Detaje të tjera kanë dalë në dritë pas ngjarjes së ndodhur disa ditë më parë në qytetin e Lushnjës, ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë. Grupi hetimor i ngritur për ngjarjen e rëndë, ka marrë në pyetje edhe Sajmo (Sajmir) Xhelili, i cili dyshohet se mund të ketë qenë shënjestra e atentatit.
Xhelili ishte bashkë me dy të rinjtë që mbetën të vrarë, Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, por arriti të reagojë në kohë dhe u largua me shpejtësi, duke i shpëtuar atentatit. Po kështu, dyshohet se objektiv i atentatit mund të ketë qenë edhe Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, por telefonata e berberit që i la takim për t’u qethur, e nxori nga rrethi i rrezikut.
Është hera e dytë që Shkurti i shpëton sulmit me armë, pasi hera e parë ndodhi në shtator në vitit të shkuar.
Në dëshminë e tij para grupit hetimor, Sajmo Xhelili ka dhënë detaje të tjera për ngjarjen, duke bërë që të ndryshohet edhe dinamika e saj.
Ai rrëfeu se në momentin e atentatit ata nuk ishin ulur në lokal, ndryshe nga sa u tha fillimisht.
“Ne nuk ishim ulur në kafe. Po rrinim te një pemë në anë të rrugës. Xhulio sapo kishte ikur. Ne po bisedonim në këmbë kur një makinë ndaloi pak metra më larg (rreth 20 metra) dhe që atje doli një person me maskë të zezë në kokë, në duar mbante një armë automatike. Kur u afrua nja 6 a 7 metra, unë u largova me vrap pas ndërtesave. Të tjerët nuk mundën. Autori hapi zjarr dy herë me breshëri kallashnikovi, pastaj u fut në makinë dhe u larguan”, raportohet të ketë thënë Sajmo Xhelili para grupit hetimor.
Sipas të dhënave të Policisë, janë sekuestruar kamerat e disa bizneseve nga ku po hetohet dinamika. Ata që kanë qëlluar me armë kanë qenë Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili. Ndërsa një person tjetër i tretë ka shërbyer si drejtues i mjetit, që më pas u gjet i djegur në aksin Lushnjë – Berat.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/