AGRON GJEKMARKAJ/ Kompromisi i mundimshëm i Ramës me Tahirin, por gegofobia me...

AGRON GJEKMARKAJ/ Kompromisi i mundimshëm i Ramës me Tahirin, por gegofobia me prokurorët tropojanë…

256
0
Shares

Kryeministri Edi Rama mbetet gjithmonë një publicist i mirë! Në përgjithësi, deklaratat e tij janë të kuruara nja pikëpamja stilistike. Ato, zakonisht janë një “kurth” i mirë propagande. Në thepat e tij, bien ata që duan të bien prej sharmit ideologjik dhe, sidomos, naivët e dashuruar me spikamën e fjalëve plot kumbim. Natyrisht, kësaj magjepsjeje nuk i shpëtojnë as ndoca teveqelë mejhanesh, të cilët mbushin ditën me të tilla ojna.
Në rastin e çështjes Tahiri, po të analizosh tekstet e komunikatave të shtypit që shefi i ekzekutivit, brenda një jave, ka lëshuar, çdokush ka mundësinë të zbulojë makthin, frikën, transformimin, si protagonistë të dorës së parë në dramën “Hashashi”, që shkroi ai së bashku me ministrin e tij të Brendshëm, me qeverinë e tij dhe “policinë që duam”! Tri deklaratat e para erdhën njëra pas tjetrës, duke himnizuar kultin e drejtë- sisë, pa kursyer askënd! Paraqitej Rama si bujk duke lëruar arat e misterit me qetë e parmendës socialiste, për të kërkuar të vërteten, që është fshehur thellë, si rrënjë bunge në djerrinat e Shqipërisë.
Tjetër herë, si një sharrëxhi në pyllin e vesit ku do t’u bënte gjëmën ferrave, drizave, hithrave, por mbi të gjitha “drurëve të shtrembër” që rrezikonin gjithë turren të plandej përdhe me zallamahi, aq sa me gjasmë zhurma e saj do të shurdhonte të madh e të vogël! Sipas gjithë atyre që dinë të lexojnë, “druri i shtrembër” paskësh qenë Saimir Tahiri. Taulant Balla, tanimë numri dy i PS-së veç me një njësh, pat deklaruar, i tejmbushur me aso fryme, se grupi parlamentar i maxhorancës do t’i hapë rrugë drejtësisë. Të tjerët heshtnin plot turbullim e ankth, të vetëdijshëm se kjo re e zezë do të zmbrapsej me shi e breshër. Dikur, Tom Doshin e lëshuan veç për një fjalë goje, për një fjali, për një përshtypje a bindje, sikur të ishim në vitin 1947. E lëshuan se u rrezikohej pushteti, të cilin e mbanin me mbështetjen e LSI. Edhe tani pushteti rrezikohet dhe për ta ruajtur duhet veprimi i kundërt, mbajtja dhe mbyllja me çelës i të vërtetave komprometuese që mund të zotërojë Saimir Tahiri. Përjashtimi nga “grupi parlamentar” dhe funksionet në PS janë kompromisi i arritur me mundim.
“Druri” befas u ndreq. Rama filloi të tërhiqet për të rimarrë përsëri në mbrojtje Tahirin duke sulmuar dhe kërcënuar me egërsi Prokurorinë. Pas tij, i gjithë estabilshmenti doli nga kllapia. Disi të tulatur në fillim, në efektin e mpirjes që shkakton gënjeshtra, dolën studiove zërat e parë! Sa më shumë distancoheshin nga turpi, aq më të sigurt bëheshin për ta bërë të bardhën të zezë.
Saimir Tahiri, me gjasë, luajti gjithçka për gjithçka, pse jo me kurajë! Në fillim u shfaq si viktimë, pastaj si “hero”! Ndjeu vetminë dhe braktisjen. Por e paralajmëroi opinionin “që s’keni parë gjë akoma”! Në fakt nuk kishim parë asgjë akoma. Një cirk plot me palaço pa na mban para televizioneve.
Për një ndryshim kaq radikal, fshihet një kërcenim radikal. Ai duhet t’i ketë bërë të qartë Kryeministrit se, nëse ai dorëzohej, do të merrte me vete edhe atë vetë. Rama zgjodhi strategjinë e vjetër, atë të goditjes politike mbi drejtësinë. Alibia e Reformës në Drejtësi u bë tym hashashi. Me tre prokurorët tropojanë, të cilët lanë për të dëshiruar me përjashtim të zonjës Imeraj, filloi një linçim i vërtetë mediatik.
A thua së është faj të jesh nga Tropoja dhe së Tropoja nuk është pjesë e Shqipërisë?! Gegofobia e ka shoqëruar që në ngjizje të majtën shqiptare. Këtë ndjenjë, gati kriminale, e ka shndërruar shpesh në mjet sundimi sipas formulës përça e sundo.
Rama dhe Ruci i mundësuan Tahirit të sillet si “gjykatës” nga Tepelena, mbi prokurorët nga Tropoja. Natyrisht, ajo treshe dukej qartë se gjendej nën një trysni të pazakontë. Ata e dinë që një akt i tillë i ekspozon ata dhe familjarët e tyre. Nuk mungoi përpjekja për t’iu bërë biografitë familjare dhe për t’i kontekstualizuar ato me ngjarjen. Në këtë vend s’të mbron askush, as ligji, as shteti, as politika, thjesht të përdorin dhe të hedhin në mes të rrugës. Politikanët shqiptarë, në shumicë, janë krijesa të pështira, të cilët kanë veç bark dhe asnjë organ tjetër. Po kaq, shoqëria ka dëshmuar jo pak herë në histori se brohoret më të fortin e momentit dhe jo të drejtin. Këtë e ka provuar dikur në kurrizin e tij Edi Rama.
Çdokush mund të bëhet pjesë e bisedave të malavitjes, i përfshirë ose jo brenda saj. Këtu nuk bën përjashtim as Saimir Tahiri, të cilit duhet t’i garantohet çdo e drejtë ligjore për një proces të drejtë. Tahiri nuk duhet linçuar, por duhet hetuar e gjykuar në mënyrë të paanshme. Personalisht, mendoj se Tahiri nuk është më i keq se disa prej ministrave të kabinetit Rama dhe ka të drejtë kur e pretendon këtë. Tek e fundit, vetë ai ishte një vartës dhe ka një shef mbi koke.
Por, njëkohësisht nuk duhen linçuar as prokurorët dhe as sistemi i rrënuar i drejtësisë. Do të ishte më dinjitoze që Tahiri të shpallej i pafajshëm nga drejtësia se sa nga Edi Rama, i cili e përjashtoi nga “grupi parlamentar” si distancim formal. Ajo çka shton dilemat dhe forcon dyshimet që dalin nga dosja “Habilaj”, është parahistoria, koha e mandatit 2013-2017, ku e gjithë Shqipëria u shndërrua në hambar të hashashit dhe qendër të trafikut Europian.
Kjo e rëndon Kryeministrin, ish-ministrin dhe Policinë. Kjo i çmend dyshimet dhe arsyetimet. Kjo e ndez fantazinë dhe trazon paqen e mendimit. Kjo e bën atë dosje të besueshme përtej asaj çka do të ndodhe me të! Me stërmundim, me djersët çurg, me kosto të lartë, ngjan se “druri” u ndreq, por Edi Rama u shtrembërua, u kërrus, një gungë si e gungaçit të Notre Dame do t’i rendojë, teksa çapitet korridoreve të pushtetit. Ai e di këtë, po s’ka rruge tjetër. Mirëkuptojeni!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY