Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar pushimin e procedimit penal nr. 130 të vitit 2025 ndaj magjistrates Irena Gjoka.
Procedimi penal ishte regjistruar më 5 qershor 2025 për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal.
Hetimi nisi pas kallëzimit të paraqitur nga Adriana Kalaja, në cilësinë e kryetares së Komisionit të Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit në Partinë Demokratike. Kallëzimi, i protokolluar në SPAK më 20 maj 2025, përfshinte pretendime për falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm.
Në kuadër të hetimeve janë administruar kallëzime shtesë, materiale referuese dhe dokumentacion nga institucione të ndryshme, si dhe janë kryer verifikime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Drejtësisë dhe autoriteteve të huaja, përmes mekanizmave të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.
Nga dokumentacioni i siguruar nga autoritetet e drejtësisë së Greqisë rezulton se ndaj Irena Gjokës (alias Shpata; Maneku) ekziston një vendim penal i Gjykatës së Shkallës së Parë në Janinë, nr. 1447/2005, përmes të cilit ajo është shpallur fajtore për veprën penale të parashikuar nga legjislacioni grek për “Hyrjen dhe qëndrimin e të huajve në territorin grek”. Sipas vendimit, ajo ishte dënuar me burgim dhe gjobë, e cila më pas është konvertuar në gjobë.
Materialet tregojnë gjithashtu se Gjoka ka qenë subjekt i procedurave administrative dhe gjyqësore në Greqi pas dy episodeve në kufi, ku ishte konstatuar përdorimi i dokumenteve të parregullta dhe tentativa për hyrje me të dhëna të ndryshme identifikuese. Si pasojë, ndaj saj janë marrë masa administrative, përfshirë dëbimin dhe ndalimin e hyrjes në zonën Schengen, masa që janë kundërshtuar prej saj në gjykatat administrative greke.
Megjithatë, SPAK konstaton se procesi penal në Greqi është zhvilluar në mungesë të saj dhe nuk rezulton dokumentacion që provon se ajo është njoftuar në mënyrë reale dhe efektive për zhvillimin e gjykimit apo për shpalljen e vendimit.
Po ashtu, nuk është administruar dokumentacion që provon se ajo ka marrë dijeni për vendimin gjyqësor në kohën e dhënies së tij.
Autoritetet greke, në zbatim të ligjit nr. 3346/2005, kanë urdhëruar mosekzekutimin dhe arkivimin e vendimit penal për shkak se ai nuk kishte marrë formë të prerë dhe për shkak të parashkrimit të veprës penale.
Nga verifikimet zyrtare rezulton gjithashtu se në dëshmitë e penalitetit të lëshuara nga autoritetet greke nuk figurojnë të dhëna për dënim penal ndaj Gjokës, ndërsa në formularin e vetëdeklarimit ajo ka deklaruar se nuk është dënuar me vendim të formës së prerë.
Sipas analizës së prokurorisë, edhe në rast se do të merrej e mirëqenë ekzistenca e këtij vendimi penal, ndjekja penale do të rezultonte e shuar për shkak të parashkrimit, sipas legjislacionit përkatës.
Duke marrë në konsideratë mungesën e njoftimit të rregullt, zhvillimin e gjykimit në mungesë dhe kalimin e afateve ligjore të ndjekjes penale, SPAK vlerëson se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për vijimin e mëtejshëm të hetimeve dhe se nuk provohet që magjistratja Irena Gjoka të ketë kryer veprën penale për të cilën është kallëzuar.
Në këto kushte, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar pushimin e çështjes, duke u mbështetur në nenet 28/1, 75/a dhe 328 pika 1, shkronjat “d” dhe “dh”, si edhe nenin 329, shkronja “a” të Kodit të Procedurës Penale.
Kërkesa për pushimin e procedimit penal i është dorëzuar tashmë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.




