Zbuloi grupin e grabitjes, gati “shpërblimi” për ish-policin Xhyliu

Zbuloi grupin e grabitjes, gati “shpërblimi” për ish-policin Xhyliu

64
0
Shares

Prokuroria pohoi dje se procedura e dhënies së statusit të bashkëpunëtorit të drejtësisë për Fatjon Xhyliun është çështje kohe, raporton “Panorama”.
Burime të konfirmuara nga grupi i hetimit thanë se 33-vjeçari nga Lushnja ka dhënë deklarime që kanë zbardhur aktivitetin e grupit kriminal dhe anëtarët që bënin pjesë në këtë “skuadër” grabitjesh.
“Për këtë arsye, në vlerësim të ndihmës që ka dhënë në zbulimin e autorëve dhe në gjetjen e provave në lidhje me autorët e grabitjeve, edhe në zbatim të dispozitave ligjore, është çështje kohe nisja e procedurave për t’i dhënë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë shtetasit Fatjon Xhyliu”, thanë burimet e Prokurorisë.
Sipas tyre, deklarimet e dhëna nga i riu nga Lushnja janë bërë shkak për zbulimin e provave dhe të autorëve jo vetëm për grabitjen e ndodhur në Rinas, më 9 shkurt, por dhe për vjedhjen me armë të ndodhur më 3 dhjetor 2015.
Fatjon Xhyliu u shoqërua një ditë pas ngjarjes dhe u mbajt në polici që prej datës 10 shkurt 2017. Ai pranoi të jepte deklarime vetëm dy ditë më parë, pasi u përball me provat kundër tij.
MASAT NË GJYKATË
Ndërkohë, ditën e djeshme, Gjykata e Tiranës urdhëroi mbylljen në qeli për dy nga katër të arrestuarit si pjesëmarrës në grabitjen e 3.2 milionë dollarëve më 9 shkurt, në rrugën e Rinasit. Me kërkesë të Prokurorisë, masa shtrënguese “arrest në burg” u caktua për ish-punonjësin e policisë private “Rogat”, Fatjon Xhyliu, dhe ish-komandon Ditjon Memlika.
I arrestuari Xhyliu, deklarimet e të cilit në polici dhanë ndihmën më të madhe për zbulimin e gjithë anëtarëve të grupit, ka mbajtur të njëjtin qëndrim edhe në sallën e gjyqit. Burime të rezervuara brenda seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura, për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor, bënë me dije se ai e ka pranuar akuzën.
DEKLARIMET NË GJYKATË
“Ndihem i penduar për veprimet që kam bërë”, u mësua të jetë shprehur vetë i arrestuari. Mbrojtësi ligjor i zgjedhur i Xhyliut, avokati Arben Peci, i ka kërkuar gjyqtares së gatshme, Fida Osmani, të deklarojë të paligjshëm arrestimin e klientit të tij. Sipas avokatit, Xhyliut i është privuar liria pa një vendim gjyqësor, tej afateve të parashikuara në ligj.
Po ashtu, ai ka pretenduar se nuk është lejuar të kontaktojë klientin. Sipas burimeve, në seancën pasardhëse edhe i arrestuari Memlika ka mbajtur qëndrim pohues në lidhje me grabitjet ku dyshohet të ketë marrë pjesë. Ish-komandoja u përfaqësua nga një mbrojtës kryesisht.
Nga ana tjetër, prokurorët Olsi Dado dhe Ervin Karanxha e kanë bazuar kërkesën e tyre për “arrest në burg” në një sërë provash që, sipas tyre, provojnë përfshirjen e të arrestuarve në grabitje dhe rolet e tyre përkatëse.
Sipas burimeve, provat e prezantuara kanë qenë më së shumti në lidhje me pjesëmarrjen e Xhyliut dhe Memlikës në grabitjen e një vlere të madhe monetare në dhjetor të vitit 2015, po në rrugën e Rinasit. Përveç interesimit të lartë të medias, në sallën e gjyqit dhe pranë ambienteve të gjykatës u vu re mungesa e familjarëve të tyre.
Jashtë sallës së gjyqit, avokati i Xhyliut ritheksoi shkeljen e të drejtave të klientit të tij. “Të drejtat kushtetuese dhe ligjore të të dyshuarit janë mohuar që nga momenti i parë i arrestimit të tij”, tha avokati Peci.

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY