Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Armela Krasniqi, ka njoftuar se aplikacioni “Kanali im”, i cili transmetonte në mënyrë të paligjshme kanale televizive shqiptare, është hequr nga platforma Google Play Store.
Sipas Krasniqit, vendimi erdhi pas një procesi verifikimi të kryer nga ekipet e inspektimit të AMA-s, të cilat konstatuan shkelje të të drejtave të transmetimit. Në vijim të këtij procesi dhe me kërkesë të institucionit, aplikacioni është larguar nga platforma digjitale ku ishte i disponueshëm për përdoruesit.
Në njoftimin e saj, Krasniqi thekson se “Kanali im” ofronte akses të paautorizuar në kanale televizive shqiptare dhe në përmbajtje audiovizive të mbrojtur nga të drejtat e autorit. Sipas saj, kjo përbënte një rast të qartë të shpërndarjes së paligjshme të përmbajtjes audiovizive në internet.
Ajo shton se Autoriteti i Mediave Audiovizive do të vijojë monitorimin e hapësirës digjitale, me qëllim identifikimin dhe raportimin e aplikacioneve, platformave apo faqeve që shpërndajnë në mënyrë të paautorizuar kanale dhe programe televizive.
Sipas Krasniqit, këto veprime synojnë mbrojtjen e të drejtave të transmetimit dhe të prodhimeve audiovizive shqiptare, si dhe respektimin e legjislacionit në fuqi për shpërndarjen e përmbajtjeve mediatike në internet.





