Deputeti i PD, Belind Këlliçi ngre shqetësim për licensimin e një banke online dhe dyshime për lidhje me platformat Forex.
Ai ka ngritur shqetësime mbi procesin e licensimit të një banke të re online në Shqipëri, duke paralajmëruar për rreziqe të mundshme për sigurinë financiare. Në një reagim publik, ai deklaron se vendi rrezikon të kthehet në një terren ku aktivitetet e dyshimta financiare mund të institucionalizohen.
Sipas tij, Shqipëria është shndërruar në një terren ku grupe kriminale testojnë kufijtë e tyre, ndërsa një nga aktivitetet më të përhapura mbeten call center-at që zhvasin qytetarë europianë përmes mashtrimeve financiare.
Deputeti thekson se i është drejtuar me kërkesë për informacion Banka e Shqipërisë për procesin e licensimit të JET Bank, duke kërkuar të dhëna për aksionerët, burimin e kapitalit fillestar dhe verifikimet e kryera nga Këshilli Mbikëqyrës.
Sipas përgjigjes së bankës qendrore, është dhënë një miratim paraprak për licensimin e institucionit, ndërsa analiza financiare është bazuar te një nga ortakët, Idan Avishai.
Deputeti kritikon përgjigjen e institucionit, duke theksuar se nuk është sqaruar nëse aksionerët kanë pasur lidhje me platformat Forex. Ai shton se nga informacionet publike rezulton se drejtues të kompanive të lidhura me aksionerët e bankës kanë pasur lidhje me platformën Fortrade Cyprus, e cila më herët është raportuar për aktivitet të palicensuar në Shqipëri nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
“Drejtues të Jet Holding dhe Constador LTD (aksioner 71,52% i Jet Bank) lidhen me Fortrade Cyprus (që fillimisht vepronte me emrin FX Lider), një platformë e raportuar që në vitin 2018 nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për aktivitet të palicensuar në Shqipëri.
Po në informacion publik, lehtësisht mund të verifikohet se Jet Bank nuk ka asnjë përvojë të mëhershme, pasi nuk ka operuar në asnjë vend të botës. Nuk gjen asnjë historik të operimit të saj, me sukses a jo jashtë Shqipërisë ku sapo ka marrë licensimin.
Ky fakt merr më shume rëndësi po të kemi parasysh se nuk bëhet fjalë për një bankë tradicionale, por të parën bankë online në Shqipëri.
Mjafton kaq informacion, lehtësisht i aksesueshëm për të ngritur alarmin.
Ai që dje denoncohej si aktivitet i paligjshëm, sot rrezikon të kthehet në aktivitet të licensuar. Paradoksalisht, një bankë online e licensuar nga Banka e Shqipërisë ka aksionerë të lidhur me struktura që më parë janë denoncuar për aktivitet të paligjshëm financiar nga një tjetër institucion shtetëror shqiptar.
U takon institucioneve ligjzbatuese të verifikojnë ligjshmërinë e këtyre aksionerëve, por sot më takon të ngre shqetësimin madhor në lidhje me sigurinë financiare dhe mbrojtjen e qytetarëve shqiptarë.
Si të mos mjaftonin këto dyshime, aksioneri i vetëm i JET Bank, Jet Holdings B.V, ka regjistruar në nëntor 2025 kompaninë Jet Tech në Durana Tech Park, ku tashmë të gjithë e dimë se njëra nga lehtësitë është 0 taksa!”, shkruan Këlliçi.
Sipas tij, fakti që bëhet fjalë për një bankë online pa histori të mëparshme operimi e bën situatën edhe më të ndjeshme, ndërsa paralajmëron se sistemi bankar nuk duhet të rrezikojë të kthehet në “call center me licensë”. Deputeti ka paralajmëruar se do t’i drejtohet sërish Bankës së Shqipërisë me një kërkesë të re për informacion më të detajuar dhe se çështja do t’u përcillet edhe institucioneve ligjzbatuese.



