Donika Mustafaj është një qëmtuese e mirë e temave sociale në vend. Dje në mbrëmje, në Kinema Milenium, ajo mblodhi dhjetëra miq dhe dashamirës për të parë punën e saj më të fundit.
Mustafaj, nëpërmjet analizës së saj kritike dhe ekranizimit që i bën një subjekti të caktuar, gjithmonë arrin të godasë në shenjë.
Këtë herë, autorja e dhjetëra dokumentarëve në TVSH vjen me një prodhim për të cilin ka dalë jashtë kufijve për ta realizuar. Shqiptarët e Zvicrës kanë qenë në fokusin e vëzhgimit dhe analizimit të saj.
Ajo ka udhëtuar drejt Zvicrës duke qëndruar atje për disa ditë me radhë. Ka jetuar me emigrantët atje duke u munduar të kuptojë se si ka ndryshuar jeta e tyre në vend të huaj dhe si janë përshtatur ata me jetesën atje.
Vitet e fundit janë bërë disa dokumentarë apo reportazhe televizive lidhur me fatin e ri që kanë ndërtuar emigrantët shqiptarë në Zvicër. Donika Mustafaj me filmin e saj të fundit jo vetëm e pasuron veprën e vet tashmë të konsiderueshme në këtë fushë, por edhe hedh një dritë të re mbi realitetin e protagonistëve të vet.
Ajo guxon të prekë temën e shmangur përgjithësisht nga autorët e tjerë, atë të identitetit të këtyre shqiptarëve tani që ata kanë kaluar 15 apo 20 vjet në Zvicër, kanë ndërtuar familje aty, janë bërë shtetas të atij vendi dhe kanë një karrierë të lavdërueshme profesionale.
A kanë mbetur ata kulturalisht shqiptarë pas një bashkëjetese të tillë të gjatë me zviceranët, apo janë bërë mirëfilli zviceranë? Thënë ndryshe, a ka qenë për ta integrimi i nevojshëm në të vërtetë një asimilim kulturor?
Donika Mustafaj kujdeset deri në fund të filmit për të mos i gjykuar personazhet e veta. Ajo vetëm synon të tregojë çfarë ka ndodhur në thelbin e identitetit të tyre, duke marrë guximin t’u shtrojë atyre shumë pyetje delikate për atë që ne e quajmë “krenaria shqiptare”.
Personazhet e Donika Mustafajt në këtë film janë njerëz të shkolluar mirë, të cilët kanë si cilësi të përbashkët mendjen e hapur. Ata nuk u shmangen përgjigjeve, të cilat gjithashtu janë delikate për sedrën e tyre, dhe hedhin mbi veten vështrime shumë interesante, duke e ndihmuar autoren të ndërtojë një narrativë realiste për të shkuar në thelbin e çështjes që shtron.
Në këtë frymë sinqeriteti të komunikimit të autores me personazhet e veta, rrëfimi filmik sjell shpesh episode plot me humor, të cilat janë, përveç të tjerave, edhe argëtuese për spektatorin.
Nëse do të duhej përmbledhur ky rrëfim, do të ishin të përshtatshme fjalët e një zonje, e cila thotë: “Në sytë e zviceranëve, me të cilët punoj e jetoj, unë jam shqiptarja. Kur vij në Shqipëri, në sytë e miqve apo familjarëve të mi, unë jam zvicerania”.
Është ngjizur pra, një identitet i dyfishtë shqiptaro – zviceran. Autorja e filmit shtron pyetjen nëse ky identitet i dyfishtë, apo më konkretisht, pjesa e tij shqiptare, i pengon këta njerëz të integrohen në shoqërinë zvicerane. Donika Mustafaj nuk ndjek rrugën më të thjeshtë e që do të ishte rruga më pak artistike, për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje.
Një pohim ose një mohim nga ana e protagonistëve do të ishte një varfërim i narratives filmike. Ajo e rindërton romanin e suksesit të këtyre zonjave dhe zotërinjve, më të shumtët e të cilëve kanë mbërritur në Zvicër në moshën ë studentit dhe tani janë bërë prindër me fëmijë të rritur.
Përvoja e secilit prej tyre dëshmon se ky identitet i dyfishtë ka qenë kryesisht një pasuri kulturore për ta, rrjedhimisht edhe e ka ndihmuar integrimin e tyre.
Do thënë se një vlerë e veçantë e këtij filmi dokumentar është trajtimi i temës së identitetit të emigrantëve të brezit të fundit larg të gjitha folklorizmave dhe euforive, që kanë mbisunduar zakonisht në veprat kinematografike me këtë temë. Donika Mustafaj shtyn me guxim artistik shikuesin të nxjerrë përfundimin se protagonistët e saj kanë tashmë një identitet të ri e që është pikërisht ky identitet i dyfishtë.
Autorja nuk merr përsipër të na thotë se kjo gjë është e mirë apo e keqe. Ajo thjesht na e zbulon si një realitet. Me të njëjtin guxim krijues ajo shtron në veprën e saj edhe pyetjen tjetër e që është më e vështirë: nëse këta shqiptarë do të kthehen një ditë përfundimisht në atdheun e tyre të origjinës. Dhe shikuesi kupton se jo, ata nuk do të kthehen përveçse me pushime.
-Donika, sapo keni realizuar një film dokumentar për shqiptarët e Zvicrës. Pse zgjodhët pikërisht Zvicrën, ku numerikisht emigracioni shqiptar është dukshëm më i pakët se sa në vendet fqinje si Italia apo Greqia?
Nisëm nga një konstatim i të tjerëve. Në një nga emisionet e radios më prestigjioze të Zvicrës, SFR, përmendeshin pesë gjera që duhet të dini për shqiptarët. Ajo, që më bëri mua më shumë përshtypje ishte: Shqiptarët janë me komplekse. E kisha dëgjuar edhe herë të tjera një përcaktim të tillë pezhorativ për emigrantët shqiptarë. Pyetja ime në këtë rast e që u bë nxitje për këtë punë ishte: nga u buron të huajve ky perceptim, të cilin vetë shqiptarët nuk e pranojnë? Ju doni të dini përse zgjodha pikërisht Zvicrën? U bashkuan disa arsye: Së pari, sepse reportazhi në fjalë, transmetuar në radion publike zvicerane, përshkruan shqiptarët e Zvicrës.
Së dyti, se edhe drejtoria e RTSH e dëshironte një punë të tillë. Do të shtoj edhe një arsye të tretë, që është e imja: shtetasit shqiptarë të Zvicrës, edhe pse të pakët në numër krahasuar me emigracionin tonë në Itali apo Greqi, siç edhe ju e përmendët, kanë bërë gjerësisht karriera profesionale të lakmueshme. Nuk jetojnë atje, pra, për copën e bukës. Përkundrazi, mund të thuhet se janë bërë pjesë e elitave. Unë doja të shikoja me syrin e gazetares si e jetojnë ata statusin e vet.
-Janë bërë shumë filma dokumentarë për emigrantët shqiptarë të dekadave të fundit. Për Donika Mustafajin si autoren e këtij filmi çfarë ka të veçantë kjo vepër?
Unë flas për integrimin e tyre, por jo në kuptimin që ka integrimi në gjuhën e politikanëve. Siç e thashë pak më parë, shumë prej shqiptarëve të brezave të rinj në Zvicër ia kanë dalë mirë ekonomikisht dhe kanë gjetur vendin e tyre në shoqëri. Unë jam përpjekur të vëzhgoj integrimin e tyre brenda vetvetes: Sa ndjehen ata në paqe me veten? Në Zvicër ata vijnë si shqiptarë, pastaj atje i nënshtrohen një identiteti të dytë. Kur kthehen në Shqipëri qoftë edhe për pak ditë pushime, vërejnë se nga të afërmit apo miqtë e vjetër nuk shihen më si shqiptarë. Siç e pranojnë me sinqeritet edhe personazhet e filmit tim, në sytë e bashkatdhetarëve ata shpesh janë zviceranë tashmë. Pra, diçka e rëndësishme ka ndryshuar në sjelljen e tyre. Ndërkohë që edhe në Zvicër ata nuk konsiderohen si plotësisht zviceranë. Media, por edhe politika ua kujton shpesh origjinën. Në përditshmëri ata jetojnë në një kulturë të dyfishtë, prej nga është ngjizur pak nga pak edhe një identitet i dyfishtë.
-Çfarë rëndësie ka sipas jush identiteti për një shqiptar të diasporës?
Identiteti është një koncept shumë kompleks dhe nuk është vendi këtu të shpalosim teoritë sociologjike apo antropologjike për identitetin. Unë doja të kuptoja se si këta shqiptarë me karrierë të suksesshme në një vend shumë të zhvilluar e të begatë si Zvicra identifikohen, çfarë pasqyrimi kanë për veten, pa marrë kurrsesi përsipër të gjykoj nëse ky pasqyrim është i drejtë apo i gabuar. Fakt është se identiteti ka ndikim të posaçëm në cilësinë e integrimit të secilit në shoqërinë e vendit pritës. Thënë shkurt, ky film dokumentar hedh një vështrim mbi kontradiktat që shfaqen gjatë ndërtimit të identitetit nga një shqiptar i diasporës. Gjej rastin t’i falënderoj përzemërsisht të gjithë protagonistët e filmit tim për sinqeritetin, me të cilin kanë folur para kamerës time. Si njerëz të pajisur me një kulturë të gjerë universale, ata më kanë ndihmuar shumë për të kapur fluiditetin identitar, që ata kanë shpesh në pasqyrimin e vetes, duke treguar kështu në fakt se janë krejt pa komplekse, përkundër asaj që thuhet në reportazhin e radios publike zvicerane. Për t’iu kthyer pyetjes tuaj, do pranuar se imazhi kolektiv, që japin mediat, luan një rol të rëndësishëm në jetën sociale të individëve shqiptarë që jetojnë në Zvicër. Zvicra, edhe pse është një tokë legjendare e mikpritje si ka të shpeshta rastet kur politikanët ekstremistë e shfrytëzojnë ekzistencën e emigrantëve, përfshirë edhe ata shqiptarë, për qëllimet e tyre jo dhe aq të ndershme. Ky ligjërim përçues e madje edhe i infektuar nga urrejtja, përcillet pastaj në media. Për pasojë, edhe pse Shqipëria dhe shqiptarët kanë ndryshuar, gjatë viteve të lirisë imazhi i tyre në sytë e zviceranëve nuk ka ndryshuar shumë, gjë që sjell shumë paragjykime ndaj tyre. Por, e përsëris, ata janë histori suksesi, që do të thotë se ata e fitojnë përditë betejën kundër këtyre paragjykimeve. Ne, këtu në Shqipëri, duhet të jemi krenarë me ta. Nxitja e kësaj krenarie është një nga qëllimet e filmit tim.
-Përcaktimi juaj për “fluiditetin identitar”a mund të përkthehet se ata janë tashmë të huaj në Zvicër dhe të huaj në Shqipëri?
Përkthimi juaj pasqyron në të vërtetë perceptimin e dyfishtë që ata kanë deri diku, nga të tjerët si pasojë e identitetit tyre të dyfishtë, shpesh edhe kontradiktor. Bisedat e gjata me ta kanë qënë edhe për mua intelektualisht shumë pasuruese. Ata nuk e fshehin këtë përplasje që ndjejnë duke jetuar midis dy kulturave. Përkundrazi, e tregojnë, madje shpesh me shumë humor. Pikërisht kjo ndjenjë e shëndetshme humori nxjerr në pah se ata ngrihen përmbi perceptimet e tilla, që do të thotë se për veten e tyre, thellë – thellë, ata nuk ndjehen të huaj as në Zvicër e as në Shqipëri: Me mjetet e kufizuara artistike që ka një film dokumentar, unë jam përpjekur t’i jap një vend sa më të dukshëm pikërisht këtij humori, që është cilësi e njerëzve të fortë e me besim të madh në vete. Bindja ime si autore në përfundim të veprës është se kjo qasje me humor i ka ndihmuar shumë ata të shmangin frustracionet e natyrshme që shkakton përplasja e bagazhit historik e kulturor që ata kanë sjellë me vete me realitetin historik e kulturor që gjejmë ne në Zvicër e të cilin ta përvetësojmë për t’u ndjerë edhe aty si në shtëpinë e vet.
-A vjen një ditë kur mërgimi të shijon ?
Në fakt fjala “mërgimtar” është zhdukur shumë shpjet nga fjalori i tyre. Atyre thjesht nuk u pëlqen të përcaktohen si mërgimtarë. Do pranuar se Zvicra është bërë tashmë vendi i tyre jo vetëm me letra. Në qoftë se ata do të jetonin me konceptin e përkohësisë, nuk do të mund të ndërtonin jetën që kanë ndërtuar për familjet e tyre. Pra, ata nuk rrinë atje nga zori. Në këtë kuptim sigurisht që u shijon jeta që bëjnë. Por kjo nuk e zbeh aspak vëmendjen e tyre ndaj Shqipërisë. Vijmë kështu përsëri tek identiteti i dyfishtë. Dokumentari im është edhe një homazh për identitetin e tyre të dyfishtë, për aftësinë e tyre për të jetuar njëherësh në dy kultura. Unë besoj se ka ardhur koha që kinemaja jonë t’i kushtojë një vëmendje më të madhe në të gjitha gjinitë e saj kësaj pjese vitale të kombit tonë, që përfshihet me termin “diasporë”. Përsëri unë e vlerësoj faktin që në qeverinë e re ka një ministri të posaçme për diasporën. Shpresoj që kjo ministri do të ketë mjete të mjaftueshme për ta ndërtuar në rrugë institucionale urën e komunikimit midis shoqërisë tonë këtu në Shqipëri dhe bashkatdhetarëve tanë kudo në botë.
-Cili është projekti i ardhshëm për Donika Mustafaj ?
Kam disa projekte që do të më pëlqente t’i realizoja. Është ende herët të flas se cilin do të zgjedh. Pastaj, puna e një kineasti nuk varet vetëm nga ai, ju e dini. Dita
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/