EMRI & DETAJE/ Si mashtroi i akuzuari për 5 tonë drogë dhe...

EMRI & DETAJE/ Si mashtroi i akuzuari për 5 tonë drogë dhe ju arratis Policisë

166
0
Shares

Gjykata e Apelit rikthen në burg të liruarin nga Shkalla e Parë për 5 tonë drogë që u sekuestruan në Llakatund, më 14 shtator të këtij viti. Pas vendimit të djeshëm të Gjykatës, Policia ka shkuar për të arrestuar 58-vjeçarin Rakip Arapaj, por ai rezulton të jetë arratisur.
Vendimi i rikthimit të Arapajt në burg u mor nga trupa e përbërë nga gjyqtarët Klodiana Gjyzari, Hysen Saliko dhe Petrit Aliaj. Dosja “Llakatundi” mori vëmendjen e medias, pasi në rivlerësimin e masës së sigurisë të mbajtur në Gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë u vendos që Arapaj të gjykohej në gjendje të lirë, në kushtet e dorëzimit të pasaportës dhe garancisë pasurore në vlerën e 1 milion lekëve të rinj.
Gjyqtari i çështjes, Arqile Basho, që dha vendimin për ndryshimin e masës së sigurisë, theksoi pas interesit të medias se vendimi ishte i argumentuar referuar çështjes në fjalë, dhe se kjo ishte gjithçka çfarë kishte për të thënë.
Burime nga Policia e Vlorës kanë konfirmuar se menjëherë pas vendimit të Apelit, një grup ka shkuar në banesën e Rakip Arapajt, për të kryer arrestimin e tij. Por ai nuk është gjetur në banesë, çka konfirmoi dyshimin paraprak se mund të ishte arratisur. Dyshohet se ai mund të jetë strehuar te të afërmit e tij.
Pasaporta e tij është e bllokuar, por nuk përjashtohet dyshimi që 58-vjeçari të ketë kaluar kufirin me forma të tjera të jashtëligjshme. Në seancën e djeshme, avokati i tij theksoi para trupës gjykuese se 58-vjeçari nuk mundi të paraqitej në Gjykatë për shkak se kishte probleme shëndetësore dhe se kishte kryer një ndërhyrje kirurgjikale në sy.
Megjithatë, sipas burimeve, nga verifikimi i kryer nuk rezulton që Arapaj të jetë i shtruar në ndonjë spital. Ai u lirua më datë 10 tetor nga Gjykata e Vlorës, ndërsa për gjyqtarin që vendosi lirimin e tij,
KLD-ja nisi procedurat përkatëse për të verifikuar rastin. Arapaj u lirua tre muaj pasi Policia sekuestroi në fshatin Llakatund një sasi rekord prej 15 tonësh hashash, 5 prej të cilave në banesën e vëllait të Rakip Arapajt. Sipas Prokurorisë së Vlorës, Rakip Arapaj jeton në një banesë që është 7 metra larg një objekti të braktisur ku u gjet droga, një ndërtesë kjo që ka oborr dhe portë të përbashkët me shtëpinë e të dyshuarit.
Por pronari i shtëpisë së braktisur është vëllai i të dyshuarit që ka ndërruar jetë prej kohësh e për këtë nuk dihet se si 5 tonë drogë u magazinuan.
Në dokumentet e gjykatës theksohet se, “Policia Gjyqësore i ka kërkuar shtetasit Rakip Arapaj të hapte banesën e mbyllur. Ai ka deklaruar se banesa nuk është në pronësi të tij, por të vëllait të tij që ka vdekur dhe ai që nga vdekja e vëllait nuk ka hyrë në banesë”.
Por nga ana e saj, Prokuroria këmbëngul se objekti banohej përderisa përveç 5200 kilogramëve hashash të depozituar, dy armëve kallashnikov dhe 2 litra e gjysmë vaj hashashi, janë sekuestruar edhe pesë filxhanë kafeje, te të cilët nuk janë zbuluar gjurmë gishtash. Prokuroria këmbëngul se është e pamundur të transportohej ngarkesa e konsiderueshme pa dijeninë e të dyshuarit.
Megjithatë, Gjykata vlerëson se afër shtëpisë së Arapajt ka edhe shtëpi të tjera, duke argumentuar se “nuk janë kryer nga ana e akuzës marrja e deklarimeve edhe për persona të tjerë që kanë banesat në të njëjtën afërsi”. “Llakatundi” u trumbetua si një megaoperacion nga ana e Policisë dhe në krye të saj ka qenë vetë kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako. Panorama

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY