Nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama u zhvillua sot një takim me pjesëmarrjen e ministrave të kabinetit qeveritar, ku u prezantua panorama aktuale e procesit të negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë.
Në fokus të diskutimeve ishte kalendari i përbashkët me Komisionin Evropian dhe detyrimet që duhet të përmbushen nga institucionet shqiptare pa asnjë vonesë. Kryeministri Rama vlerësoi punën e skuadrës së negociatave dhe të institucioneve të përfshira në këtë proces, duke theksuar se integrimi europian rrit ndjeshëm kapacitetet institucionale, forcon rendin ligjor dhe garanton standarde më të larta për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
Në fjalën e tij Rama se përmes negociatave forcohet rendi ligjor, konsolidohen institucionet e drejtësisë dhe intensifikohet lufta kundër korrupsionit, jo vetëm përmes ndëshkimit, por edhe përmes modernizimit të administratës dhe parandalimit të abuzimeve.
Në vijim kryeministri ndaloi edhe në disa fusha ku kërkohet përparim më i shpejtë, duke përmendur prokurimin publik dhe kontrollin financiar.
Sipas tij, modernizimi i sistemit të prokurimit publik me inteligjencë artificiale duhet të përfundojë brenda këtij procesi negociatash dhe Shqipëria duhet të arrijë standarde të reja deri në vitin 2027.
Rama theksoi gjithashtu rëndësinë e reformës në sistemin e inspektimeve, veçanërisht në fushën e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së konsumatorit.
“Reforma e inspektimit duhet të vazhdojë dhe është kyç drejtimi politik i reformës nga të gjitha ministritë, në mënyrë që të mbrohet nga ndërhyrjet partiake dhe qokat politike”, u shpreh ai.
Në fund, kryeministri solli si shembull edhe kontrollin e kryer nga institucionet e BE në pikat e trajtimit të blegtorisë, ku janë identifikuar një sërë detyrash që duhet të përmbushen për të avancuar procesin e anëtarësimit.
Ai theksoi se përmbushja e këtyre detyrimeve kërkon rritje të cilësisë së inspektimit, përmirësim të burimeve njerëzore dhe përdorim më të madh të teknologjisë në administratë.
Mbledhja vijoi më pas me një pjesë të mbyllur për publikun, për shkak të natyrës konfidenciale të disa aspekteve të negociatave me Bashkimin Europian.a.b





