Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Shije e hidhur”, duke zbuluar një bazë të përpunimit të drogave sintetike dhe goditur një grup që shpërndante lëndë narkotike pranë shkollave, me objektiv kryesisht adoleshentët.
Në kuadër të këtij operacioni, janë arrestuar në flagrancë dy vëllezër, shtetasit L. L., 20 vjeç dhe R. L., 25 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tyre, shtetasi Xh. L., 20 vjeç. Të tre, sipas policisë, bashkëpunonin për prodhimin, transportimin dhe shpërndarjen e drogës sintetike në formë karamelesh.
Gjatë hetimeve u zbulua se të rinjtë kishin përshtatur një ambient për përpunimin e lëndëve narkotike, duke prodhuar substanca sintetike në formë xhelatine, të ngjashme me karamele, të cilat shpërndaheshin kryesisht pranë shkollave të mesme.
Gjatë kontrollit ndaj njërit prej të arrestuarve pranë bllokut të shkollave, policia sekuestroi 50 paketime me lëndë narkotike në formë karamelesh, me peshë rreth 650 gramë.
Ndërkohë, në banesën e tyre në Tiranë u gjetën dhe sekuestruan xhelatina në formë karamelesh, lëndë narkotike kanabis, rreth 550 gramë material sintetik i gatshëm për prodhim, një peshore elektronike, kallëpe plastike dhe përbërës të ndryshëm që përdoreshin për prodhimin e këtyre substancave.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me strukturat operacionale të Policisë së Durrësit, në kuadër të masave për rritjen e sigurisë në shkolla dhe parandalimin e përhapjes së drogës te të rinjtë.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” në bashkëpunim.





