Shqipëria ka marrë pjesë në Forumin Global të OECD për Luftën Kundër Korrupsionit dhe Integritetin 2026, që u zhvillua në Paris, ku u diskutua mbi rolin e integritetit në sektorin publik dhe ndikimin e tij në konkurrueshmërinë dhe zhvillimin ekonomik.
Vendi ynë u përfaqësua nga Marcela Kërëku, drejtoreshë e Drejtorisë së Integritetit, Mbikëqyrjes dhe Ankesave Administrative e Gjyqësore pranë Departamentit të Administratës Publike (DAP), e cila kontribuoi në diskutimet mbi rëndësinë e integritetit si një faktor kyç për forcimin e institucioneve dhe zhvillimin.
Gjatë sesionit me temë “Avantazhi i integritetit: Integriteti në sektorin publik përmes trajnimit”, u theksua rëndësia e trajnimeve për administratën publike, si dhe përdorimi i kurseve online për rritjen e etikës dhe standardeve të integritetit te nëpunësit civilë. Sipas diskutimeve, këto mekanizma janë pjesë e reformave që synojnë ndërtimin e një administrate më efikase, transparente dhe të përgjegjshme.
Në forum u trajtua gjithashtu lidhja mes integritetit në institucione, thjeshtimit të procedurave administrative dhe ndikimit që këto elemente kanë në përmirësimin e klimës së biznesit dhe zhvillimin ekonomik, veçanërisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë aktivitet u realizua në bashkëpunim dhe me mbështetjen e ReSPA.s.m





