GRABITJA – HETIMET/ Si dhe ku u njohën me njëri-tjetrin 8 të...

GRABITJA – HETIMET/ Si dhe ku u njohën me njëri-tjetrin 8 të dyshuarit për grabitjen e 3.2 milionë dollarëve

69
0
Shares

Tetë personat e dyshuar si të përfshirë në grabitjet e parave të bankave gjatë transportit të tyre për në aeroportin e Rinasit, të ndodhura gjatë 2 viteve të fundit, duket se janë njohur në Ushtri. Me publikimin e detajeve të reja nga hetimet për ngjarjen, rezulton se këta persona, 4 prej të cilëve deri më tani janë arrestuar, janë njohur përmes të afërmve të tyre që janë pjesë e ushtrisë.
Në rubrikën “Opinion” në “News 24”, gazetarja Klodiana Lala thotë se Prokuroria ka rindërtuar gjithë mënyrën sesi 8 personat e përfshirë në këtë ngjarje janë njohur me njëri-tjetrin.
“Fatjon Xhyliu ka xhaxhain e tij ish–ushtar profesionit dhe është njohje e vjetër e Memlikës dhe Avdulajt.
Murataj është kushëri i afërt i Jetmir Çerpias, i cili është në kërkim. Ky i fundit ka një vëlla në ushtri, dhe kështu janë krijuar edhe njohjet. Ndërsa Neim Avdulaj dhe Ditjon Memlika janë të dy ish-komando, që kanë marrë pjesë në misione ushtarake të NATO-s në Afganistan”, shpjegoi Lala.
Gazetarja Lala thotë se sot ka patur detaje interesante nga Prokuroria lidhur me këtë ngjarje. Dy prokurorët e çështjes po bashkëpunojnë me policinë për të arritur deri në zbardhjen finale të ngjarjeve të fundit, ku bëhet fjalë për grabitje të parave të bankave.
Neim Avdulaj doli i pari para gjyqtarëve në seancën e sotme gjyqësore, ndërsa gazetarja ka folur edhe mbi qëndrimin e mbajtur nga avokati i tij në seancë.
“Ditën e ngjarjes, ky person ka qëndruar për një kohë të gjatë në ambientet e një qendre tregtare përballë bankës paratë e së cilës u grabitën, për të vëzhguar çdo lëvizje. Kur blindi është drejtuar drejt Rinasit për të transportuar paratë, Avdulaj ka dërguar një mesazh me tekst ‘u nis vajza’. Në harkun kohor të 15 minutave nga koha kur u nis sms, ka ndodhur edhe ngjarja. Por avokati i tij ka mohuar përfshirjen e Avdulajt në këtë ngjarje, dhe ka deklaruar se do të provojë se Avdulaj nuk është ndodhur në vendin e ngjarjes. Për 10 mln lekët e gjetura në banesën e Avdulajt, pretendohet se këto para klienti i tij i ka fituar në një loto sporti. Në orën kur ka ndodhur ngjarja, në disa pamje filmike, Neim Avdulaj shfaqet në një qendër tregtare përballë zyrave qendrore të bankës”, tha Lala.
Gazetarja ka treguar edhe lëvizjet e gabuara të 4 të dyshuarve, të cilat ngjallën dyshimet e policisë, gjë që çoi më pas në arrestimin e tyre.
“Fatjon Xhyliu është personi i parë i ndaluar për ngjarjen. Ai është tërhequr në fshatin e tij të lindjes pas ndodhjes së ngjarjes, dhe largimit nga puna. Ai ka bërë shkëmbim parash në monedhë të huaj. Pas grabitjes së 2015, Avdylaj i ka dhënë një pako babait të Xhyliut, dhe i ka thënë që do ta hapni vetëm kur të vijë Fatjoni. Kur kanë hapur pakon, kanë parë paratë.
Me to ka blerë një ambient biznesi për gruan e tij. Ka rikonstruktuar shtëpinë e prindërve, dhe banesën e tij këtu në Tiranë. Pra këto lëvizje janë bërë pas grabitjes së vitit 2015. Deri tani është gjetur shuma prej 1 milion dollarësh tek të arrestuarit”, tha gazetarja Lala.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY