Festojnë mbështetësit e opozitës (foto BBC)
Lideri i opozitës hungareze, Péter Magyar, ka shpallur një fitore të thellë në zgjedhjet parlamentare, duke e cilësuar rezultatin si një triumf të qytetarëve dhe jo të një partie të vetme.
Në një fjalim para mbështetësve në Budapest, Magyar deklaroi se “Hungaria fitoi” dhe se vendi po rikthehet drejt rrugës evropiane, ndërsa turma shpërtheu në thirrje “Rusia jashtë”. Ai theksoi se pjesëmarrja në votime ka qenë rekord për historinë demokratike të vendit.
Sipas tij, Partia Tisza jo vetëm që ka fituar zgjedhjet, por është në rrugë për të siguruar një shumicë prej dy të tretash në Parlament, çka do të mundësonte një tranzicion të shpejtë dhe efektiv të pushtetit, si dhe ndryshime të thella kushtetuese.
Magyar akuzoi qeverinë në largim se ka përdorur të gjitha mjetet për të penguar opozitën, përfshirë edhe shërbimet e inteligjencës, por shtoi se “e vërteta triumfoi mbi gënjeshtrat” dhe se “dashuria fitoi, sepse ajo gjithmonë fiton”.
Rezultatet paraprake tregojnë se, me mbi 80% të votave të numëruara, partia e tij është në rrugë për të siguruar rreth 137 mandate, duke kaluar pragun prej 133 vendesh të nevojshme për shumicë kushtetuese në Asamblenë Kombëtare.
Ndërkohë, kryeministri në largim Viktor Orbán ka pranuar humbjen, duke e cilësuar rezultatin “të qartë dhe të dhimbshëm”, duke i dhënë fund një periudhe 16-vjeçare në pushtet.
Fitorja e Magyar është përshëndetur nga liderë të rëndësishëm evropianë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se “Hungaria ka zgjedhur Evropën”, ndërsa kancelari gjerman Friedrich Merz dhe liderë të tjerë si Pedro Sánchez dhe Emmanuel Macron e cilësuan rezultatin si një fitore për vlerat evropiane dhe demokracinë.
Analistët theksojnë se shumica e mundshme kushtetuese do t’i japë qeverisë së re mundësinë për të reformuar sistemin, duke synuar adresimin e korrupsionit, përmirësimin e shërbimeve publike dhe forcimin e ekonomisë, pas viteve të gjata të qeverisjes së Fidesz. a.b





