DEBATI/Zbardhet debati i plotë mes Pollos dhe Bushatit, ja si nisën polemikat...

DEBATI/Zbardhet debati i plotë mes Pollos dhe Bushatit, ja si nisën polemikat dhe zemërimi i ministrit

205
0
Shares

Debati i ashpër që u zhvillua sot në Kuvend në komisionin e integrimit ka zënë të gjitha mediat për orë të tëra. Droni.al ka arritur të sigurojë të gjithë debatin e zhvilluar mes kryetarit të Komsionit Genc pollo dhe ministrit Ditmir Bushati.

Gjithcka nisi kur Pollo ka theksuar se krimi i organizuar në Shqipëri është i lidhur me politiknë në pushtet.

 

Genc Pollo – Thuhet se problemi në Shqipëri nuk është krimi i organizuar, siç e tha ministri,  ai ekziston gjithandej, por lidhja e tij me politikën në pushtet. Ky është shqetësim i madh i opozitës, por edhe më gjerë. Gjë që nuk u trajtua, kam përshtypjen, siç duhet.

Ditmir Bushati – Më falni, ju nuk jeni në pozitën as për të më komentuar mua, as për të më vënë notën mua, sepse nuk jemi mësuesi me nxënësin këtu.  Kjo është një çështje që ju mund ta bëni në fund kur ju të keni seancën që të bëni komente. Domethënë, dua të mos luajmë me durimin e njëri-tjetrit, sepse unë mund të rri dhe t’ju flas për këto çështje me orë të tëra. Jam në dispozicionin tuaj të rri dhe t’ju shpjegoj detaje të këtij procesi e gjëra të tjera, sepse është profesioni im, zoti Pollo, por në rast se  do të tentoni për t’u vënë notë përgjigjeve të mia, atëherë durimi im do të ketë kufi dhe kam frikë se cinizmi do të prevalojë durimin.

Genc Pollo – Faleminderit për durimin dhe kohën që na vini në dispozicion, zoti Ministër! Standardi më i lartë i një komisioni të tillë lipset të jetë ndershmëria, në radhë të parë, dhe pastaj virtytet mund të vijojnë.

Ditmir Bushati – Po, por ju jeni rasti më i keq i kutit të ndershmërisë. Më falni, që po jua them.

Genc Pollo – Kjo është e papranueshme, zoti Ministër. Ju silleni si halabak.

Ditmir Bushati –  Kjo mund të jetë e papranueshme, por ky është qëndrimi im, meqenëse doni të bëni koment mbi njëri – tjetrin.

Genc Pollo – Jeni personi më i papërshtatshëm për atë post dhe për të thënë gjëra të tilla, zoti Bushati.

Ditmir Bushati – Këtë nuk e vendosni ju, këtë e vendos Kryeministri, këtë e vendosin shqiptarët me votë.

Genc Pollo – Po ashtu edhe kriteri i ndershmërisë.

Ditmir Bushati –  Por  ju mos u prekni kur unë vë në dukje faktin që paraardhësja juaj ka bërë një punë të paqme dhe të dobishme, sepse në fund të ditës ne duhet të mësojmë nga njëri- tjetri dhe duhet të çojmë eksperiencën përpara. Mos u xhelozoni! Ka vend për të gjithë.

Genc Pollo – Kriteri i ndershmërisë ka të bëjë me qëndrimin e  së vërtetës dhe fshehja e pisllëqeve nën qilim, nuk i shërben as ndershmërisë, as publikut.

Ditmir Bushati – Zoti Pollo, nuk kam asnjë lloj dëshire, asnjë lloj ngasjeje që të hyj në një debat shterpë pa kurrfarë substance në përmbajtje, por mund t’ju them vetëm një gjë, që të respektojmë etikën dhe të mos i vëmë notë njëri –tjetrit. Është e drejta juaj të mos jeni i kënaqur fare me përgjigjet e mia. Është e drejta juaj të ndjeheni i dëshpëruar që ka një qeveri  iks dhe ka një përbërje ipsilon. Ju nuk e zgjidhni dot qeverinë, unë nuk e zgjedh dot opozitën. Unë kam zgjedhur rrugën e bashkëpunimit, por duke respektuar disa standarde. Ju lutem shumë, respektojini! Unë nuk i qëndrova strikt as Rregullores, as shkresës suaj,  nuk u mora me asgjë. Unë po u përgjigjem të gjitha pyetjeve që po vijnë këtu dhe po ju them më doni një herë në dy muaj, një herë në tre muaj, një herë në katër muaj, do t’ju vij këtu për çfarë keni dëshirë ju për të diskutuar. Doni që të marrim fjalimin 26 faqesh të Makronit, doni të marrim të përbashkëtat mes Makronit dhe  Junkerit, doni të diskutojmë qëndrimin gjerman, doni qëndrimin holandez, të gjitha gjërat jam i gatshëm t’i diskutojmë me dyer të hapura, me dyer të mbyllura, por nota dhe komente ndaj njëri-tjetrit, të mos i vendosim këtu.

Genc Pollo – Ishit ju i pari që provokuat me sjellje prej rrugaçi, Ditmir Bushati!

Ditmir Bushati – Së pari, ne nuk mund të vazhdojmë dot…

(Ndërhyrje pa mikrofon)

Genc Pollo – Do të përgjigjeni dhe do të merrni fjalën kur të pyeteni. Ka mundësi, ju lutem, të lejojmë zotin Dule të flasë?

Ditmir Bushati – Epitete të tilla nuk kanë fare lidhje me mua dhe shpresoj të mos kenë lidhje as me ty, por makthi që ju ka kapur e që flisni për krimin, drogën etj., ju bën të arrini në këto konkluzione.

Në rast se ju nuk tërhiqni epitetin që bëtë ndaj meje, sepse unë jam njeri me dinjitet, do ta lë këtë mbledhje, sepse kjo mbledhje duhet të bëhet mbi parimin e etikës së komunikimit. Unë nuk ju fyeva, por thashë nuk lejoj që dikush këtu të vërë notë për përgjigjet e mia. Përgjigjet e mia mund të mos ju pëlqejnë, ndërkohë epitetet e tipit…

Së pari, më nderon shumë kur më thërret në emër dhe mbiemër, sepse unë jam krenar për to.

Së dyti, po e përsëris, që nuk lejoj askënd, as ty, as Saliun tënd të më thoni rrugaç. Në rregull? Për sa kohë ti nuk kërkon ndjesë, unë nuk përgjigjem dhe nuk marr pjesë në këtë mbledhje ku ti nuk je i interesuar për të mësuar, diskutuar dhe debatuar me mua, por je i interesuar për të më fyer.

Mua nuk më fyen dot, zoti Pollo, sepse unë të drejtohem ty, si kryetar i këtij komisioni. Kafen, drekën dhe darkën di unë me kë i ha! Këtu më trajton vetëm si ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë. Për sa kohë nuk e ke kriterin elementar të edukatës, unë nuk mund t’u përgjigjem pyetjeve të tua dhe s’mund të vazhdoj të bëj në këtë seancë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Kërkoj ndjesën nga ana jote për epitetin që më vure, sepse është turp që në shekullin e 21 ne vijmë në këtë standard. Mos u ndiej i provokuar fare për atë që unë thashë për zonjën Bregu, me të cilën kam pasur debate shumë të ashpra, por asnjëri nga ne nuk e kemi kaluar cakun e etikës.

Po ta përsëris edhe një herë tjetër, nuk je ti kuti për vlerësimin e ndershmërisë time, sikurse nuk jam as unë për ndershmërinë tënde. Mund t’i bëjmë komente njëri-tjetrit, por ti nuk je kuti që më tregon ndershmërinë intelektuale, ndershmërinë për fshehjen e pisllëqeve etj., etj.. Nuk kam ndër mend t’i hyj ndonjëherë kësaj çështjeje, sepse shqiptarët nuk kanë interes të dinë cili je ti, apo cili jam unë! Shqiptarët kanë interes të dinë se çfarë prodhojmë ne për ta. Po ta them edhe një herë tjetër, në rast se nuk më kërkon ndjesë, do të largohem nga ky komision dhe nuk do të ketë mbledhje komisioni ku ti thyen etikën. Në familjen tënde, në shtëpinë tënde politike, bëj ç’të duash, nuk më intereson, pavarësisht se Partinë Demokratike unë personalisht e konsideroj pasuri publike.

Në këtë hapësirë që ndajmë së bashku, ktheje fjalën mbrapsht që të vazhdojë kjo mbledhje!

Genc Pollo –Zoti Ditmir Bushati, je i ftuar në këtë mbledhje për të shpjeguar funksionet që mbulon, dhe në mënyrë të paprecedentë në përvojën time parlamentare…

(Ndërhyrje e zotit Bushati pa mikrofon)

Ka mundësi të mos flasësh! Fole 10 minuta pa të ndërprerë njeri, fole pa leje përsëri 10 minuta të tjera, prapë nuk të ndërpreu njeri…

Ditmir Bushati – Mos më thuaj mua se unë e marr fjalën sa herë të dua. Ule gishtin dhe kërko ndjesë dhe gishtin…

Genc Pollo – Lëre mikrofonin…

Ditmir Bushati – Hiq edhe dy gishtat madje…

Genc Pollo – Lëre mikrofonin…

Ditmir Bushati – Kërkoni ndjesë të madhe për ndotjen që prodhove këtu…

Genc Pollo – Lëre mikrofonin. Po qe nevoja, do të thërrasim edhe shërbimet e gardës…

Ditmir Bushati – Lëri shërbimet e gardës, se nuk i thërret dot ti shërbimet e gardës.

Genc Pollo – Edhe mikrofonin..

Ditmir Bushati – Jo, nuk e mbyll mikrofonin pa kërkuar ndjesë për fjalorin prej një vagabondi që përdorët ndaj meje.

Genc Pollo – Zoti Bushati, në mënyrë të paprecedentë ke ofenduar kryetarin e komisionit që të ka ftuar në dëgjesë…

Ditmir Bushati – Jo, unë nuk kam fyer askënd dhe po të them Saliun…

Genc Pollo – …duke folur për ndershmërinë e tij…

Ditmir Bushati – … kuq nuk e bën dot me mua, këtë po të them. Saliun kuqs nuk e bën dot me mua. Erdha këtu për t’i shërbyer popullit, për t’i dhënë përgjigje secilit prej jush, por fjalorin rrugaç, arrogant, vagabond, që u përdor këtu nga ana juaj për mua, unë nuk e pranoj dot, sepse unë dua të mbroj dinjitetin e shtetit shqiptar, dinjitetin tim dhe nuk e duroj dot këtë, e refuzoj këtë çorbë. Po të them se kjo i shkon vetëm Saliut. Sali kuqs unë nuk kam njohur, po shoh sot.

Genc Pollo – Më vjen keq zonja dhe zotërinj që…

Ditmir Bushati – Po të them se është apeli i fundit që të bëj…

Genc Pollo – …dinjiteti i shtetit shqiptar shkelet…

Ditmir Bushati – … në mungesë të nënkryetarit, po të them. Në rast se nuk…

Genc Pollo – … me këmbë nga një njeri i tillë që fatkeqësisht mban ofiqe të rëndësishme…

Ditmir Bushati – … kërko ndjesë për fjalorin që përdore, unë nuk jam më i gatshëm për të vazhduar këtë mbledhje! Për të gjithë kolegët e opozitës dhe të partisë sime jam i gatshëm në çdo moment, por debati duhet bërë brenda caqeve etike. Nuk e pranoj epitetin “rrugaç”, e kthej mbrapsht me neveri dhe merre mbrapsht po të them, në qoftë se do që kjo seancë të vazhdojë. Në rast se kjo seancë nuk vazhdon, ti dhe askush tjetër nuk e vazhdoni dot duke shkelur mbi dinjitetin tim. Ti mund të mos kesh asnjë lloj konsiderate dhe s’dua që të kesh konsideratë për mua. Për mua është privilegj që të mos kesh ti asnjë lloj konsiderate, por këtu unë jam si ministër i Jashtëm dhe përballë të kam ty si kryetar komisioni. Prandaj, jam duke pritur që ta marrësh mbrapsht atë që the, epitetin që the, në qoftë se do mbledhje…

Genc Pollo – Mbyllni mikrofonat, zoti Ministër!

E para e punës në këto komisione përdorim numrin shumës që të fillojmë nga elementet bazike të edukatës.

E dyta e punës, është e fundit gjë që një i ftuar, përfshi edhe ministër, mund t’i thotë kryetarit duke gjykuar ndershmërinë e tij…

Ditmir Bushati – Çfarë i thashë kryetarit?

Genc Pollo – Privatësisht ju mund të mendoni çfarë të doni, personalisht mund të keni idetë tuaja, shprehje e thënë në mikrofon, të gjykosh ndershmërinë e kryetarit…

Ditmir Bushati – Më fal, kush e gjykoi, e gjykove ti i pari…

Genc Pollo – … vetëm një person me edukatë rrugaçi mund ta shprehë. Ishit ju i pari që e thatë, askush nuk ju cenoi personalisht. Mund të mos kemi qenë dakord…

Ditmir Bushati – Zonja dhe zotërinj,  kolegë deputetë, ju kërkoj…

Genc Pollo – … me mënyrën se si e parashtruat, por personalisht nuk ju akuzoi asnjeri gjersa ju e thatë…

Ditmir Bushati – …shumë ndjesë për veprimin abuziv të kryetarit të këtij komisioni. Pres ndjesën publike nga ana e tij për t’u rikthyer në këtë komision përballë jush. Jam i gatshëm në çdo orë të ditës, interpelancë, seancë pyetje, e të tjera. Për sa kohë nuk ka një ndjesë nga ana e kryetarit të këtij komisioni, unë nuk vazhdoj dot të jem në këtë ambient të ndotur nga ana e kryetarit të komisionit. Për hir të së vërtetës, shyqyr që ka medie këtu, u fol për ndershmërinë dhe për kriteret e ndershmërisë dhe erdhi kundërpërgjigjja ime, kundërpërgjigjja ime ku ju thashë dhe ju rithem që nuk jeni ju kuti matës i ndershmërisë dhe kjo gjë nuk ka të bëjë fare me fyerjet ndaj jush dhe si kundërpërgjigje e kësaj erdhi përgjigjja juaj. Po jua them edhe një herë tjetër, Saliu u bë 74, u bëftë 100 vjeç! Sali kuqs nuk shkon, ka marrë fund ajo kohë.

Faleminderit!

Genc Pollo – Vazhdoni atëherë. Është fatkeqësi që kemi njerëz të tillë,  kolegë socialistë, halabak komplet.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY