Vendimi i Kuvendit të Shqipërisë për të rrëzuar kërkesën e Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për heqjen e imunitetit të deputetes socialiste Belinda Balluku ka sjellë reagime nga partnerët ndërkombëtarë, mes tyre edhe nga Ambasada e Gjermanisë në Tiranë dhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë.
Me 82 vota kundër dhe 47 pro, mazhoranca parlamentare rrëzoi kërkesën e SPAK, e cila synonte t’i hapte rrugë procedurave të mëtejshme ndaj ish-zëvendëskryeministres. Prokuroria e Posaçme e ka marrë Ballukun të pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera në mënyrë të përsëritur.
Pas këtij vendimi, Ambasada Gjermane reagoi publikisht duke theksuar rëndësinë që ka lufta kundër korrupsionit, veçanërisht në nivelet e larta të qeverisjes, për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në reagimin e saj zyrtar, ambasada thekson se Gjermania mbështet aspiratën e shqiptarëve për anëtarësim në BE, por nënvizon se progresi në këtë proces duhet të bazohet në rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit.
“Gjermania mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në përputhje me dëshirën e shqiptarëve. Kusht i domosdoshëm për të bërë progres në këtë proces të bazuar në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë. Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa. Prej politikës shqiptare vazhdon të kërkohet ende që ta garantojë këtë proces”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Një qëndrim i ngjashëm u shpreh edhe nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, e cila reagoi përpara votimit në Kuvend përmes një postimi në rrjetet sociale.
Ambasada britanike theksoi rëndësinë e respektimit të sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit, duke vlerësuar gjithashtu progresin e bërë nga Shqipëria në reformën në drejtësi që prej vitit 2016, përfshirë krijimin e SPAK.
Sipas reagimit, institucionet kryesore të shtetit duhet të bashkëpunojnë për të garantuar vazhdimin e reformave dhe për të mbështetur objektivin strategjik të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Ndërsa imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike, ai nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit”, thuhet në deklaratën e ambasadës britanike.
Vendimi i Kuvendit për çështjen e Ballukut ka nxitur debate të forta politike në vend, ndërsa opozita ka akuzuar mazhorancën për mbrojtje politike, ndërsa partnerët ndërkombëtarë kanë theksuar nevojën që lufta kundër korrupsionit të vijojë pa pengesa institucionale.





