Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, ka zhvilluar një seri kontrollesh në disa objekte në vend, në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI.
Burime bëjnë me dije se kontrollet janë kryer me vendim gjykate dhe kanë përfunduar në katër objekte të ndryshme: dy në kompleksin turistik Green Coast në Palasë, një në Tiranë dhe një në Durrës.
Sipas të njëjtave burime, një prej vilave të kontrolluara në zonën e Green Coast dyshohet se i përket biznesmenit Ergys Agasi, ndërsa një tjetër vilë është verifikuar nga hetuesit si pasuri e dyshuar e fshehur e ish-drejtores së AKSHI, Mirlinda Karçanaj.
Kontrollet janë kryer nga agjentët e BKH në kuadër të hetimeve që lidhen me dyshimet për përfitime të paligjshme nga tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale që dyshohet se lidhen me përfitime të paligjshme nga kontratat publike të AKSHI. Materialet dhe pajisjet e sekuestruara do të bëhen pjesë e dosjes hetimore me vendim të gjykatës.



