Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur këtë të mërkurë kalimin për gjykim të dosjes ndaj ish-Presidentit Ilir Meta dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi.
Vendimi u mor nga gjyqtarja e seancës paraprake, Irena Gjoka, e cila kishte përfunduar shqyrtimin e çështjes javën e kaluar. Pas analizimit të materialeve hetimore, gjykata vendosi që çështja të kalojë në gjykim themeli.
Dosja u dorëzua në gjykatë nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pas rreth tetë muajsh hetimesh. Sipas prokurorisë, Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Në të njëjtin proces penal janë marrë të pandehur edhe Pirro Xhixho, Ema Çoku dhe Fatime Kryemadhi.
Sipas hetimeve, ish-presidenti Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Prokuroria dyshon se ai dhe Kryemadhi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me funksionarë të tjerë, përgjatë rreth 15 viteve kanë shfrytëzuar postet politike dhe shtetërore për të favorizuar kompani private. Hetimet lidhen gjithashtu me aktivitete lobimi në SHBA dhe transaksione të shitblerjes së banesave, përmes të cilave dyshohet se janë përfituar shuma të konsiderueshme parash, të cilat më pas janë tentuar të fshihen duke mos u deklaruar pranë institucioneve përkatëse.
Sipas SPAK, këto të ardhura dyshohet se nuk janë deklaruar në Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit dhe në Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Ndërkohë, ndaj Kryemadhit gjykata ka lënë në fuqi masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, të vendosur më 23 tetor, për të njëjtat akuza. E njëjta masë sigurie është caktuar edhe ndaj Ema Çokut, e hetuar për pastrim parash.
Sa i takon Pirro Xhixho, i hetuar për korrupsion pasiv, masa e sigurisë është zbutur nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur”. Të tre personat nën këtë masë janë të detyruar të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore pranë SPAK. a.b




