EMRAT/ Kallëzimi i rremë u kthye në bumerang – Pesë ish-zyrtarë të...

EMRAT/ Kallëzimi i rremë u kthye në bumerang – Pesë ish-zyrtarë të komunës Levan dënohen me 14 vjet burg

212
0
Shares
Pjesë nga segmenti rrugor Fier – Levan, i njohur si By Pass i Fierit, ku punimet janë zvarritur prej vitesh, duke kontribuar në suficitin buxhetor. Foto: Gjergj Erebara - BIRN

Kur qeveria njoftoi në vitin 2011 se do të niste puna për autostradën Fier-Vlorë, një pjesë e të cilës kalon në Levan, banorët e komunës filluan të interesoheshin për të regjistruar pasurinë. Të njëjtën gjë bëri edhe Eqerem Braçi, ish-zv/kryetar i Komunës Levan, por sipas prokurorisë së Fierit veç regjistrimit të katër parcelave që i takonin, ai regjistroi nën emrin e tij edhe një parcelë të pestë, pjesë të Kodrës së Jarusë mes fshatrave Shtyllas dhe Levan.
Në dosjen për këtë falsifikim me pesë të akuzuar përfshi Braçin dhe ish-kryetarin e komunës tani administrator i njësisë Levan, prokuroria thotë se toka në fjalë nuk ishte ndarë me ligjin 7501 pasi konsiderohej kullotë dhe se nuk kishte pasur ndonjë vlerë deri kur vendimi i qeverisë për autostradën Durrës-Fier veç njollës ku do kalonte rruga, përcaktoi Kodrën e Jarusë, si vendi prej nga do të merreshin materialet inerte që duheshin për ndërtimin.
Sipas dosjes mbi të cilën u dënuan pesë të akuzuarit, koha e shpalljes së këtij vendimi qeverie përkon me vitet 2012-2013 kur i akuzuari kryesorë Eqerem Braçi, u interesua për të regjistruar pronën 229/1, e cila menjëherë u bë e lakmuar nga kompanitë e nxjerrjes së inerteve. Komuna sipas prokurorisë ndikoi, duke mos lejuar shfrytëzimin e inerteve në këtë zonë dhe pezulluar një kompani, që një prej këtyre firmave të ndërtimit të blinte tokën e përvetësuar pa të drejtë nga Braçi për 20 milion lekë dhe vetëm pastaj të pajisej me leje shfrytëzimi.
Të pestë ish-zyrtarë të komunës Levan, të cilët akuzoheshin nga prokuroria se kishin falsifikuar dokumentet e një prone 10 mijë metra katrorë, të cilën e përfitonte Braçi, njëkohësisht zëvendëskryetar i komunës në këtë kohë, janë shpallur fajtorë nga treshja gjykuese pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, e kryesuar nga gjyqtari Roland Jaupaj dhe me anëtarë gjyqtarët, Matilda Shalla e Pirro Sota.
Konkretisht kryesuesi i trupës gjykuese, gjyqtari Roland Japuaj lexoi shpalljen fajtor të të pesë të pandehurve, duke dhënë në aplikim të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht dënimi me 10 vite burgim dhe dënim plotësues për mos ushtrimin e funksioneve publike për 2 vjet për Eqerem Braçin, për akuzën e “falsifikimit” dhe atë të “pastrimit të produkteve të veprës penale”.
Braçi, që sipas prokurorisë punoi më pas si punonjës i Bashkisë së Tiranës, është akuzuar nga Partia Demokratike si person me precedentë penal. Ai është akuzuar më parë për plagosjen e dy personave, por Gjykata e Fierit e shpalli të pafajshëm në vitin 2014.
Ish kryeministri Sali Berisha, në një status në faqen e tij në Facebook, e ka përmendur Braçin si i afërm i kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi, ndërsa lëshoi disa akuza ndaj tij.
Ish kryetari i Komunës, tani administrator i njësisë Levan, Xheladin Malaj u dënua me 1 vit e katër muaj për “shpërdorim detyre”, por vendimi për të u pezullua për dy vite ndërsa është vendosur edhe dënimi plotësues për moskryerjen e funksioneve publike për 1 vit.
Përgjegjësin e zyrës së DAMT (Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës) të ish-komunës Shefqet Hyka dhe dy vartësve të tij topografë, Ilia Marku dhe Zaim Tafa, gjykata i dënoi me nga 1 vit burg, dënim të cilin vendosi se e kishin shlyer me kohën masës së arrestit shtëpiak. Të tre po ashtu nuk mund të kryejnë funksione publike për një vit.
Nuk është e qartë nëse palët do të apelojnë vendimin. Mbrojtja pati pretenduar pafajësi për secilin prej të akuzuarve. Prokuroria kishte kërkuar dënime më të ashpra dhe në total 17 vjet burg, por gjykata veç rastit të Braçit që është dënuar me të njëjtën masë të kërkuar nga prokurori, i ka ulur dënimet e tjera me disa muaj. Gjithashtu, sipas kërkesës së prokurorisë gjykata ka vendosur ta deklarojë të falsifikuar dokumentin AMTP Nr. 20834, datë 6 Korrik 1995, në emër të shtetasit Eqerem Braçi dhe fshirjen e pjesës ku parashihet pasuria nr. 229/1.

Kallëzimi i rremë u kthye në bumerang
Hetimi i çështjes filloi për shkak të zhavorrit, kur kompania Gant Construction SHPK, e cila prej vitit 2006 shfrytëzonte një pjesë kodre mes fshtarave Levan dhe Shtyllas në Fier për të nxjerrë zhavorr, paditi në vjeshtën e vitit 2014 kreun e komunës në prokurori, duke pretenduar një dëm 20 milion lekësh.
Alket Metushi pronar i kompanisë thotë në kallëzimin e tij se komuna e ktheu zonën që ai shfrytëzonte në venddepozitimi mbetjesh, ndërsa e paditi kompaninë e tij në prokurori dhe më pas ndikoi që këshilli i komunës në një mbledhje urgjente t’i revokonte lejen. Prokuroria që hetoi padinë e ish-kryetarit të Komunës Levan ndaj kompanisë së Metushit, e gjeti atë të pabazuar.
Sipas prokurorisë komuna, fillimisht në vitin 2013 i pati refuzuar një kompanie tjetër të quajtur C.A.E Shpk lejen e shfrytëzimit në karrierën e zhavorrit. Në pranverë të vitit 2014 kur C.A.E Shpk, e cila ishte nënkontraktore e kompanisë që po ndërtonte By Passin e Fierit, e pa të pamundur paisjen me leje, nënshkroi një kontratë me Gant Construction SHPK e cila kishte një leje shfrytëzimi që prej vitit 2006 dhe një leje mjedisore të rinovuar në vitin 2013.
Por pas kësaj Gant Construction SHPK, u gjend në sulm prej ish-kreut të komunës Xheladin Malaj i cili në 10 maj bëri padi penale ndaj kompanisë dhe më 12 maj kërkoi revokimin e lejes së saj në ish-këshillin e komunës, me pretendimin që dëmtonte tokën e fshatarëve dhe se nuk kishte leje mjedisore. Prokuroria në hetimin e kësaj çështje gjeti se fshatarët nuk ishin ankuar, ndërsa ish-kreu i Këshillit të Komunës Alfred Fejzullai dëshmoi se i vetmi problem ishte se një pjesë e pasurisë nr.229 “Kodra e Jarusë” pretendohej nga shtetasi Eqerem Braçi.
Ndërkohë mbrojtja e Malajt i kundërshtoi gjetjet e prokurorisë duke pretenduar se vendimi për pezullimin e kompanisë nuk ishte marrë prej tij, por prej ish-këshillit të komunës. “Pezullimi i kompanisë është bërë nga këshilli i komunës dhe është miratuar nga prefekti. Kompania nuk ka respektuar kërkesat e VKM-ve dhe ligjet përkatëse. Kjo shoqëri nuk ka pasur leje mjedisore, e ka paraqitur pas marrjes së vendimit të këshillit,” theksoi avokatja e Malajt. Vetë i pandehuri Xheladin Malaj tha në gjykatë se nga parcela në fjalë (229) nuk është ngarkuar asnjë rrugë zhavorr, pasi aty ka disa pronarë.
Por prokuroria gjeti se në vjeshtë të vitit 2014, pasi puna e kompanisë Cant Construction Shpk ishte pezulluar, kompania C.A.E shpk – e cila bleu nga Eqerem Braçi parcelën që sipas gjykatës është përvetësuar me falsifikim, kishte marrë lejen që i ishte refuzuar më parë. Sipas prokurorisë menjëherë pas kësaj blerje më 17 shtator 2014, Eqerem Braçi e mbrojti vetë në ish-Këshillin e Komunës Levan më 23 shtator, dhënien e lejes së shfrytëzimit për C.A.E shpk.
Ndryshe nga pretendimet e Malaj, se aty nuk punohej, oficerët e policisë gjyqësore që hetuan rastin gjetën punëtorë të kompanisë C.A.E shpk duke punuar në karrierë në vitin 2015, ndërsa po ashtu kanë administruar edhe dokumentet mbi volumet e punës që kjo kompani ka kryer.

Dosja e falsifikimit
Sipas dosjes së prokurorisë që filloi të hetohej në vjeshtë të vitit 2014, Eqerem Braçi, ish-zëvendëskryetar i komunës Levan, përfitoi përmes falsifikimit dhe ndihmës së shefit të tij ish-kryetarit Xheladin Malaj, dhe tre funksionarëve të tjerë vartës të tyre Shefqet Hyka, Ilia Marku dhe Zaim Tafa, një sipërfaqe toke prej 10 mijë metrash në vendin e quajtur Kodra e Jarusë mes fshatrave Levan dhe Shtyllas.
Mbrojtja e të pandehurve pretendoi pafajësi gjatë procesit.
Ish-kryetari i komunës tha gjatë konkluzioneve të mbrojtjes një javë më parë se vendimet e marra ndaj kompanisë ishin vendime kolegjale të ish-këshillit të komunës. Ai e bazoi mbrojtjen në faktin se ai nuk kishte pasur dyshim e dijeni për falsifikimin.
“Dokumentacioni ka ardhur me vulë të njomë nga ZVRPP Fier (Zyra e Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme)”, tha avokatja e tij, që pretendoi po ashtu se klienti i saj nuk kishte dijeni për hartografinë dhe kishte formosur një dokument rutinë.
Por gjykata i besoi versionit të prokurorisë, sipas të cilës ish-kryetari i komunës Xheladin Malaj kishte firmosur dokumentet që kanë bërë të mundur njohjen e pronësisë së Braçit në parcelën në Kodrën e Jarusë, duke e ditur që ajo ishte pronë publike. Ai po ashtu u gjet fajtorë se “me veprime e mosveprime” ka penguar kompanitë që kërkonin të shfrytëzonin zhavorrin në atë parcelë, derisa një prej kompanive bleu pronën që ish-zëvendës kryetari i tij kishte përfituar.
Ndërkohë i akuzuari kryesor Eqerem Braçi pretendoi se kishte marrë aktet që prokuroria i gjeti të flasifikuara nga hipoteka e Fierit dhe tha se nuk mund të akuzohej për shkresa që kanë dalë nga zyra e shtetit.
“Prokurori ka tjerur fjalë, por nuk ka dhënë asnjë provë”, tha avokati në leximin e konkluzioneve një javë më parë. Ai po ashtu kundërshtoi pretendimet e prokurorisë se Braçi kishte ushtruar presion ndaj vartësve të tij në komunë për të bërë matjet në parcelën 229/1.
Prokuroria u shpreh gjatë leximit të pretencës se parcela i ka kaluar në pronësi Braçit me një vendim të falsifikuar të ZRVPP-së Fier. Madje ajo pohon se vendimi i falsifikuar ishte dixhitalizuar gjatë vitit 2013 dhe ndodhej në të njëjtën formë edhe në zyrat qendrore të hipotekës. Por akuza nuk ka qenë në gjendje të gjejë punonjësit që kishin kryer falsifikimin.
Megjithatë prokuroria gjeti nga hetimet se “Eqerem Braçi ka pasur dijeni mbi përmbajtjen e falsifikuar të AMTP-së (Aktit të Marrjes së Tokës në Përdorim) nr. 20834, datë 6 Korrik 1995 që ka tërhequr të njehsuar nga ZRVPP Fier dhe e ka përdorur atë për të përfituar interesa pasurore të paligjshme”.
Sipas prokurorisë, nga deklarimet e administruara në këtë procedim penal, ka rezultuar se “kanë qenë pikërisht veprimet e paligjshme dhe kërcënuese të të pandehurit Eqerem Braçi ato që kanë detyruar shtetasit Shefqet Hyka dhe Zaim Tafa që të realizojnë plan-vendosjen dhe planin e rivelimit me përmbajtje të falsifikuar”, për një pasuri që nuk ishte ndarë nga ligji 7501, e që për më tepër ishte e regjistruar në ZVRPP Fier në emër të trashëgimtarëve të familjes “Vrioni”.
Tre të akuzuarit e tjerë Shefqet Hyka dhe topografët, Ilia Marku dhe Zaim Tafa, thanë se kishin zbatuar urdhrat, ndërsa u mbrojtën se vendimet për regjistrimin e pronës kishin ardhur “me vulë të njomë” nga ZVRPP Fier dhe ata nuk e dinin që ishin të falsifikuara. Megjithatë prokuroria pretendon se ata kishin kryer paligjshmëri, duke ndihmuar Braçin të përvetësonte parcelën prej 10 mijë metrash katrorë. Me vendimin për ti shpallur fajtor ish zyrtarët gjykata vendosi t’i japë të drejtë prokurorisë. BIRN

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY