Kompania e telefonisë celulare ONE Albania ka njoftuar zyrtarisht abonentët se duke filluar nga data 1 maj 2026 do të aplikojë një rritje të tarifave për shërbimet celulare.
Në një mesazh të shpërndarë për përdoruesit, kompania bën të ditur se tarifat do të përshtaten në bazë të ndryshimit mesatar vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit (ICK), të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT). Sipas njoftimit, rritja nuk do të jetë më shumë se 2.2% mbi tarifën standarde të planit aktual tarifor të çdo abonenti.
“I nderuar Pajtimtar! ONE Albania ju njofton se me efekt nga data 1 Maj 2026, do të përshtatë tarifat për shërbimet celulare bazuar në ndryshimin mesatar vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit (ICK) të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), në nivelin jo më shumë se 2.2% mbi tarifën standarde të planit Tuaj tarifor. Kjo përshtatje kryhet në përputhje me kushtet e kontratës së pajtimit. Ju mund të gjeni në këtë link tarifën e përditësuar të planit tuaj tarifor. Për më shumë informacion, ju lutem kontaktoni 123. Faleminderit”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Pas shpërndarjes së këtij mesazhi, në rrjetet sociale kanë nisur reagimet e përdoruesve, të cilët e konsiderojnë çdo rritje çmimi si një barrë shtesë në një periudhë kur kostot e jetesës janë rritur ndjeshëm.




