Drejtori ekzekutiv i European Movement Albania, Gledis Gjipali, në një intervistë për Syri TV me moderatoren Armela Ferko, u shpreh se çdo propozim për përfshirjen e Shqipërisë në zonën Schengen është i pamundur pa përmbushjen e kritereve të forta demokratike dhe të shtetit ligjor.
Sipas tij, Bashkimi Europian kërkon shumë më tepër sesa vetëm përmbushjen e kushteve teknike — kërkon pjekuri politike, funksionim të shtetit ligjor dhe respekt të të drejtave të njeriut. “Nuk mund të përfitosh nga të mirat e tregut të përbashkët europian pa kryer reformat e thella demokratike”, tha Gjipali.
Ai theksoi se procesi për t’u bërë pjesë e zonës Schengen është jashtëzakonisht i vështirë. “Edhe vende si Rumania dhe Bullgaria kanë pritur mbi 15 vjet pas anëtarësimit në BE për t’u pranuar në Schengen. Kriteret janë shumë më të forta dhe përfshijnë standarde teknike e politike që Shqipëria ende nuk i ka arritur”, shtoi Gjipali.
Drejtori i EMA-s kujtoi gjithashtu se Shqipëria tashmë gëzon një nivel të lartë integrimi ekonomik me Bashkimin Europian përmes Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, në fuqi që prej vitit 2009. “Për mbi 90% të mallrave tona ekziston tregti e lirë me BE-në, pa taksa doganore. Ndaj, pjesëmarrja në tregun e përbashkët nuk do sillte një ndryshim të madh ekonomik, nëse nuk shoqërohet me përparim në standardet demokratike”, tha ai.
Gjipali nënvizoi se bashkimi me Evropën nuk është thjesht çështje ekonomike apo teknike, por mbi të gjitha politike dhe demokratike — një sfidë që Shqipëria ende duhet ta fitojë me reforma të thella.




