RAPORTI/ KLSH: Dëmet në buxhet 820 milionë euro, u dyfishuan në raport...

RAPORTI/ KLSH: Dëmet në buxhet 820 milionë euro, u dyfishuan në raport me vitin 2015

155
0
Shares
Në total, KLSH evidenton se efektet negative në Buxhetin e Shtetit për vitin 2016 llogariten në vlerën 109,546 milionë (109.5 miliardë) lekë ose 820 milionë euro. Në krahasim me vitin 2015, kjo shifër është rreth 53.3 miliardë lekë, ose 400 milionë euro më e lartë. Nga auditimet në zbatim të Buxhetit 2016, KLSH ka konstatuar shkelje të ligjshmërisë financiare konsideruar si dëme ekonomike për buxhetin e shtetit në vlerën 19.9 miliardë lekë ose 149 milionë euro. Në krahasim me vitin 2015, kjo shifër është rreth 5 miliardë lekë, ose 37.5 milionë euro, më e lartë,

Më datë 31 tetor, Kontrolli i Lartë i Shtetit prezantoi në Komisionin e Ekonomisë së Kuvendit dhe përpara qytetarëve Raportin e tij për zbatimin e Buxhetit të Shtetit të vitit 2016. Është viti i shtatë radhazi që ky institucion synon të përçojë te ligjvënësit dhe tek opinioni publik problemet reale të ecurisë së programeve qeveritare gjatë një viti financiar. Edhe pse vëmendja e opinionit publik është përqendruar sot në tensionet politike të vendit, këmbanat që u bie fort KLSH për ecurinë e parave të të gjithëve janë me rëndësi për t’u dëgjuar dhe për t’u kuptuar.

Hendeku në programimin buxhetor afatmesëm
Sipas KLSH, programimi i të ardhurave dhe parashikimi i treguesve ekonomikë mbeten pika më e dobët e Qeverisë në menaxhimin e financave publike, duke ndikuar edhe në rishikimin e nivelit të shpenzimeve. Duke iu përshtatur ndryshimeve të nevojshme buxhetore, kuadri makroekonomik dhe ai fiskal e humbasin rolin e të qenët mjete strategjike dhe pika reference për Programimin Buxhetor Afatmesëm dhe vjetor.
Raporti i KLSH-së evidenton në mënyrë të detajuar se Programi Buxhetor Afatmesëm plotësohet në mënyrë formale, duke venë në dyshim standardet dhe saktësinë e programimit të produkteve. Me këtë mënyrë të vepruari, Programimi Buxhetor Afatmesëm nuk mund të realizojë qëllimin e tij, inkurajimin e efektivitetit, eficiencës dhe ekonomicitetit në kryerjen e shpenzimeve publike, lidhjen e drejtpërdrejtë ndërmjet prioriteteve strategjiko-politike të qeverisë me shpërndarjen e burimeve publike dhe në kryerjen e shpenzimeve publike, si dhe promovimin e disiplinës fiskale.
Programi buxhetor vijoi të preket nga ndryshimet e buxhetit me Akte Normative, praktikë që gjatë viteve të fundit është konsoliduar, duke cenuar kredibilitetin e Buxhetit të Shtetit. Rishikimi i treguesve të parashikuar me Ligjin nr. 147/2015 “Për buxhetin e vitit 2016”, me dy akte normative, është fakt që tregon se zërat e shpenzimeve dhe të të ardhurave janë programuar mbi baza jorealiste, për të mos thënë tejet optimiste për të ardhurat, e shoqëruar kjo me një proces jo të kujdesshëm dhe të pamonitoruar siç duhet nga strukturat respektive në qendër dhe në bazë. Akti i fundit normativ lidhur me buxhetin është propozuar nga qeveria në ditët e fundit të muajit dhjetor 2016 (miratuar nga Kuvendi në janar 2017).
KLSH konstaton se, ndryshe nga sa Qeveria është angazhuar në Strategjinë për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020, parashikimet tejet optimiste mbi të ardhurat dhe PBB-në kanë vazhduar të ndikojnë ndjeshëm proceset e buxhetimit dhe planifikimit gjatë vitit 2016. Institucioni vlerëson se përmbushja e synimeve të Strategjisë kërkon angazhim gjithëpërfshirës dhe nuk është përgjegjësi vetëm e ministrit dhe e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, të cilët koordinojnë këtë proces, por edhe e Ministrave dhe ministrive të tjera të linjës dhe e institucioneve të pavarura.
Për të plotësuar hendekun në programimin buxhetor, KLSH ka rekomanduar krijimin e menjëhershëm të Këshillit Fiskal , si një autoritet i cili duhet të mbikëqyrë përputhshmërinë me rregullat fiskale, monitorojë konsolidimin fiskal, përfshirë saktësinë e parashikimeve makroekonomike, cilësinë e planifikimit buxhetor afatmesëm, si dhe të japë rekomandime që lidhen me qëndrueshmërinë fiskale dhe makroekonomike.
Përzgjedhja e këtij Këshilli duhet t’i largohet praktikave formale të konstatuara gjatë formimit të bordeve të ngjashme, ndërkohë që KLSH kërkon që kriteret e përzgjedhjes së personave duhet të jenë të larta, referuar kapacitetit profesional dhe integritetit personal, ku kusht me rëndësi është përvoja e konsoliduar në menaxhimin e financave publike. Institucioni rekomandon që Ministria e Financave dhe Ekonomisë, së bashku me dokumentet e buxhetimit afatmesëm, të publikojë edhe analiza sasiore dhe faktoriale, për ndikimet që kanë shkaktuar ndryshimet mes parashikimeve. Një Program Buxhetor Afatmesëm i hartuar saktë nga institucionet buxhetore do të sjellë jo vetëm konsolidimin e procesit buxhetor afatmesëm, por gjithashtu do të disiplinojë edhe parashikimin e detyrimeve kontraktuale me efekt financiar përtej vitit buxhetor. Në terma vjetorë, duhen publikuar shpjegimet dhe shkaqet e ndryshimeve në planifikim, me qëllim rritjen e cilësisë së parashikimit dhe shmangien e gabimeve. Kjo do të sjellë hartimin e buxheteve kredibël.

Gremina e borxhit tatimor
Strategjia për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020 cilëson se do të vazhdojnë përpjekjet për të forcuar menaxhimin e të ardhurave, duke rishikuar politikën e taksave dhe duke reformuar administratat tatimore dhe doganore, për të rritur eficiencën e tyre në mbledhjen e të ardhurave dhe për të zvogëluar hendekun tatimor. Në të, qeveria është angazhuar që të përmirësojë menaxhimin e borxhit tatimor dhe doganor.
Në lidhje me këtë angazhim, KLSH ka konstatuar se të ardhurat e munguara në buxhetin e shtetit si rezultat i rritjes së detyrimeve që subjektet kanë për t’i paguar administratës tatimore dhe doganore është një nga faktor i rëndësishëm që ka ndikuar në performancën fiskale të vitit raportues.
Përveç rritjes së Borxhit Tatimor dhe Doganor në vlerë nominale me 41.1% në krahasim me 2015, rezulton se pesha e këtij borxhi si përqindje ndaj PBB-së, nga 8.5% e PBB-së në fund të 2015 ka arritur në 11.7% e PBB-së në fund të 2016. KLSH shprehet, me shqetësim, se stoku i borxhit tatimor është i përqendruar, ku 1.4% e numrit total të subjekteve zënë 77% të stokut të borxhit. Në fund të vitit 2016, detyrimet tatimore të subjekteve buxhetore dhe enteve publike zënë 17% të totalit të stokut të borxhit.
Nga auditimi i Borxhit Tatimor dhe analiza e të dhënave rezultoi se kemi një rritje me shifra alarmante të këtij borxhi për vitin 2016 (përfshi këtu dhe borxhin e raportuar nga DPT në lidhje me sigurimet shoqërore në vlerë 14.1 miliardë lekë), i cili në fund të vitit arriti në masën 147 miliardë lekë. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, gjatë vitit 2016 vlera e borxhit është rritur për shumën 46.7 miliardë lekë ose 46.5% të gjendjes së borxhit në fillim të vitit 2016. Ndërkohë që numri i subjekteve debitorë në fund të vitit 2016 është 146,650, me një rritje prej 63,366 subjektesh në krahasim me një vit më parë.
Në ndarjen e stokut të borxhit sipas madhësisë, në fund të vitit 2016 subjektet me borxh më të madh se 5 milionë lekë (2,067 subjekte ose 1.4% e numrit total të subjekteve) zënë 77% të stokut të borxhit ose 113.8 miliardë lekë në total. Në fund të vitit 2016, detyrimet e subjekteve buxhetore dhe enteve publike zënë 17% të totalit të stokut të borxhit. Borxhi Doganor dhe borxhi i akcizës gjatë vitit 2016 rezulton me një ulje të lehtë të numrit të rasteve (94 raste më pak), por me një rritje të vlerës së borxhit të përgjithshëm me 3,3 miliardë lekë ose 15.5%.
Rritja e detyrimeve ndaj tatimeve dhe doganave (borxhi tatimor dhe doganor) si dhe skemës së sigurimeve shoqërore për vitin 2016 është në vlerë 52.2 miliardë lekë ose 383 milionë euro dhe përbën mungesë direkte të ardhurash për buxhetin e shtetit. Në vitin 2015, rritja e këtij borxhi ka qenë në vlerë 21.4 miliardë lekë.
Shpenzimet buxhetore për vitin 2016 janë realizuar më pak se viti 2015 me 3.6 miliardë lekë, ose 95.7% krahasuar me planifikimin fillestar. Impaktin më të madh në këtë rënie e ka mosrealizimi i shpenzimeve për interesa si dhe shpenzimet për buxhetin vendor. Mosrealizimi i të ardhurave, në kushtet e treguesve makroekonomikë, ka ndikuar në nënrealizimin e planit të shpenzimeve për vitin 2016.
Në lidhje me shpenzimet e buxhetit të pushtetit vendor, KLSH sjell në vëmendje se mungesa e performancës në mbledhjen e të ardhurave si dhe mosefektiviteti i kontrollit të angazhimeve të shpenzimeve, ka bërë që institucionet buxhetore të gjenerojnë detyrime të prapambetura për kontratat e lidhura (detyrime për të cilat nuk ka një shifër të saktë,) faktorë të cilët përbëjnë rrezik për disiplinën fiskale. Asnjë nga bashkitë nuk ka një strategji fiskale afatmesme në lidhje me kontraktimin dhe ripagimin e huave për zhvillimin e infrastrukturës, zgjerimin e të ardhurave, si dhe likuidimin e detyrimeve të prapambetura ekzistuese të shpenzimeve.
Si pasojë e keqpërdorimit të fondeve në vitet e kaluara dhe përdorimit të buxhetit të këtij viti në shlyerjen e investimeve të periudhave të mëparshme, këtë vit sipas raportimeve të Ministrisë së Financave, janë krijuar detyrime të reja të prapambetura në shumën rreth 1.8 miliardë lekë ose mbi 13.5 milionë euro.
Në total, efektet negative në buxhetin e vitit 2016 llogariten në vlerën 109.5 miliardë lekë ose 820 milionë euro. Në krahasim me vitin 2015, kjo shifër është rreth 53.3 miliardë lekë, ose 400 milionë euro, më e lartë.
Nga auditimet në zbatim të buxhetit 2016, KLSH ka konstatuar shkelje të ligjshmërisë financiare konsideruar si dëme ekonomike për buxhetin e shtetit në vlerën 19.9 miliardë lekë ose 149 milionë euro. Në krahasim me vitin 2015, kjo shifër është rreth 5 miliardë lekë, ose 37.5 milionë euro, më e lartë.
Dëmet më të mëdha janë evidentuar në Albpetrol Sh.A. me 9.1 miliardë lekë, OSHEE me 4.9 miliardë lekë, projektet e “ndërtimit të aksit Tiranë – Elbasan” dhe “ndërtimit të by-pass-it Fier – Vlorë” në vlerë 2.2 miliardë lekë, dhe Sistemin Doganor në vlerë 1.4 miliardë lekë.

Borxhi publik dhe shërbimi i tij
Borxhi Publik për vitin 2016 rezultoi në vlerën 1.07 triliardë lekë me një rritje nga niveli prej 1.04 triliardë lekë i realizuar për vitin 2015. Vlera relative e borxhit publik e raportuar është 71.01% e PBB-së.
KLSH gjykon se kjo mënyrë vlerësimi nuk është bazuar në vlerën më të fundit të PBB-së të raportuar në World Economic Outlook (Perspektiva Ekonomike Botërore), sikurse është përcaktuar në ligjin “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në RSH”. Bazuar në këtë metodologji, stoku i borxhit në fund të vitit 2016 rezulton 72.4% e PBB-së .
KLSH vlerëson se niveli i borxhit publik (si % kundrejt PBB) nuk tenton drejt parametrave të synuar, pasi për vitin 2015, niveli i borxhit publik është rritur në nivelin 72.71% (ose më saktë 73.06%), kurse për vitin 2016, niveli i borxhit publik ka arritur në 71.01% (ose më saktë 72.4%) dhe është larg përmbushjes së synimit të vendosur në Strategjinë për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020, për një nivel borxhi në fund të vitit 2017 në 65.5% të PBB-së dhe larg objektivit prej 60% të PBB-së, që KLSH ka rekomanduar në pesë vite rresht, si nivel në të cilin duhet të luhatet Borxhi Publik. KLSH, në Raportin e tij për zbatimin e buxhetit 2016, rithekson se Qeveria duhet të angazhohet maksimalisht që të përmbushë objektivin e vendosur në këtë Strategji për ta ulur borxhin publik nën 60% të PBB-së brenda një periudhe afatmesme.
Institucioni konstaton se borxhi i brendshëm përbën 52.7% dhe borxhi i jashtëm zë 47.3% të stokut të borxhit në fund të vitit 2016. Borxhi i brendshëm rezultoi me një rritje me 1.73%, ndërsa ai i jashtëm rezultoi me një rritje me 2.7%. Duke qenë borxhi publik një tregues i rëndësishëm dhe me peshë në qëndrueshmërinë e financave publike dhe projeksionet ekonomike të së ardhmes, KLSH sjell në vëmendje ekspozimin ndaj risqeve që krijon niveli i rritur i borxhit të jashtëm. Monitor

——————

[1] Rekomandim i dhënë edhe më parë nga KLSH në Raportin për Zbatimin e Buxhetit të vitit 2013 dhe përsëritur si kërkesë prioritare në Raportin e Zbatimit të Buxhetit për vitin 2015.

[2] PBB-ja e raportuar në World Economic Outlook dhe e përdorur nga KLSH është e njëjtë me PBB-në e raportuar në tabelën e treguesve fiskalë të Projektbuxhetit 2018

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY