TABELA & GRAFIKU/ Shtrenjtohet periferia e Tiranës, rriten çmimet e banesave me...

TABELA & GRAFIKU/ Shtrenjtohet periferia e Tiranës, rriten çmimet e banesave me 50 deri në 150 euro/m2

371
0
Shares

Për të gjithë ata individë, të cilët nuk mund të përballonin çmimet e shtëpive në qendër të Tiranës, ekzistonte një mundësi e dytë, periferia. Çiftet e reja, të cilët sapo kishin krijuar familjen, por edhe individë me të ardhura mesatare dhe poshtë kishin si alternativë më të përballueshme shtëpitë në periferi.
Por, muajt e fundit çmimet e apartamenteve në periferi të Tiranës në zonën e Yzberisht apo te Fresku janë rritur me 50 deri në 150 euro për metër katror. Nga 400 – 450 euro për metër katror, tashmë minimumi i çmimit të një apartamenti në periferi ka arritur në rreth 500 euro për metër katror.
Tendenca konfirmohet për “Monitor” si nga agjentët e pasurive të paluajtshme ashtu dhe nga sipërmarrësit që ndërtojnë në periferi.
Klajdi Memajdini, nga agjencia e pasurive të paluajtshme DevInf, tha për Monitor se ka filluar që periferia të shtrenjtohet. Sipas tij rritja, ndikuar dhe prej një kërkesës më të lartë për shtëpi, është deri diku artificiale. Kjo sepse logjikisht çmimi duhej të ulej me rritjen e dhënieve të lejeve të ndërtimit, e cila shton ofertën për apartamente në treg.
Rritje të çmimit ka konstatuar edhe Xheni Jahja nga Tirana Real Estate, e cila sipas saj po vjen edhe për shkak të kredive të zbutura për strehim. Nëse dikur çmimi për banesat në periferi ishte i negociueshëm, aktualisht nuk ka shanse që një pronë të shitet më pak se oferta fillestare, duke qenë se është rritur dhe kërkesa.
Në zonën e Yzberishtit, sipas agjencive të pasurive të paluajtshme, çmimi për metër katror fillonte nga 400 euro, ndërsa sot çmimi është rritur me 50 – 100 euro në varësi edhe të cilësisë së apartamentit.
Në unazën e re, apo siç njihet zona e Astirit, çmimi minimum fillon nga 500 euro për metër katror deri në 600 euro.
Periferia veri-lindore e Tiranës, apo ndryshe zona e Freskut, ka pasur gjithashtu një rritje të çmimit të banesave, në të njëjtin nivel me Yzberishtit (nga 400 në 500 euro/m2).
Ndërtuesi Hajredin Fratari, që ka kompleks pallatesh në periferi pohon gjithashtu se çmimet janë rritur në muajt e fundit nga 450 në 500 euro për metër katror. Ai thotë se ndikim kryesor ka pasur rritja e disa prej tarifave, si për shembull për të hipotekuar një pallat atij i duhet të paguajë gjashtë fish më shumë, 3.6 milionë lekë nga 600 mijë që paguante më parë. Ai shtoi se janë shtuar edhe taksat për Ujësjellës Kanalizimet, të cilat fillojnë dhe paguhen që në momentin që merret leja e shfrytëzimit. Kërkesa është nxitur dhe nga rritja e kreditimit për individë për blerje të pasurive të paluajtshme, kryesisht në lekë, ku sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vetëm në gusht, stoku i huas për kredi në lekë në gusht u rrit me rreth 7% me bazë vjetore.
Individët kanë përfituar dhe prej kredive të zbutura që ka dhënë Bashkia Tiranës. Sipas Xheni Jahja, qytetarët që kanë përfituar prej kredive të zbutura kanë blerë në periferi të Tiranës duke rritur kështu dhe kërkesën në periferi.
Ndryshe nga periferia, çmimet në qendër dhe brenda unazës nuk kanë shënuar rritje muajt e fundit, sipas të dhënave nga agjencitë e real estate.

Periferia, më e lira në rajon

Ndryshe nga qendra, zonat në periferi të kryeqytetit shqiptar janë dukshëm më të lira se periferia e rajonit, ku një apartament kudo në Mal të Zi, Maqedoni, Kosovë, nuk e gjen më pak se 650 – 800 euro për metër katror, ndërsa në rrethinat e Tiranës ka dhe apartamente me 450 – 500 euro për metër katror. Ndërtuesit pohojnë se shkak për këtë është infrastruktura e keqe, teksa pallatet janë ndërtuar pa plan, nuk ka hapësira (lulishte apo ambiente të përbashkëta), rrugët janë të ngushta dhe madje në disa zona ato furnizohen me ujë pusi.
Në periferinë e kryeqytetit serb, në Beogradin e ri, p. sh.:, çmimet luhaten në 1200 – 1700 euro për metër katror, por kjo zonë ka apartamente cilësore, rrugë të gjera dhe infrastrukturë funksionale e hapësira për banorët.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY