Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka pranuar kërkesën e Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe ka vendosur kalimin për gjykim të dosjes penale ndaj kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, si dhe gjashtë zyrtarëve të tjerë, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera publikë.
Çështja lidhet me një tender me vlerë rreth 700 mijë euro, të zhvilluar në vitin 2019 nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), për projektin “Zhvillimi strategjik i sektorit energjetik”.
Përveç Becit, për gjykim janë dërguar edhe Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti dhe Rudin Gjoni, të cilët sipas prokurorisë akuzohen për të njëjtën vepër penale, të kryer në bashkëpunim.
Sipas SPAK, gjatë procedurës së prokurimit janë kryer një sërë veprimesh të kundërligjshme nga titullari i autoritetit kontraktor, anëtarët e njësisë së prokurimit dhe Komisioni i Vlerësimit të Ofertave. Hetimet kanë evidentuar shkelje në përcaktimin e fondit limit, hartimin e termave të referencës, vendosjen e kritereve të tenderit dhe në procesin e vlerësimit të ofertave.
Prokuroria e Posaçme pretendon se Benet Beci, në kohën kur mbante detyrën e administratorit të KESH, në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë, ka krijuar avantazhe të padrejta për kompaninë fituese “Consulting & Management Albania” sh.p.k., duke shkelur ligjin për prokurimet publike dhe aktet përkatëse nënligjore.
Në dosjen hetimore përmendet edhe fakti se provat janë siguruar edhe nga të dhënat e gjetura në telefonin e ish-drejtuesit të Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), Evis Berberi, i cili ndodhet në burg për një çështje tjetër korrupsioni. Ndërkohë, Adela Ruko rezulton të jetë bashkëshortja e tij.
Vendimi për kalimin e dosjes në gjyq u mor nga gjyqtarja Marinela Osmani gjatë seancës paraprake të zhvilluar më 17 mars 2026. Gjykata vendosi pranimin e kërkesës së SPAK dhe dërgimin e çështjes për shqyrtim në themel në GJKKO.m.k



