Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur planin e qeverisë për rritjen progresive të pensioneve në vitet e ardhshme, si dhe për krijimin e një skeme të re mbështetëse për pensionistët.
Sipas Ramës, qeveria ka vendosur tashmë në funksion një mekanizëm për rritjen e përvitshme të pensioneve, ku niveli i rritjes do të vijë në rritje nga viti në vit. Ai shpjegoi se rritja e aplikuar në janarin e këtij viti do të dyfishohet në janarin e ardhshëm, do të trefishohet në vitin 2028, katërfishohet në 2029 dhe do të arrijë pesëfishim në vitin 2030.
Paralelisht me këtë, qeveria po përgatit edhe një shtyllë të re të sistemit të pensioneve, që do të funksionojë në mënyrë komplementare me skemën aktuale. Kjo nismë synon të krijojë një mundësi shtesë për kursim dhe siguri financiare për qytetarët në moshën e tretë.
Modeli i ri parashikon që çdo punonjës të kontribuojë me një shumë simbolike nga paga e tij, për shembull 1 euro në muaj, ndërsa kjo shumë do të dyfishohet nga shteti ose punëdhënësi në sektorin privat. Në këtë mënyrë, krijohet një fond individual që i shtohet pensionit bazë që përfitohet nga skema ekzistuese.
Kryeministri theksoi se kjo skemë nuk është një risi e izoluar, por një model i aplikuar me sukses në vende të tjera, duke synuar rritjen e sigurisë financiare për individët dhe forcimin e marrëdhënies mes punonjësve dhe punëdhënësve.
Sipas Ramës, mekanizmi i ri do të shërbejë si një shtesë ndaj sistemit aktual dhe jo si zëvendësim i tij, duke garantuar më shumë stabilitet dhe mbështetje për qytetarët pas daljes në pension.




