Basha: Ja konstatimet e partnerëve strategjikë për “çështjen Tahiri”

Basha: Ja konstatimet e partnerëve strategjikë për “çështjen Tahiri”

121
0
Shares

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka folur në përfundim të takimit të tij me ambasadorët e SHBA dhe BE, respektivisht Donald Lu dhe Romana Vlahutin.
Sipas Bashës, qëndrimi i qeverisë amerikane është i qartë, në mbështetje të Prokurorisë, ndërsa ka përcjellë më tej, konstatimet e partnerëve ndërkombëtarë strategjikë.
“Qëndrimi i qeverisë amerikane i qartë.
Saimir Tahiri nuk do ti shpëtojë drejtësie, pavarësisht se u mbroj nga partia e tij. Ai do të mbajë përgjegjësi jo thjesht për ndihmën që i ka dhënë një bande, por edhe për shndërrimin e vendit në një vend të kanabizuar.
SHBA mbështet Prokurorinë për çdo hetim.
Këto janë konstatimet e partnerëve ndërkombëtarë strategjikë.
Saimir Tahiri do marrë përgjegjësi penale, dhe politike.
Jemi të inkurajuar nga mbështetja e SHBA dhe BE, për integrimin e Shqipërisë në BE dhe për çmontimin e narkoshtetit dhe në kuptimin politik për ti dhënë Shqipërisë një qeveri të çliruar nga bandat dhe narkotrafiku.
Qëndrimi i Edi Ramës është dëshpërues. Ai ka qenë pjesë e problemit dhe refuzon të bëhet pjesë e zgjidhjes.
Saimir Tahiri, Armando Prenga, Elvis Rroshi, Vangjush Dako, janë vetëm hallka. Edi Rama e di mirë që ai është përgjegjës, edhe para ndërkombëtarëve, që e ktheu vendin nga një vend që lëviz pa viza, në një hambar të kanabisit dhe drogave të forta”, u shpreh midis të tjerave kreu i PD-së Lulzim Basha.
“PD mbështet fuqimisht zbatimin e reformës në drejtësi dhe ka besim të plotë se ky proces do të çmontojë mafien dhe narkoshtetin”, vijo Basha.
“PD dhe unë jemi në kontakt të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë, për informacionet e implikimit të zyrtarëve në trafikun e drogës”, shtoi Basha.
“Rama të heqë dorë nga keqinterpretimi i deklaratave që janë në mbështetje të hetimit të plotë të politikanëve përgjegjës”, u shpreh më tej kreu i PD-së.

Qëndrimet e partnerëve të qarta: Mbështetje totale për hetimet, mbështetje totale për prokurorinë dhe gjyqtarët, kundër mbrojtjes së çdo politikani që hetohet për krimin dhe drogën, përmes imunitetit parlamentar.

Çështja Tahiri nuk është fundi por fillimi i çmontimit të narko-shtetit

Keni pasur një takim të gjatë me ambasadorët e BE-së dhe ambasadorin amerikan?
Kam pasur një takim me ambasadorin Lu. Ambasadorët e Bashkimit Europian kanë qenë në një takim tjetër po në të njëjtën godinë. Keqkuptime që kanë ndodhur dhe më parë me atë godinë.
Qëndrimi i qeverisë amerikane është i qartë dhe nuk ka nevojë për komentin tim. Ata mbështesin pa rezerva prokurorët dhe gjyqtarët në një hetim të plotë dhe të paanshëm për të zbardhur dhe për të vënë para përgjegjësisë penale të gjithë ata politikanë të përfshirë në krimin e organizuar dhe në trafikun e drogës si dhe dënojnë cdo përpjekje që politikanët të jenë mbi ligjin dhe jashtë ligjit. Pra që imuniteti parlamentar të përdoret për të mbrojtur politikanët e lidhur me krimin dhe drogën.
Saimir Tahiri nuk do ti shpëtojë drejtësisë. Pavarësisht prej mbrojtjes politike që i bëri dje mazhoranca, faktet e dala publikisht dhe faktet e tjera të cilët disponohen nga organet shqiptare të hetimit, nga prokuroria shqiptare, por dhe nga partnerët, do të bëjnë të mundur që ai të marrë përgjegjësitë e tij penale para ligjit shqiptar për mbrojtjen dhe ndihmën që i ka dhënë, jo thjesht një bande kriminale por përpjekjes për ta kthyer Shqipërinë vetëm në katër vite në një bazë të sigurt të krimit të organizuar, në prodhuesin më të madh të kanabisit në Europë dhe eksportuesin e drogave të lehta dhe të forta drejt Europës. Këto janë konstatime të institutcioneve perëndimore nuk janë thjesht dhe vetëm konstatime të opozitës, e cila pa dyshim kanë qenë në ballë të kësaj beteje.
Saimir Tahiri nuk është fundi por është fillimi i një procesi të çmontimit të narkoshtetit, të çmontimit të mafies së narkotikës, që ka kapur shtetin.
Kjo luftë e cila sapo ka filluar, nuk do të jetë as e lehtë dhe as e shkurtër . Por Partia Demokratike do të ketë rolin e saj jashtëzakonisht të rëndësishëm në këtë luftë, në planin e mbështetjes totale ndaj organeve të zbatimit të ligjit, në veçanti ndaj prokurorisë dhe gjykatave të vendit. Në planin legjislativ për të rrëzuar dhe zhveshur narkoshtetin dhe përfaqësuesit e mafies në nivelin politik nga çdo alibi, me anë të së cilës mbrohen nga ligji siç është imuniteti parlamentar. Dhe po kështu, në planin politik me qëllim që Shqipëria të çlirohet nga krimi, të çlirohet nga droga, të çlirohet nga narkoshteti që ka depërtuar në çdo qelizë.
Kjo është një përpjekje të cilën ne e bëjmë në bashkëpunim me partnerët strategjikë të Shqipërisë, me BE dhe SHBA dhe jemi krah për krah me ta.
Beteja sapo ka nisur dhe jemi shumë të inkurajuar nga mbështetja që i është dhënë dhe do t’i jepet në ditët dhe javët në vazhdim, kësaj beteje jetike për të ardhmen e Shqipërisë dhe për integrimin europian të Shqipërisë, që kalon vetëm përmes çmontimit të narkoshtetit.
Çmontimit në kuptimin ligjor, pra vënin para përgjegjësisë të çdo politikani që ka mbrojtur apo i ka shërbyer trafikut të drogës dhe organizatave kriminale, dhe në kuptimin politik për ti dhënë Shqipërisë një qeveri dhe një qeverisje të pastër nga krimi i organizuar dhe nga lidhjet e krimit me narkotrafiqet dhe me mafien, e cila ka diktuar dhe dikton vendimmarrje të turpshme politike, siç ishte ajo e djeshmja e Edi Ramës për të mbrojtur Saimir Tahirin me imunitet parlamentar nga akuzat ligjore të prokurorisë të bazuara në përgjimet e antimafias.

Edi Rama i lexon në favor të tij deklaratat e ambasadorit LU gjatë ditës së sotme duke i konsideruar si një qëndrim kundër ndaj një gjyqi që ai e quajti komunist.
Ky është një qëndrim i dëshpëruar i Edi Ramës. Qeveria e SHBA ka folur fare qartë. Unë nuk jam këtu për të interpretuar qëndrimet e tyre. Po ju mund të shikoni mbështetjen e plotë që i është dhënë hetimit, gjykatësve, prokurorisë dhe dënimit të çdo qëndrimi që mbron përmes imunitetit parlamentar, politikanët e akuzuar për lidhje me krimin.
Qëndrimi i sotëm i Ramës nuk është vetëm një qëndrim i dëshpëruar i të mbyturit që kapet pas fijes së kashtës por po kështu evidenton para shqiptarëve dhe para partnerëve se Rama vazhdon të jetë, siç ka qenë prej fillimit, pjesë e problemit dhe refuzon të bëhet pjesë e zgjidhjes.
Është pjesë e problemit sepse pa lejen e tij, pa miratimin e tij, pa dijeninë e tij, Shqipëria nuk do të mund të shndërrohej në një hambar të drogës në këto katër vjet vetëm përmes Saimir Tahirit. Saimir Tahiri është vetëm një hallkë. Saimir Tahiri, Arben Ndoka, Armando Prenga, Elvis Rroshi, Vangjush Dako, prania e bandave kriminale dhe afërsia e tyre me të gjitha shtabet elektorale të Partisë Socialiste janë tregues të një projekti politik, nuk janë rastësi. Edi Rama e di fare mirë se është ai përgjegjës para opinionit publik dhe para partnerëve ndërkombëtarë që në katër vite të shkurtër e ktheu Shqipërinë nga një vend anëtar i NATO-s, qytetarët e të cilit lëviznin lirshëm pa viza në Bashkimin Europian, në një vend që tregohet si strehë e krimit të organizuar, si baza kryesore e prodhimit dhe trafikimit të kanabisit, dhe si një nga bazat kryesore të eksportit të drogave të forta drejt Europës perëndimore. Përgjegjësitë e tij janë të qarta në kuptimin politik dhe Partia Demokratike do të bëjë gjithçka që këto përgjegjësi ai ti ti mbajë politikisht por edhe ligjërisht para drejtësisë.

A ju kanë kërkuar ndërkombëtarët dhe në veçanti ambasadori Lu të hidhni idenë të një Parlamenti të zhveshur totalisht deputetët nga imuniteti?
Këto janë qëndrime që Partia Demokratike ka 8 vite që i mban në mënyrë të përsëritur dhe në këtë kuptim ne jemi në një rol aktiv. Përveç mbështetjes totale ndaj Prokurorisë, ndaj Gjykatave në hetimin e rastit Tahiri dhe çdo rasti tjetër që pritet të dalë të politikanëve të lartë që i kanë dhënë mbështetje dhe mbrojtje trafikut të drogës, kërkojmë një zgjidhje politike përmes një qeverie antimafia, një qeverie jo të kapur nga mafia dhe interesat mafioze, por edhe përmes ndryshimeve legjislative që do të ndihmojnë çmontimin e narko-shtetit dhe kupolës mafioze që ka zaptuar shtetin.

A do ti kthehet Partia Demokratike jetës normale parlamentare dhe e kam fjalën për pjesëmarrjen tuaj në komisionet parlamentare?
Jetë normale parlamentare, siç e keni parë, nuk ka. Prej ditës së parë të këtij parlamenti të dalë nga një votë e shtrembëruar përmes milionave të drogës siç evidentohet edhe nga përgjimet e antimafias italiane, ne kemi shtruar dhe shtrojmë domosdoshmërinë e një zgjidhje politike.
Çfarë ndodh në një vend ku mazhoranca është fiktive, ku parlamenti është ilegjitim dhe për rrjedhojë edhe qeveria është ilegjitime?! Kjo qeveri nuk është përgjegjëse para shqiptarëve. Kjo qeveri është përgjegjëse para atyre që me paratë e drogës e sollën në pushtet. Pa zgjidhur këtë problem të jashtëzakonshëm politik vendi nuk mund të ecë përpara. Lufta kundër krimit nuk mund të ecë përpara.
Ndaj paralelisht me mbështetjen që u japim organeve të drejtësisë, prokurorisë, për të çuar deri në fund hetimin dhe për ta vënë Saimir Tahirin para përgjegjësisë penale, të cilës nuk do ti shpëtojë, detyra jonë është që së bashku me të gjithë faktorët e tjerë shoqërore, me qytetarët e ndershëm të këtij vendi, me median – një pjesë të së cilës dua ta përgëzoj nga zemra për kurajon e jashtëzakonshme në veçanti dua të përgëzoj nga zemra gazetarët që janë në vijën e parë të frontit, që nuk kanë asnjë privilegj dhe asnjë joshje nga narko-shteti dhe nga mafia, por kanë vetëm kërcënime të turpshme si ato të djeshmet, – pra të gjithë së bashku ne do të mundësojmë që vendi ti kthehet normalitetit.
Për momentin nuk ka normalitet dhe nuk mund të ketë normalitet as në parlamentin shqiptar. Por ne do ta vazhdojmë këtë betejë brenda parlamentit me të gjitha instrumentet e opozitës parlamentare derisa së bashku me qytetarët shqiptarë të marrim një vendim tjetër.

A ndieni një lloj shqetësimi mes diplomatëve dhe atyre amerikanë në lidhje me vonesën e ngritjes së institucioneve të reja të Drejtësisë? A ka një shqetësim që po vonon reforma që në një farë mënyre ka edhe autorësinë e tyre?
Lejomëni t’ju them që Partia Demokratike mbështet fuqimisht zbatimin sa më shpejt të reformës në drejtësi zbatimin e Vetting-ut, ngritjen e strukturës së posaçme antikorrupsion, SPAK dhe ka besim të plotë që ky proces do të ndihmojë në çmontimin e mafies dhe narkoshtetit. Natyrisht mafia dhe narko-shteti kanë interesa të tjera, të zvarritjes dhe mundësisht të kapjes së procesit të reformës në drejtësi. Kam besim se në bashkëpunim me partnerët tanë, me SHBA dhe BE, opozita dhe Partia Demokratike do t’ia dalin të që institucionet e reja të drejtësisë të jenë një vlerë e shtuar në luftën kundër mafies, në luftën kundër krimit të organizuar, në luftën kundër trafikut të drogës dhe në çmontimin e narko-shtetit.

Paralajmërimet tuaja për ministrat e tjerë ose zyrtarë të tjerë socialistë, bazohen mbi pritshmëri, për atë çfarë do të ndodh, apo mbi informacione që ju mund t’i keni.
Partia Demokratike dhe unë jemi në një kontakt të vazhdueshëm me partnerët tanë. Edhe opozita, edhe partnerët kanë informacione të besueshme dhe të shumta për rolin e individëve, politikanëve me pushtet në kthimin e Shqipërisë në një bazë të sigurt të krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.
Është detyra jonë si opozitë që në bashkëpunim dhe në bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë të bëjmë jo thjeshtë dhe vetëm denoncimin publik të këtyre fakteve, por të sigurohemi që prokuroria shqiptare dhe gjyqësori shqiptar, këta individë sado të pushtetshëm qofshin, anëtarë të kabinetit, drejtues të lartë të pushtetit, të trajtohen njësoj para ligjit si çdo qytetar shqiptar dhe të marrin para drejtësisë atë që meritojnë.
Asnjë politikan që ka mbrojtur dhe ka përfituar nga ndihma e drejtpërdrejtë dhe bashkëpunimi me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës nuk duhet t’i shpëtojë drejtësisë. Kjo është beteja jonë sot që nis me rastin Tahiri, por ky nuk është fundi, por vetëm fillimi i çmontimit të narko-shtetit.

Ju thoni që ndërkombëtarët kanë fakte, kanë prova që implikojnë jo vetëm Tahirin por edhe shumë ministra të tjerë. Por ambasadori Lu në fakt shigjetoi edhe një pjesë të politikës nga e djathta, pasi tha që :“në 27 vjet ka politikanë majtas dhe djathtas të korruptuar të korruptuar të cilët nuk janë ndëshkuar”.
Unë nuk marr përsipër të komentoj deklaratat dhe qëndrimet. Mund t’ju them vetëm që këto qëndrime janë fare të qarta: Mbështetje totale të hetimit, mbështetje totale prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe një paralajmërim i fortë për mbrojtjen që iu bë në rastin “Tahiri” duke mos i hequr imunitetin, duke lejuar Saimir Tahirin, të ruajë privilegjet imunitare duke refuzuar kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e tij si një hap i domosdoshëm për procedimin me sukses të kësaj çështje.
Megjithatë shpreh bindjen time më të thellë se bazuar mbi fakte dhe prova ligjore, Prokuroria me mbështetje parimore, publike nga opozita dhe nga partnerët ndërkombëatrë do ta finalizojë misionin e saj dhe se gjyqësori do të bëjë drejtësi në rastin “Tahiri” duke dhënë shembullin e parë dhe jo të fundit, që politikanët e lidhur me krimin e organizuar dhe me trafikun e drogës nuk do të mund t’i shpëtojnë drejtësisë.

Kush janë këta politikanë që janë të implikuar përveç Tahirit?
Unë jam këtu për të dhënë qëndrimet e opozitës. Unë e di që gazetaria ka kohë të vështira, ju ftoj edhe ju që të bëheni pjesë e zbulimit të kësaj të vërtete, që ishte edhe një nga thirrjet e bëra sot nga ambasadori Lu dhe dua t’i përsëris mesazhin çdo shqiptari që të lexojë qartë mesazhet e partnerëve tanë, qëndrimet e partnerëve tanë.
Si dhe t’i bëjë thirrje Edi Ramës të heqë dorë nga përpjekjejet e dëshpëruara si i mbyturi pas fijes së kashtës, për të keqinterpretuar qëndrimet që janë të qarta. Mbështetje totale për hetimet, mbështetje totale për prokurorinë, dënim të mbrojtjes së çdo politikani që hetohet për krimin dhe drogën, përmes imunitetit parlamentar. Siç ndodhi dje nga Parlamenti shqiptar, nga mazhoranca shqiptare me një votë të turpshme. Dhe ky është rekordi historik: në 24 vite që prej vitit 1994 ky është rasti i parë kur një politikan mbrohet nga mazhoranca e tij, ndërkohë që drejtësia ka kërkuar arrestimin për akuzën e bashkëpunimit për trafikun e drogës në një grup të strukturuar kriminal dhe korrupsion pasiv.
Ky është një alarm i madh i kuq i ndezur në çdo kancelari dhe në çdo qendër të partnerëve tanë, të cilët janë krah shqiptarëve dhe me të cilët në krah ne do të vazhdojmë deri në fund betejën që sapo ka nisur për çmontimin e narko-shtetit dhe kupolës mafioze në pushtet. DRON.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY