Kushtetuesja e Kosovës rrëzon dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, deputetët kanë 34 ditë kohë të zgjedhin Presidentin
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur të rrëzojë dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, duke vlerësuar se ai nuk ka efekt juridik. Vendimi u publikua të mërkurën në aktgjykimin e plotë të gjykatës, i cili përcakton edhe hapat që duhet të ndiqen për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, deputetët e Kuvendi i Kosovës kanë 34 ditë kohë nga hyrja në fuqi e aktgjykimit për të zgjedhur Presidentin e ri të vendit. Nëse brenda këtij afati nuk arrihet zgjedhja e kreut të shtetit, atëherë Kuvendi shpërndahet automatikisht.
Gjykata sqaroi se, pas shpërndarjes së organit ligjvënës, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh.
Vendimi vjen pasi në fillim të marsit, Kushtetuesja kishte pezulluar përkohësisht deri më 31 mars dekretin e presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, të nxjerrë më 6 mars, duke i ndaluar presidentes çdo veprim lidhur me këtë dekret deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes.
Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit ishte paraqitur nga kryeministri Albin Kurti në emër të qeverisë.
Pas publikimit të vendimit, presidentja Osmani reagoi duke theksuar se në asnjë paragraf të aktgjykimit Gjykata Kushtetuese nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës nga ana e saj.
Sipas Presidencës, Gjykata ka konfirmuar se nuk është dekreti ai që e çon vendin në zgjedhje të reja, por dështimi i Kuvendit për të zgjedhur Presidentin.
“Dekreti është thjesht formalizim i një situate ekzistuese dhe nuk është ai që e çon vendin në zgjedhje, por dështimi i deputetëve për të zgjedhur Presidentin”, thuhet në reagim.
Presidenca gjithashtu thekson se Gjykata ka interpretuar një rrethanë të veçantë për këtë rast, duke sqaruar se në të ardhmen procedura për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillojë dhe të përfundojë brenda afateve kushtetuese, jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.
Presidentja Osmani mirëpriti afatin 34-ditor të vendosur nga Gjykata dhe u bëri thirrje deputetëve të Kuvendit që të mblidhen sa më shpejt për të zgjedhur Presidentin e ri.
“Ftojmë Kuvendin që qysh nesër të caktojë datën e seancës së re për zgjedhjen e Presidentit dhe të përmbushë detyrimin kushtetues, duke i dhënë vendit stabilitet dhe siguri”, thuhet në reagimin e Presidencës.




