SHËNIMET E TURISTES/ Shqipëria, vendi misterioz ku njerëzit jetojnë me 1 euro...

SHËNIMET E TURISTES/ Shqipëria, vendi misterioz ku njerëzit jetojnë me 1 euro në ditë

294
0
Shares

Bukuritë natyrore të Shqipërisë vazhdojnë të tërheqin vëmendjen e të huajve, të cilët surprizohen jo vetëm nga kombinimi i pazakontë i relievit, por edhe nga historia e saj e lidhur me të shkuarën komuniste. Impresionet e një udhëtimi në Ballkan, turistja ukrainase Veronika Melkozerova ka vendosur t’i ndajë me lexuesit.

***

Pushimet e mia në Mal të Zi filluan në një plazh që ndriçohej nga dielli dhe që përbëhej nga guralecë të vegjël në ngjyrë rozë, që i jepnin atij plazhi një bukuri përrallore, shkruan Veronika Melkozerova / kyivpost.com.
Këmbët e mia u zhytën në ujërat e ngrohta dhe të kristalta të Detit Adriatik. Sa më shumë të notoje dhe të largoheshe nga bregu, aq më të shumtë bëheshin miqtë që ti takoje, peshq me ngjyra ylberi, oktapodë dhe yje deti. Pasi notova aq sa nuk mundesha më, gjatë drekës u mrekullova me shijen e një prej pjatave tradicionale, të cilën në pamje të parë dhe nga përbërësit që kishte e cilësova si të çuditshme. Ajo ishte pulë e mbushur me mish të grirë dreri dhe domate të vogla, që në gjuhën malazeze njihen me emrin “paradise”.
Por Mali i Zi, anëtari më i ri i NATO-s, ka shumë e shumë gjëra dhe mundësi që mund t’i ofrojë një turisti me një buxhet modest, kështjella, ishuj, kanione të lashta dhe një tur në vendin më misterioz të Europës, në Shqipëri, një shtet që u mbajt i izoluar për pjesën tjetër të botës për më shumë se 40 vjet. Mali i Zi është një vend i vogël në Europën Juglindore në bregun e Detit Adriatik, në kufi me Serbinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën, Kroacinë dhe Shqipërinë. Shqipëria dhe gjashtë vendet e ish-Jugosllavisë, një bashkim socialist i shteteve në Europën Jugperëndimore që u shpërbënë në vitet 1990 pas konfliktit të gjatë dhe të përgjakshëm jugosllav, kanë qenë të gjitha të përfshira në luftërat shkatërruese për fitimin e pavarësisë.
Në vitin 2006, Mali i Zi u bë një shtet i pavarur. Përpos prirjeve të tij pro-ruse, gjatë këtyre 11 viteve pavarësi, ky vend me vetëm 650,000 banorë ka arritur të bëhet anëtar i Kombeve të Bashkuara, Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, Këshillit të Europës, Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore dhe tani është një prej anëtarëve themelues të Bashkimit për Mesdheun. Për një kohë të gjatë, Mali i Zi ishte një oaz pro-rus në Europën Juglindore me 250,000 turistë rusë që e vizitojnë atë çdo vit.
Por pasi u bë anëtari i 29-të i NATO-s më 5 korrik, Rusia vendosi sanksione të ndryshme mbi të, duke përfshirë edhe një ndalim mbi importin e disa mallrave. Megjithatë, turistët rusë do të jenë të mirëpritur në Mal të Zi, “për sa kohë që ata i sjellin para” shtetit malazez, shprehen vendasit. Mali i Zi është një vend agrar që përfiton shumë si pasojë e vendndodhjes së tij, jo vetëm si udhëkryq transporti, por edhe si një prej vendeve më tërheqëse për turistët. Për të shpëtuar një ekonomi të paqëndrueshme nga rënia e pasluftës, autoritetet lokale vendosën të fusnin monedhën gjermane dhe më pas euron si monedhë vendase.

Kolibri
Qytetet e Budvës, Kotorrit, Barit dhe fshatrat Rafailovici dhe Shën Stefan janë destinacionet turistike më të njohura dhe më të frekuentuara në Mal të Zi. Unë dhe bashkëshorti qëndruam në një hotel në Shën Stefan, një fshat i vogël pranë rezortit luksoz të Aman Sveti Stefan, i cili është i ndërtuar brenda një kështjelle mesjetare në një ishull, i cili fillimisht u hap në vitet 1960 dhe më pas u rihap në vitin 2011, 10 vjet pas përfundimit të luftës. Hoteli-ishull është i hapur vetëm për klientët të cilët mund të përballojnë të paguajnë 800 euro në natë për një suitë dhe 100 euro në ditë për të përdorur plazhin.
Ndërsa ne të dy i kaluam mbrëmjet tona ulur në plazh, duke pirë birrën vendase, Nickcisko, (që kushton një euro), dhe duke parë makinat e zeza të blinduara që hynin në Aman Sveti Stefan. Sipas vendasve në këtë hotel vijnë yje nga Hollivudi dhe ish-diktatorë të Europës Lindore. Brad Pitt e vizitoi këtë hotel në vitin 2013. Ndërsa ne nuk pamë asnjë VIP gjatë pushimeve tona në fshatin e vogël, por në vend të tyre takuam disa zogj kolibri, të cilët ishin duke i marrë nektarin pemës sonë të mimozës që kishim shumë pranë ballkonit ku po pushonim. I gjithë qëndrimi ynë në këtë fshat të vogël, na kushtoi rreth 800 euro për një javë. Mali i Zi është një vend me një kimë subtropikale.
Këtu nuk ka kopshte zoologjike me gjitarë, por zogj kolibri, pelikanë, zhapikë, gjarpërinj dhe kafshë të tjera ekzotike, të cilat përveçse në Parkun Kombëtar Dormitor dhe Liqenin e Shkodrës, mund të takohen edhe gjatë tureve në kanionet malazeze, apo edhe në rrugë. Kuzhina malazeze ofron proshutën më të mirë dhe ushqim deti të shumëllojshëm me çmime shumë të lira. Porcionet janë shumë të mëdha, prandaj bëni kujdes që të mos porosisni më shumë sesa do konsumoni.
Një herë ne porositëm atë që njihet me emrin “një pjatë deti për dy veta” dhe ata na sollën një kilogram me produkte deti, si karkaleca gjigante, midhje, rizoto me kallamarë dhe oktapod, dhe të gjitha për vetëm 45 euro. Një drekë ose darkë për dy persona mund të kushtojë deri në 30 euro në një prej restoranteve vendase në Shën Stefan dhe në Budva. Suveniri më i mirë që mund të merrni me vete nga Mali i Zi është një shishe vere vendase, Plantage, e cila kushton jo më shumë se 3 euro.

Një udhëtim për në Shqipëri
Kur ne u mbushëm plot me natyrën piktoreske, arkitekturën mesjetare dhe kuzhinën e Malit të Zi, guida jonë na sugjeroi të bënim një udhëtim në Shqipërinë e afërt, duke na folur për të si vendin më misterioz në Europë. Por shqiptarët, natyrisht, ishin një prej popujve më fatkeq, sepse kishin vuajtur nga një prej diktatorëve më të çmendur të Europës.
Enver Hoxha, udhëheqësi i Partisë së Punës, që erdhi në pushtet pas Luftës së Dytë Botërore, ishte një prej adhuruesve më të mëdhenj të diktatorit sovjetik, Joseph Stalin, në lidhje me mënyrën sesi ai qeveriste vendin e tij. Në fakt, Enver Hoxha, themeloi një qytet-burg dhe e quajti atë Stalin. Njerëzit që u dërguan në burgun e tij, ishin zakonisht ata persona që nuk u bindeshin rregullave të sistemit, donin të udhëtonin jashtë, meshkujt që mbanin mjekër etj.
Pas vdekjes së Stalinit, diktatori shqiptar, Hoxha, i pakënaqur nga refuzimi i Nikita Hrushovit në lidhje me adhurimin për stilin e qeverisjes së Stalinit, vendosi ta izolojë Shqipërinë nga bota. Ndërsa pjesa tjetër e Europës po e merrte veten dalëngadalë nga përfundimi i luftës, duke ndërtuar fabrika të reja, Enver Hoxha po ndërtonte në të gjithë vendin bunkerë. Duke menduar se Bashkimi Sovjetik apo SHBA-ja mund të fillonin një luftë bërthamore nga momenti në moment, Hoxha urdhëroi ndërtimin e 750,000 bunkerëve në Shqipërinë prej 28,748 kilometrash katrorë dhe me rreth 3 milionë banorë.
Me një prej këtyre bunkerëve unë u ndesha në oborrin e një kafeneje të vogël, ku u ndalëm sapo kaluam kufirin. Hoxha vdiq në vitin 1985, dhe në 1991 regjimi komunist u përmbys. Kufijtë më në fund u hapën dhe Europa u prezantua për herë të parë me një popull me njerëz të bukur, por pa rregulla të trafikut dhe pothuajse asnjë semafor, pasi ato ekzistonin vetëm në kryeqytetin e saj në Tiranë.
Edhe pse Shqipëria është një prej kandidateve zyrtare të BE-së, disa njerëz këtu vazhdojnë të jetojnë me vetëm një euro në ditë. Gjithashtu gjatë vizitës sime në Shqipëri, u befasova kur shikoja që një grua myslimane mund të merrte për burrë dikë që i përkiste një besimi tjetër fetar.
Ky vend është gjithashtu i famshëm edhe për perimet e tij të shijshme dhe të lira dhe bizhuteritë prej argjendi me cilësi të lartë. Nuk i rezistova dot dhe bleva një unazë argjendi të mbuluar me gurë të vegjël zirkoni dhe smeraldi, për vetëm nëntë euro. Një gjë tjetër që më pëlqeu ishte gjuha shqipe, e cila ishte shumë e veçantë dhe nuk ngjasonte me asnjë gjuhë tjetër. Monitor

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY