Pesë importuesit më të mëdhenj të naftës në vend kanë reaguar kundër vendimit të fundit të Bordit të Transparencës, i cili një ditë më parë vendosi çmimet e reja të shitjes me pakicë për karburantet. Sipas këtij vendimi, çmimi i naftës është përcaktuar në 203 lekë për litër dhe ai i benzinës në 175 lekë për litër, nga 214 dhe 199 lekë për litër që ishin më parë.
Importuesit e karburanteve pretendojnë se çmimet e vendosura nga Bordi nuk mbulojnë kostot e blerjes së naftës në tregjet ndërkombëtare. Për këtë arsye, Shoqata e Hidrokarbureve i ka dërguar një shkresë zyrtare Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur shitjen e karburanteve nën kosto.
Në reagimin e tyre, përfaqësuesit e industrisë paralajmërojnë se nëse situata nuk rishikohet, mund të ndërmerren masa që do të ndikojnë në furnizimin e tregut. Mes tyre përmendet pezullimi ose kufizimi i shitjes me shumicë të naftës dhe benzinës, si dhe frenimi apo kufizimi i procesit të zhdoganimit të karburanteve në Porto Romano deri në një vendim të dytë.



