Pesë vjet më parë, më 25 mars të vitit 2021, pas një beteje me Covid-19, u nda nga jeta akademiku Artan Boriçi.
Në mesin e viteve 2000 u bë pjesë strukturore e Departamentit të Fizikës, ku drejtonte grupin e fizikës llogaritëse, entitet që energjizoi dukshëm në sasi dhe cilësi punimet që bazohen ose aplikojnë teknika të avancuara llogaritëse dhe simulime. Ai fitoi gradën doktor i shkencave matematike në një prej institucionet më të njohura universitare federale të Zvicrës. Bashkëpunoi me sukses me disa qendra të mirënjohura të fizikës dhe matematikës në Zvicër, Gjermani e më gjerë. U bë pjesë e ekipeve të specializuara për kërkime bërthamore europiane. Ishte një prej vlerësuesve dhe paravlerësuesve të konkursit të përvitshëm për çmimin Nobel në fizikë, raporton atsh.
Akad. Artan Boriçi u ftua të bashkëpunonte dhe bashkëpunoi me agjencitë kërkimore të specializuara ngushtë nga Zvicra në Skoci. Ai është propozues i një formulimi të ri, që sot citohet me emrin Boriçi-Krojc. Studimet e tij janë pika reference brenda dhe jashtë vendit. Ai bashkëpunoi ngushtë me institucionet shkencore si Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe me institucione të tjera prestigjioze si Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë (për propozimin e çmimeve Nobel në fizikë), Qendra e Kërkimeve Bërthamore Europiane CERN, Qendra e llogaritjeve intensive në Jylih të Gjermanisë etj. Ai ka mbrojtur gradën doktor i shkencave matematike në ETH, Zurich, Zvicër, në vitin 1996. Titullin profesor e ka marrë në Universitetin e Tiranës, në vitin 2010.
Akad. Boriçi punoi mbi 20 vjet si pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Ka shërbyer si zëvendësdekan i këtij fakulteti (2012) dhe si anëtar i këshillit shkencor. Që prej vitit 2012, ai drejtonte grupin e fizikës llogaritëse dhe të energjive të larta në departamentin e fizikës. Ka udhëhequr dy teza doktorale në fushën e fizikës së thërmijave elementare.
Akad. Artan Boriçi ka dhënë kontribute të rëndësishme në studimet e fizikës teorike. Ai është një prej pionierëve të rëndësishëm që ka shtyrë përpara metodologjitë e reja llogaritëse në LQCD dhe është i pari që u orientua drejt paraqitjeve ekzakte të fermioneve kirale në rrjet dhe simulimin e tyre. Në funksionet e tij si kërkues i mirënjohur dhe fizikan akad. Boriçi ka treguar qartë kompetencën më të lartë shkencore.
Ai punoi në drejtimet kërkimore të fizikës teorike dhe llogaritëse dhe në fushën e financës llogaritëse në Institutin Paul Scherrer të Zvicrës; në shkollën e lartë politeknike federale të Zyrihut e në Universitetin e Ediburgut (1996-2003). Ai ka 64 artikuj, të cituar 531 herë (ResearchGate), me 34 artikuj të indeksuar në SCOPUS, me indeks H = 9. Ka botuar në revistat e mirënjohura të fizikës, si Physical Review D dhe Journal of Computational Physics dhe ka qenë pjesëmarrës me referime në 49 konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit, në 11 prej tyre si referues i ftuar.
Artan Boriçi u bë anëtar i Akademisë së Shkencave në vitin 2020.
Ai kontribuoi pa zhurmë, me modesti të rrallë, në themelimin e një shkolle të re kërkimore në vend dhe la pas një trashëgimi që do të vazhdojë të frymëzojë breza të tërë studiuesish.
Akad. Boriçi si studiues i shquar i mikrobotës së bërthamës e të grimcave elementare ka kontributin që ka dhënë në veprimtaritë shkencore të ASHSH-së e më gjerë. Puna kërkimore-shkencore e tij ishte avangardë jo vetëm për kohën, por ai ishte i pari që futi nocione, të cilat ende sot mbeten të reja për grupin e studiuesve. Ai ka lënë gjurmë që na kanë bërë krenarë për punën dhe veprën e lënë pas.atsh



