“Policia ishte 50 m larg vendit të ngjarjes dhe nuk bëri asgjë. I la katër kriminelët të iknin. FNSH-ja rrinte para spitalit, thua se do të ruanin të vdekurit. U thashë të bënin detyrën, të ndiqnin katër autorët që më ekzekutuan nipin. U thashë ndiqini deri te Plasmasi se aty do i kapni, por nuk lëvizën nga vendi. Jurgeri nuk është trafikant droge, ashtu siç thuhet dhe as kriminel, por i pafajshëm. Ne kërkojmë zbardhjen e ngjarjes, nuk do bëjmë vetëgjyqësi”.
Kështu deklaroi dje Genc Hoxha, xhaxhai i Jurger Hoxhës, i cili u ekzekutua me breshëri kallashnikovi pasditen e së mërkurës në lagjen “Loni Dhamo” të qytetit të Lushnjës, në vendin e quajtur “Ura e Përroit”. Në këtë ngjarje të rëndë që tronditi opinionin publik mbeti i vrarë edhe Zamir Latifi, ndërsa u plagos 26-vjeçari Marjus Xhepexhiu dhe kalimtari i rastit, Bujar Turku, 66 vjeç.
Ndërkohë, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, xhaxhai i 26-vjeçarit Jurger Hoxha pohoi se në atentat morën pjesë katër persona, tre prej të cilëve kanë zbritur nga makina dhe kanë qëlluar me kallashnikov mbi të rinjtë që ndodheshin para lokalit bar kafe. Biznesmeni dhe njëkohësisht avokati Genc Hoxha u shpreh se familja e tij është persekutuar e ngujuar nga të gjitha sistemet që nga viti 1999 e deri tani në 2017. Ai tha se ndihen të kërcënuar me jetë dhe se kërkojnë mbrojtje e siguri nga shteti.
Dy ditë më parë nipi juaj Jurgeni humbi jetën në një atentat në qendër të qytetit. Çfarë mund të na thoni për ngjarjen, e cila ka tronditur gjithë opinionin publik?
Nipi im e ka emrin Jurger dhe jo Jurgen. Ai ishte kthyer nga Belgjika tri javë më parë dhe jo një javë, siç keni thënë ju në mediat. Ai shkoi si turist në Belgjikë, siç mund të shkojë çdo qytetar tjetër dhe nuk është e vërtetë se është marrë me drogë. Ishte tek i afërmi i tij, djali xhaxhit, pra tek nipi tjetër i imi, i cili jeton në Belgjikë dhe është i martuar me një shtetase belge. Nuk është e vërtetë se ai është i përfshirë në trafik droge. Jurgeri ishte thjesht një kalimtar i rastit në vendin ku ndodhi ngjarja. Ishte rastësisht aty.
Ju thoni se nipi juaj ishte kalimtar i rastit, ku po shkonte Jurgeni dhe pse ishte tek lokali ku ndodhi masakra?
Nipi po shkonte për vizitë tek motra ime, pra tek halla e tij, e cila e ka shtëpinë afro 15 metër larg vendit ku ndodhi masakra. Ai ka parë djemtë që po rrinin para lokalit dhe ka ndaluar sa për t’i përshëndetur. Janë takuar siç takohen çunat këtu në Lushnje.
Çfarë ndodhi më pas?
Ai ishte duke e pirë kafen në këmbë, kur nga një makinë kanë zbritur tre persona të armatosur e me kallashnikovë në duar. Këta kanë qëlluar menjëherë në drejtim të vendit ku ishte nipi me djemtë e tjerë, të njohur me njëri-tjetrin. Ndërsa një person tjetër ka qenë në makinë. Pra, kanë qenë katër persona. Dhe bënë atë që bënë. Krismat e armëve u dëgjuan deri këtu tek lokali dhe shtëpia ime. Ne shkuam në vendngjarje, por policia nuk na la të afroheshim. Policia ishte 50 metër larg, por nuk bëri asgjë.
Si nuk bëri asgjë?
Nuk bënë asnjë përpjekje për t’i kapur kriminelët, por i lanë të iknin. Policia ndaloi një person që nuk kishte vënë rripin dhe nuk i ndoqi autorët, të cilët u larguan. Unë u revoltova pa masë dhe u fola policëve.
Çfarë u the?
U thashë mos rrini këtu, por ndiqni kriminelët. Shkoni tek ‘Plasmasi’ se aty do i kapni. S’keni turp, s’keni!
Po FNSH-ja ishte në vendngjarje?
Po. Erdhën edhe ata, por rrinin para spitalit. A thua se do të ruanin të vdekurit. Dhe atyre u thashë ‘mos rrini kot këtu, por bëni detyrën, kapini vrasësit e nipit tim’. Po asgjë nuk bënë, asgjë. Ne nuk kemi mbrojtje nga shteti. Jo vetëm kaq, por përfshijnë edhe nipin tim në trafiqe droge. Jurgeri është i pafajshëm. Ai nuk është as përdorues droge dhe as shitës droge. Ai kishte vetëm 1.500 lekë në xhep kur e gjetën të pajetë në vendin e ngjarjes. Prindërit e tij i kemi ndihmuar ne, pasi jetojnë vetëm me lekët e pensionit. Jurgerin dhe vëllain e tij i kemi ndihmuar gjatë gjithë kohës, pasi im vëlla, Agroni është i sëmurë. Hajdeni tek shtëpia e Jurgerit dhe shikoni se nuk ka asgjë. Ndërsa, policia thotë se merret me trafik droge. Ai nuk është as përdorues dhe as shitës droge. Nuk ishte person me precedent.
Ku jetojnë prindërit e Jurgerit?
Ne jetojmë të gjithë në këtë ndërtesë 4-katëshe, ku kam lokalin dhe sipër shtëpitë. E kemi ndërtuar me punë. Gjithçka e kemi me djersën e ballit, pasi jam marrë me biznes. Gjithçka që thuhet, vjen nga zilia. Ne jemi 9 fëmijë (4 vëllezër dhe 5 motra). Prindërit na kanë edukuar e arsimuar të gjithëve. Na kanë mësuar të punojmë e të ngremë gjithçka me djersën e ballit. Dhe gjithçka që kemi ngritur, e kemi me djersën e ballit. Nuk kemi gjuajtur njeri me pëllëmbë. Unë e urrej vjedhjen dhe krimin. Pyetni për Jurgerin në Lushnje. Le të dalë vetëm një të thotë një fjalë jo të mirë për të. Ne na kanë persekutuar të gjitha sistemet. Kemi vuajtur shumë. Na kanë ngujuar që nga viti 1999 deri tani në 2017. Policia duhet të zbardhë ngjarjen, të kapë autorët e krimit dhe të mos merret me ne.
Pas vrasjes së dyfishtë, a janë pyetur prindërit e Jurgerit apo ju nga policia?
Askush nuk ka ardhur këtu. Askush nuk i ka pyetur prindërit e Jurgerit. Po ju them se nuk kemi mbrojtje. Nuk kemi siguri. Jemi të rrezikuar me jetë. Kemi frikë për jetën. Ata që vranë, do të vrasin sërish.
Cili është apeli juaj?
Të zbardhet ngjarja dhe të kapen kriminelët. Ne nuk do të bëjmë vetëgjyqësi. Kërkojmë mbrojtje nga shteti. Për këtë do i drejtohem kryeministrit Rama dhe të gjitha ambasadave.
Akuzat ndaj Policisë
“Policia nuk bëri asnjë përpjekje për të kapur kriminelët, por i la të iknin. Policia ndaloi një person që nuk kishte vënë rripin dhe nuk i ndoqi autorët, të cilët u larguan. Unë u revoltova pa masë dhe u fola policëve. U thashë mos rrini këtu, por ndiqni kriminelët. Shkoni tek ‘Plasmasi’ se aty do i kapni. U thashë: S’keni turp, s’keni! Ndërsa Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) rrinin para spitalit. Thua se do ruanin të vdekurit. Dhe atyre u thashë ‘mos rrini kot këtu, por bëni detyrën’. Asgjë nuk bënë, asgjë. Ne nuk kemi mbrojtje nga shteti. Jo vetëm kaq, por përfshijnë dhe nipin tim në trafiqe droge. Jurgeri është i pafajshëm”, tha xhaxhai i 26-vjeçarit të vrarë, Genc Hoxha.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/