Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit kanë nisur reshjet e dëborës në disa zona të veriut dhe juglindjes së Shqipërisë, duke përfshirë një sërë akseve rrugore malore.
Sipas autoriteteve rrugore, reshje dëbore janë regjistruar në segmentet Dedaj–Bogë, Dedaj–Razëm, Bogë–Theth, Parku Kombëtar i Llogarasë, Skërficë, Trau Dajt–Qafë Priskë–Qafë Mollë, Libonik–Rëmbec–Plasë, Lin–Pogradec, Korçë–Voskopojë, K/Boboshticë–Dardhë, Ersekë–Leskovik, Zgosht–Sebisht, Korçë–Ersekë, Qafa e Zvezdës–Zemblak–Goricë, Hani i Hotit–Doganë Vermosh, Kukës–Bushtricë, Kukës–Shishtavec dhe Pukë–Qafëshllak.
Autoritetet bëjnë me dije se kontraktorët janë në terren me mjete borëpastruese dhe punëtorë të shtuar, duke punuar pa ndërprerje 24 orë në ditë për pastrimin e akseve dhe për të shmangur problemet në qarkullim.
Ndërkohë, drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në zonat malore ku ka prani dëbore. Ata duhet të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë për të shmangur rrezikun e aksidenteve.





