Fier, gardianët masakrojnë të burgosurin ngjarja mbahet e fshehtë

Fier, gardianët masakrojnë të burgosurin ngjarja mbahet e fshehtë

140
0
Shares
Burgu i Fierit

Një person i cili vuan dënimin në burgun e Fierit është dhunuar nga gardianët në institucionin e vuajtjes së dënimit, ndërkohë që ngjarja është mbajtur larg vëmendjes së medieve nga institucionet.
Është Komiteti Shqiptar i Helsinkit që bën publike ngjarje, pas shqetësimit të shprehur pranë KShH nga e ëma e të dënuarit me iniciale T. D.
Sipas paraqitjes së ngjarjes nga KShH, vihet re një tendencë e fshehjes së episodit nga institucioni i vuajtjes së dënimit.
Ndërkohë, Shërbimi i Kontrollit të Burgjeve ka nisur një hetim lidhur me ngjarjen.

Kontrolli në qeli
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) bën me dije se u njoftua nga e ëma e të dënuarit T. D., i cili është duke ekzekutuar dënimin në burgun (IEVP) e Fierit, se djali i saj është keqtrajtuar nga punonjësit e sigurisë në këtë institucion.
KShH e vlerësoi njoftimin e mësipërm dhe e verifikoi gjendjen në vend, më dt. 16. 11. 2017. Në përbërje të grupit të vëzhgimit të KShH-së ishte edhe një mjek ligjor.
Gjatë këtij verifikimi rezultoi se më dt. 14 Nëntor 2017, rreth orës 12:00, i dënuari ndodhej në ajrim së bashku me të burgosurin tjetër, me të cilën bashkëjeton në të njëjtën dhomë, në sektorin e observimit. Në këtë kohë, i dënuari është thirrur nga Grupi i Sigurisë për të ushtruar kontroll në dhomën e tij.

Dhuna
Kontrolli i mësipërm nuk zbuloi asnjë send të ndaluar. Për shkak të kontrollit ka nisur një konflikt që sipas të dënuarit vijoi me keqtrajtimin e tij, ndërsa sipas informacionit të institucionit ku pasqyrohen konkluzionet e kontrollit dhe Raporti i Shërbimit ndaj të dënuarit, rezulton se ai ka ofenduar një ndër specialistët e Grupit të Sigurisë.
I dënuari pretendon se pas konfliktit verbal, u mor nga Grupi i Sigurisë dhe u vendos në një nga dhomat e veçimit, ku është goditur në pjesë të ndryshme të trupit, shenjat e të cilave janë konstatuar edhe nga ekzaminimi i jashtëm i ekspertit të angazhuar të KShH-së (grupi monitorues).
Nga ky ekzaminim u konstatuan 5 dërmishtje nën nivelin e artikulacioneve të gishtërinjve të dorës së djathtë, një dërmishtje gjatësore në trajtë shiriti në pjesën e brendshme të kyçit të dorës së djathtë dhe ekimoza në pjesën e mesme të brendshme të parakrahut të majtë dhe të djathtë.
Në kofshën e djathtë, në nivelin e 1/3 të mesme u konstatua një zonë tjetër ekimotike, me përmasa më të mëdha.
Vlen të përmendet se mjeku i institucionit deklaron se nuk ka patur informacion për këtë ngjarje, ndërsa në Kartelën Klinike nr. 2053, më dt. 14.11.2017 (dita e ngjarjes) përmendet shkurtimisht se i dënuari është dërguar urgjentisht në Spitalin e qytetit të Fierit, me pretendimin e tij se ka gëlltitur disa copa qelqi të një ampule të thërrmuar të gjetur në tualetin e dhomës.
Nga verifikimi i kartelës nuk rezulton të ketë shënime lidhur me shenjat e verifikuara si më sipër, si nga mjeku i institucionit ashtu edhe nga eksperti mjeko-ligjor të dërguar për ekzaminim nga Shërbimi i Kontrollit të Burgjeve (ShKB).
Mos-paqyrimi në kartelë, i vizitës që është kryer nga eksperti mjeko-ligjor i ShKB-së, bie ndesh me detyrimin për dokumentimin e veprimit dhe gjendjes. KShH e konsideron pozitive reagimin e menjëhershëm të ShKB-së dhe kryerjen e veprimeve të para hetimore, në funksion të detyrës ligjore të policisë gjyqësore.

Rast i përsëritur
Pavarësisht këtij fakti, KShH reagon publikisht për këtë verifikim, sepse raste të tilla janë të përsëritura. Kështu psh., më dt. 30. 09. 2017 është keqtrajtuar i dënuari V. G., në burgun e Peqinit dhe kjo çështje është në hetim penal. KShH u bën thirrje organeve përkatëse dhe veçanërisht drejtuesve të burgjeve që të marrin masa parandaluese, përfshirë edhe rritjen e ndjenjës së sigurisë për të gjithë të paraburgosurit dhe të burgosurit në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.
Personeli i burgjeve ka detyrimin ligjor të denoncojë çdo akt dhune, edhe kur kjo dhunë është ushtruar nga kolegët e tyre. Moskallëzimi i krimit dënohet penalisht sipas Kodit Penal.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY