DETAJE/ Rëndohet pozita e Saimir Tahirit, shtohet lista e “dëshmitarëve vullnetarë” ndaj...

DETAJE/ Rëndohet pozita e Saimir Tahirit, shtohet lista e “dëshmitarëve vullnetarë” ndaj ish-ministrit të Brendshëm

619
0
Shares

Pas dëshmitares B., oficeres së policisë që ka shërbyer gjatë në një prej sektorëve të veçantë të policisë, por në Drejtorinë e policisë së Vlorës, tashmë duket se janë edhe disa persona të tjerë që kanë dëshmuar gjerë e gjatë mbi trafikun e drogës dhe implikimin e një sërë drejtuesish të lartë të policisë, oficerë e deri tek implikimi i vetë ish-ministrit. Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke parë nxjerrjen e sekretit hetimor që ndodhi në rastin e oficeres B., tashmë ka mbyllur të gjitha kanalet e komunikimit me të gjithë aktorët që mund t`i nxjerrin të dhëna komprometuese me punën e hetuesve për çështjeve jetike të vendit tonë.
Burimet kanë bërë me dije ditën e djeshme se Prokuroria ka mundur të marrë në pyetje një mori personash, emrat e të cilëve kanë dalë nga përgjimet, mes tyre edhe punonjës që kanë shërbyer që nga kultivimi e deri te paketimi i mallit që më pas do të nisej në drejtim të Italisë, apo nga kishin rrugën anëtarët e bandës, mbi aktivitetin e të cilëve, tashmë, varet një prej momenteve kyç të bërjes drejtësi për vendin tonë ndaj mafies që ka kapur majat e shtetit.
Burimet, ndonëse në mënyrë mjaft të rezervuar, tregojnë se janë në listë për tu pyetur edhe me dhjetëra persona të tjerë, duke filluar në Vlorë e duke vijuar deri në Sarandë, Lezhë e Shkodër, të cilët gjenden të implikuar në biseda dhe përgjime gjithfarësh që ka të dokumentuar tashmë dosja voluminoze prej mijëra faqesh e Prokurorisë së Katanias. Nuk dihet konkretisht se çfarë roli kanë patur personat që kanë dëshmuar për hetimin, por mësohet që janë dëshmi të rëndësishme, dëshmi që mund të sigurojnë edhe status për ndonjërin prej tyre.

Oficerja, në përgjime
Gruaja B., mësohet se ka dalë gjatë përgjimeve që italianët kanë bërë për disa nga prestarët e grupit që gjendeshin në krahun e Moisi Habilajt. Prokurorët kanë vënë në dispozicion të homologëve shqiptarë edhe një pjesë bisede të transkriptuar ku del emri dhe biseda e saj me një nga trafikantët, bisedë që gruaja është kujdesur duke i treguar teknikat e përgjimit personit me të cilin po fliste për punët e grupit. Në fakt, italianët janë kujdesur për të mos sjellë publikisht pjesë përgjimesh me rëndësi të madhe për hetimin, sikur ta kishin ditur se sekreti i madh do të dilte pikërisht nga deputetët e Komisionit, të cilët janë të betuar që mos të nxjerrin pikërisht këtë sekret!

“Dosja e 2005”, Tahiri e dinte që kushëriri ishte i gjykuar për drogë
Ministri Tahiri asnjëherë nuk e ka pranuar publikisht që kishte dijeni që njerëzit e tij të afërt me të cilët kishte nisur të bënte shitje-blerje mjetesh personale e më pas edhe të lëvizte jashtë vendi me ta të ishin të dënuar apo edhe me precedent penal. Në fakt ai i mëshoi këtij fakti edhe në daljen publike të pas plasjes së skandalit ku vijoi të tregonte se ai familjen Habilaj i kishte kushërinj të largët dhe se asnjëherë nuk kishte pasur dijeni që ata kanë qenë të dënuar. Në fakt, kushdo e ka ditur që ka ekzistuar një vendim gjykate, i Gjykatës së Vlorës, që e ka dënuar Moisi Habilajn, ndonëse vetëm për moskallëzim krimi dhe që gjithçka lidhej me gjurmë gishtash nëpër pakot e drogës.
Kështu sipas të dhënave hetimore mësohet se Moisi Habilaj ka qenë i dënuar për trafik droge në vitin 2005, kohë kur kishte vuajtur një dënim prej 10 muajsh burg për trafik droge. Vendimi ishte marrë nga Gjykata e Vlorës në datën 4 nëntor 2005. Hetimet zbuluan një gjurmë gishti të Habilajt në pakot e drogës, por Gjykata e Vlorës e ka dënuar aso kohe me 10 muaj e 20 ditë burg për akuzën e “moskallëzimit të krimit”. Padijeninë për implikime të mëparshme të vëllezërve Habilaj, Tahiri e përsëriti edhe intervistën e tij të pake netëve më parë në “Opinion”, ku pranoi si gabim të tij faktin që nuk kishte kryer verifikime.
“Unë duhej të kisha kërkuar mirë kujt po ia shisja makinën. Pa paragjykuar fare dhe pa menduar se kjo makinë u ishte shitur ca njerëzve që kanë aktivitet kriminal, më shkoi mendja që të kërkoja makinën time dhe të shkoja me pushime.
Kjo më ngarkon me përgjegjësi morale pa asnjë diskutim, por jo me faj”!
Lidhjet e Habilajve me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe përmendja e tyre si kontigjentë të policisë në kultivimin e kanabisit u denoncuan për herë të parë në publik nga ish-oficeri i Antidrogës në Vlorë, Dritan Zagani në vitin 2015. Sipas Zaganit, vëllezërit Habilaj lëviznin me makinën e ministrit të Brendshëm dhe ishin të paprekshëm nga policia e Vlorës, ndërsa u tha se ai mjet ka dyshime që ka kryer edhe trafik droge. Mjeti është një nga elementët e pakontestueshëm të implikimit të Tahirit në historinë e trafikut ndërkombëtar të drogës.

“Dosja Habilaj” dikur, implikimi i kushërinjve të Tahirit
Procedimi penal që mban numrin 165 i vitit 2005 në ngarkim të të pandehurve Shpërblim Alliu, Moisi Habilaj, Flamur Zeka dhe Ylli Hoxha tregon se lënda narkotike e ndarë në 54 pako që peshonte 53 kilogramë u gjet në shtëpinë e shtetasit Mustafa Alliu në fshatin Panaja të rrethit të Vlorës. Nga deklarimet e shtetasit Mustafa Alliu ka rezultuar se kjo sasi droge i përkiste të pandehurit Shpërblim Alliu.
Nga ana e prokurorisë u tha aso kohe se: “Është kryer përpunimi kimiko-fizik i sipërfaqeve të brendshme dhe të jashtme të pakove me lëndë narkotike dhe ka rezultuar në shiritin e dytë të natribanit, nga ana e brendshme, se u gjetën dy gjurmë të cilat i përkisnin njëra të pandehurit Moisi Habilaj dhe tjetra te pandehurit Flamur Zeka. Në njërën prej sipërfaqeve të mëdha të pakove është gjetur gjurma e pëllëmbës së të pandehurit Shpërblim Alliu, ndërkohë që gjurmë gishti ka pasur edhe i pandehuri në atë kohë, Ylli Hoxha”.
Sipas vendimit të Gjykatës që pasoi këtë procedim, Moisi Habilaj ka pranuar se ai kishte dijeni për sasinë drogës, pasi në një vizitë në shtëpinë e Alliut ai e kishte hapur ngjitësin! Shekulli

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY