Nga Salianji që ‘do rrahur’ te Strazimiri gandist e Basha që shpërndan...

Nga Salianji që ‘do rrahur’ te Strazimiri gandist e Basha që shpërndan rreze xhentilese, trazimet e kësaj vjeshte të nëmur

142
0
Shares
Agron Gjekmarkaj

NGA AGRON GJEKMARKAJ
Dukej sikur kjo vjeshtë, veç Qeverise së re me Kryeministër të vjetër dhe televizor personal ERTV, nuk do të sillte ndonjë lajm mbi vendin tonë. Ne, qytetarët e tij të shtruar nga fati, përtypnim monotoni si dikur motit fara lule diellit, lëvozhgat e të cilave i pështynim mbi xhade plot këndellje rituale. Teksa pezullia e shtatorit po i ngurtësonte të gjithë në pozicionet e veta të triumfit dhe mërzisë, ia behu tetori si një shkundullimë xhindesh të uritur, duke trazuar kureshtitë tona si garuzhdja groshët në kazanat e ushtrisë. Dosja e rënduar nga përgjimet italiane, e cila përfshinte edhe ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, u bë nëna e të gjitha ngjarjeve. Ajo modifikoi të gjitha qëndrimet dhe pozicionet, si të maxhorancës ashtu dhe të opozitës. PD-së së Bashës i erdhi përshtat dy herë, sidomos për trazimet e brendshme. Tani vallja kërcehet sipas asaj qemane, me apo pa çitjane. Çdo gjë që ndodhi paskëtaj, dorëheqja misterioze e kryetarit të SHISH-it, ngjarjet artificiale në Himarë, zhurma në KQZ për aplikimin e ligjit të dekriminalizimit ndaj kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës, e shoqëruar me kërcënimin e Ramës për shkarkimin e tij, si dhe vënia në diskutim e mandatit të kreut të KQZ-së Klement Zguri, arrestimi i një gjyqtari shfaqen mundimshëm si përpjekje për të zënë vëmendjen ndaj skandalit që gozhdoi opinionin publik, i cili për hir të së vërtetës ka një raport shumë të mirë me harresën dhe karremin. Ligji i dekriminalizimit ishte një nga sukseset më të mëdha që opozita e viteve 2013-2017 arriti. Ajo sot, për besueshmërinë e vet të dëmtuar nga shumë fenomene, e ka të domosdoshme t’i mbetet luajale këtij ligji, përtej faktit pse Edi Rama e thërret atë në kauzë tani, pa sakrifikuar kot askënd. Nëse dje ia kërkonin me epsh Edi Ramës zbatimin e tij, edhe ai ka të drejtë t’ua kërkojë me të njëjtën ndezulli sa herë t’i teket, nëse e vërteta e ndihmon. Kjo sasi e madhe bëmash vetëm në pak ditë e ka çuar në kupë të qiellit adrenalinën e debatit politik. Kërcasin fjalët si topat në gjoksin e Mic Sokolit! Aman hatri i Zotit! Një varg i Fishtës do na vinte në ndihmë si përkufizim “tjeglla, qepra krahë e krena kcejnë përpjetë mbi bedena”! Ndërmjet Salianjit, deputetit të ri të PD-së, i cili si qengji i Naim Frashërit ecën përpara edhe në ia prefshin rrugën njëzet a tridhjetë vetë, zu fill një shamatë epike me kolegun e tij të majtë, Ndreu, se ky i paskësh thënë “ti do rrahur”, duke shprehur kështu një dëshirë të qortueshme. Më shumë sesa te Rregullorja e Kuvendit, zgjidhja mund të gjendet te një poezi, e cila pak a shumë lëshon këtë kumt që vë melhem mbi plagët e fanitura: Një djalë papritmas puth një vajzë. Ajo skuqet dhe bën si e zemëruar, djali tolerant i thotë, u fyeve?… Më fyej edhe ti, merrma hakun, më puth! Ndaj, në mbledhjen më të afërt Ndreu mund t’i thotë Salianjit më kërcëno dhe ti me një të rrahur virtuale. Meseleja mbyllet në barazim, teksa buzagazi bie në komision me përultësi muzgu. Kështu PD-së i mbetet më nge për gjëra serioze. Deputeti i Korçës e kishte shumë të mirë batutën me palikarin, le t’i gëzohet asaj për disa ditë, ç’i hyn kot viktimizimit. Kauzat heroike në PD i ka shteruar Strazimirim duke rënë theror disa herë për vatanin me përvujtni qytetare përballë nevrikosjes së pushtetit. Për nder të vuajtjeve të tij, ligji i dekriminalizimit do duhej të merrte emrin ligji “Strazimiri”. Tani edhe ai ka qasje më gandiste e intelektuale ndaj politikës dhe jetës në përgjithë- si e për këtë zë vend nderi në krahun e djathtë të shefit të PD-së, tanimë si ideolog hijerëndë ku urtia, enciklopedizmi dhe përvoja politike ndërthuren në tekste e gjeste retorike mbresëlënëse. Muaji nëntor na i zë disa ditë me panairin e librit. Një event ky që meriton vemëndje e respekt, duke ditur bezditë dhe teshtimat që krijon shkrimi dhe leximi sokaqeve tona. Boll po robtohet Ministria e Kulturës ta nxisë miletin, ta edukojë në lexime kolektive, por nuk gjen partneritet. Njerëzia kërkon punë e bukë dhe pastaj ndriçim mendor. Nuk po ia gjejnë dermanin për ta rilindur leximin. Krah për krahu me këtë event ecën bezdia që të japin do shkrimtarë, të cilët duan me çdo kusht veç t’u thuash fjalë të ëmbla sherbet për librat e tyre pocaqi, pasazhe të të cilëve t’i lexojnë në fytyrë plot zulmë me sytë e përlotur nga mendimi që kanë për vete. Pak ditë më parë, në ag të panairit, doli në qarkullim “Sekretet e Luftës”, me autor Erald Kaprin, një libër ky që e meriton harxhimin e kohës për sasinë e madhe të informacionit që sjell mbi Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri dhe vitet e para pas saj, fryt i kërkimit në arkiva, kryesisht britanike e jo vetëm, duke e interpretuar historinë nëpërmjet dokumentit dhe jo pasionit ideologjik. Kapri, në mënyrën e tij, na thotë që historinë e bëjnë faktet dhe vetëm përkohësisht fitmtarët. “Sekretet” e asaj luftë e rëndojnë në mënyrë shpesh kriminale gjykimin tonë mbi personalitete dhe ngjarje të botës shqiptare të asaj kohe. Një sërë risish rikonceptojnë informacionin tonë të deritanishëm. Puna e Kaprit është një investim aspak modest për kujtesën tonë historike dhe ndihmë jo e vogël për ndershmërinë e gjykimit mbi ato çështje. Këtë ngjarje të rëndësishme profesionale të jetës së tij, Erald Kapri e shuguroi edhe me një promovim klasik, në të cilin merrnin pjesë shumë dashës të autorit dhe një pjesë e yndyrës së PD-së. Kapri ende s’e ka kuptuar që me lexime nuk i hyn në sy drejtuesit të saj aktual. Tre miq të mitë në tavolinë, brenda ambientit ku bëhej prezantimi, Edi Lesi, ish-ministri teknik Gazmend Bardhi dhe inxhinieri zemërmirë Bernard Banushi tundnin kokën përzishëm në pritje të gotës së verës, teksa dëgjonin një folës që rrëfente çfarë gjëmash i paskësh punuar historisë bollshevizma, kur befas u ra një si bekim apostolik shoqëruar me një heshtje të qashtër. Te tavolina ia behu Lulzim Basha mbështjellë me buzëqeshje. Ai shpërndau anembanë mirësi, shpresë, pafajësi, besim, shtrëngime duarsh dhe ehuha sa virtyte të tjera në një çast të vetëm. Disa rreze ranë edhe mbi mua të ngratin. Xhentilesa e Bashës nuk meriton vërejtje. Fatos Lubonja, para ca ditësh bëri një shkrim ku tha se si ndreqen këto punët shqiptare kaq keq të ngatërruara, opinioni publik, media, shoqëria dhe politika, por nuk na e shkoqiti nëse gjithësa kryhej në një plan pesëvjeçar apo duheshin nja dy a tre të tillë! Tre shqiptarë, Rita Ora, Dua Lipa dhe Ermal Meta, morën tri çmime të rëndë- sishme ndërkombëtare në muzikë. Po të varej gjithësa nga ndonjë juri kombëtare në Tiranë apo Prishtinë, si zor se do t’i njihte kush sot, pos farefisit dhe miqve. Pas kësaj shpërblese ndërkombëtare, nuk është çudi që Kryeministri t’i ftojë në atdhe dhe t’u japë mundësinë për të kënduar live në ERTV, kështu krijon një tjetër lajm dhe ata e kanë në CV. Jakë-jakë edhe nëntori po gremiset dhe kjo vjeshtë e nëmur po ia lë vendin një dimri që nuk i mpin as i ngrin akull skandalet e keqqeverisjes, korrupsionit dhe banalitetit, të cilat kanë gjetur këtu tokën e premtuar në çdo stinë dhe punëtorët e palodhur, të cilët veç shtohen si mizat në meze. /Panorama/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY