbyllën, ndërsa të tjera u përfshinë në tregtimin e titujve.
Huqi tha se ishin të shumta kompanitë e vogla të cilat e kishin kaluar aktivitetin në Forex.
Për disa nga kompanitë, gjatë intervistave telefonike me kompanitë Call Center të cilat kishin kaluar në statusin pasiv, u përgjigjën zyrat e kontabilitetit. Sipas zyrave, një tjetër problem i kompanive ishte marrëdhënia me klientët italianë, të cilët në disa raste nuk paguanin faturat.
Edhe Maria Sepa, menaxhere rajonale për kompaninë italiane AZ Marketing, tha se të gjendura përballë mashtrimeve, kompanitë italiane kishin vendosur të mos likuidonin faturat për një pjesë të bizneseve.

Punë vetëm me Forex
Rruga Reshat Petrela, pranë ish-stacionit të Trenit në Tiranë, duket se është zona e preferuar e këtyre aktiviteteve. Vetëm në një nga godinat e kësaj rruge kryenin aktivitet nëntë qendra telefonike, prej të cilave vetëm tre operonin me fushata telemarketingu. Ndërsa gjashtë të tjerat punonin me Forex.
Sipas administratorit të H&L Communication, aktualisht të vetmet kompani që po kanë përfitime janë ato që po merren me bursat online.
“Tentova që dhe unë të fusja në një nga kompanitë e mia Forex-in, mirë po garancia e kërkuar ishte shumë e lartë. Më duheshin rreth 100 mijë euro për t’u bërë pjesë e këtij tregu”, – tha ai për “Monitor”.
Kompanitë që operojnë në Forex, të cilat kanë fitime shumë të larta, janë treguar hermetike ndaj medias për të folur rreth aktivitetit të tyre. Nga burime të “Monitor” të individëve që punojnë në këtë sektor rrëfyen se përpara se të fillonin punë në kompanitë Forex kanë firmosur kontrata, ku klauzolë e rëndësishme ka qenë ruajtja e sekretit brenda dyerve të këtyre kompanive.
Aktualisht sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare janë të licencuara vetëm tre agjentë burse, Eurotrade Securties, Prodata Securities dhe Smartcom sh.a.. Fusha e operimit e këtyre shoqërive është brokerimi në tituj për blerjen dhe shitjen e titujve me porosi të klientit në tregun e licencuar në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Megjithatë, sipas të burimeve të “Monitor”, numri i kompanive që operojnë të palicencuara përllogaritet që të jetë mbi 50.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bën thirrje për të bërë kujdes gjatë investimit në tregun e titujve dhe në faqen e saj zyrtare ka publikuar listën e shoqërive të licencuara.
Me qenë se numri i subjekteve të licencuara është i paktë, janë të shumta shoqëritë që ushtrojnë aktivitetin e tyre pa marrë një licencë dhe kjo çon në një konkurrencë të pandershme e të rrezikshme përmes ofrimit të normave të interesit të përfitimit që shkojnë përtej realitetit e mbi të gjitha mungesës së theksuar të transparencës. Ndonëse pjesa më e madhe e tyre nuk synojnë klientë në Shqipëri, ato gjithsesi nuk mund të lihen të veprojnë lirisht për një arsye shumë të thjeshtë: “Reputacioni i vendit rrezikohet seriozisht duke rrezikuar edhe zhvillimin e një tregu që mund të ofrojë mundësi të mëdha punësimi,-” tha Z.Alessandro Ungaro, drejtor ekzekutiv dhe anëtar bordi i Smartcom.

Forex “iu rrëmben” operatorët
Qendrat telefonike të telemarketingut që ende po rezistojnë në treg tregojnë se një tjetër vështirësi që po hasin kohët e fundit është mungesa e stafit të qëndrueshëm. Ata deklarojnë se e kanë shumë të vështirë që të gjejnë operatorë të cilët do të qëndrojnë për një kohë të gjatë në kompani. Sipas të dhënave që dhanë disa prej qendrave telefonike të pyetur nga “Monitor”, pagesa varionte nga 220 lekë/ora deri në 350 lekë/ora, ndërsa orari fleksibël.
Në përgjithësi, puna në këto qendra telefonike si operatorë, sipas të rinjve të punësuar në to, shihet me pak mundësi për t’u rritur profesionalisht dhe përgjithësisht e zgjedhin për të pasur disa para më shumë.
Megjithatë, sipas administratorëve të qendrave telefonike, arsye tjetër që po hasin vështirësi në gjetjen e operatorëve, janë edhe pagat më të larta që ofrojnë kompanitë që operojnë në Forex. Kompanitë Forex gjithashtu kanë ndërmarrë fushata agresive të rekrutimit të operatorëve, të cilët përveç reklamave në rrugë, kanë nxjerrë në disa prej pikave kryesore të Tiranës rekrutuese.
Kompanitë që operojnë në Forex kanë një pagë bazë të lartë, mesatarisht 50 mijë lekë të reja në muaj, si dhe përqindje të caktuar në varësi të shumës që investon klienti që ata telefonojnë.
Sipas të dhënave të INSTAT, numri i të punësuarve në këtë sektor përllogaritet të jetë rreth 25 mijë. Sipas të dhënave zyrtare, në total, në këtë sektor në Shqipëri ka rreth 800 kompani, me rreth 25 mijë të punësuar. Por, të dhënat e punëdhënësve më të mëdhenj tregojnë se janë 6-7 kompani kryesore, që kanë së bashku rreth 10 mijë të punësuar.

Konkurrenca nga vendet e tjera
Kapitali human janë njëkohësisht pika e fortë dhe e dobët e Shqipërisë në sektorin e Call Center në krahasim me vendet e tjera. Sipas Maria Sepe, menaxhere rajonale për Shqipërinë, të rinjtë në Shqipëri janë njohës shumë të mirë të gjuhës, por edhe energjikë në të njëjtën kohë, gjë që në vendet e tjera, si Rumania, nuk e gjen.
Sipas zonjës Sepe, po të punosh me të njëjtin numër operatorësh në Shqipëri dhe në Rumani, shqiptarët janë shumë herë më produktivë, por, problemi më i madh është se nuk janë të qëndrueshëm në një vend pune. Operatorët shqiptarë largohen për 10 lekë ora më shumë.
Së dyti, tjetër shqetësim që ajo shtron është edhe puna “jo e pastër”. Në ndryshim nga Shqipëria, në Rumani punohet me rregulla të qarta loje. Një pjesë e kompanive shqiptare punojnë me fushata për të cilat nuk kanë marrë autorizim nga agjencitë e marketingut në Itali.
Kompanitë italiane të marketingut, përveç Shqipërisë dhe Rumanisë, punojnë edhe me vendet e Afrikës Veriore, si Tunizia dhe Maroku, me të cilat konkurrojmë se cili vend do të marrë fushata nga kompanitë italiane. Në të gjitha këto vende, avantazh kryesor është kostoja e lirë e punës.

Dritë në horizont
Në pamundësi për t’u diversifikuar, kompanitë e telemarketingut po shpresojnë të operojnë në tregje të reja. Italia momentalisht është treg i ezauruar për ta dhe konkurrenca është e lartë, duke qenë se dhe kontrata nuk po sigurojnë më.
Tregu spanjoll është një ndër tregjet që ata e shikojnë me perspektivë. Maria Sepe, nga AZ Marketing, tregoi për “Monitor” se kanë arritur të sigurojnë fushata për energjinë dhe gazin me Spanjën dhe u shpreh optimiste.
Shqiptarët e njohin spanjishten falë telenovela dhe falë aftësisë së tyre për të përthithur gjuhët e huaja. Shpresojmë që sektori të ecë në këtë treg të ri, në të kundërt situata nuk do të jetë aspak e mirë.
Sipas zonjës Sepe, kompanitë e vogla serioze që operojnë në fushën telemarketingut duhet të krijojnë një shoqatë për t’u mbrojtur nga kompanitë që operojnë pa rregulla loje dhe mashtrojnë. Ajo tha për “Monitor” se amullia e shkaktuar prej një pjese, vuri në rrezik të gjitha kompanitë e sektorit.

Mashtrimet me fushatat, nami i keq i shqiptarëve
Maria Sepe u shpërngul nga Italia për në Shqipëri në vitin 2010. Me një përvojë të gjatë në sektorin e Call Center në Itali, ku e kishte nisur si një operatore e thjeshtë në një nga agjencitë më të mëdha të marketingut atje, Maria u emërua Menaxhere për Shqipërinë. Detyra e Marias ishte të vendoste kontaktet midis Call Center shqiptarë dhe kompanive italiane të marketingut, të cilat sillnin fushata për kompanitë që operonin në vend.
Sipas Marias, në fillim çdo gjë po shkonte mbarë. Ajo mbante kontakte me më shumë se 30 kompani shqiptare call center, të cilave iu sillte fushata të ndryshme. Tani Maria thotë se ka kontakte vetëm me 10 prej tyre. Arsyeja: Italianët nuk po sjellin më fushata në Shqipëri. Të paktën jo më për kompanitë e vogla shqiptare.
Maria tregon se kjo nisi para se shteti italian të miratonte ligjin dhe shumë më para se kompanitë e mëdha si ENEL, të firmosnin marrëveshje mirëkuptimi për të mos sjellë më kontrata në Shqipëri. Shkak, sipas saj, u bë fushata masive e Green Network Energy, ku një pjesë e kompanive të vogla shqiptare mashtronin me kontratat duke marrë të ardhura në avancë. Puna e operatorëve që punonin me fushatën e Green Network ishte të telefonin klientët potencialë italianë dhe të prezantonin ofertat e Green Network. Nëse klienti pranonte, lidhej kontrata. Në atë periudhë u çelën shumë kompani të vogla, të cilat deformuan tregun.
Kompanitë serioze me të cilat punoja unë, tha Maria, të cilat kishin një staf me afërsisht 100 operatorë, arrinin të bënin me vështirësi deri në 500 kontrata në një muaj, ndërsa kompani me vetëm 10 operatorë bënin 250 kontrata në ditë, merrnin paratë, mbylleshin dhe zhdukeshin.
Këto mashtrime në masë të kompanive të vogla krijuan një situatë mosbesimi te kompanitë italiane, të cilat filluan të mos pëlqenin që të punonin me kompanitë shqiptare. Monitor

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY