Sot dhe nesër publiku do të ketë mundësinë të shijojë një nga komeditë më të suksesshme të skenës, “Gruaja e burrit tim”, që ngjitet në skenën e Teatri i Kukullave nga Teatri Shëtitës. Shfaqja, e drejtuar nga regjisori Kiço Londo, premton gënjeshtra të egra, situata absurde dhe të qeshura pa fre për publikun.
Komedia është një adaptim i farsës së njohur të vitit 1983 nga dramaturgu britanik Ray Cooney. Në qendër të historisë është John Smith, i interpretuar nga Xheni Fama, një shofer taksie në Londër që arrin të mbajë një jetë të dyfishtë me dy gra në dy apartamente të ndryshme, falë një orari të rreptë dhe një organizimi pothuajse perfekt.
Por gjithçka fillon të shembet kur John ndërhyn për të ndihmuar një grua që po grabitet dhe përfundon i plagosur në spital. Ky incident i vogël shkakton një zinxhir keqkuptimesh që tronditin “shtëpinë e tij prej letrash”, ndërsa policia nis të hetojë dhe gënjeshtrat fillojnë të shtohen.
Në skenë shfaqen dy botët e protagonistit: njëra në Wimbledon me gruan Mary, të luajtur nga Denisa Demaj, dhe tjetra në Streatham me gruan Barbara, të interpretuar nga Denada Llanaj. Mes përpjekjeve për të fshehur të vërtetën, John mbështetet edhe te miku dhe fqinji i tij Stanley Gardener, i sjellë në skenë me energji nga Ersiljano Xhelollari.
Situatat komike arrijnë kulmin kur policët fillojnë të kontrollojnë të dy apartamentet. Në këtë rrëmujë hyn edhe togeri Porterhouse, i interpretuar nga aktori i njohur i humorit Genci Lleshi, i cili në aktin e dytë bëhet një nga burimet kryesore të humorit me reagimet dhe situatat e papritura.
Ndër performancat që spikasin është edhe ajo e fqinjit Bobby Franklyn, e interpretuar nga Eglein Laknori, që sjell energji dhe momente komike sa herë që shfaqet në skenë.
Skenografia e ndërtuar me dy hapësira të ndara që përfaqësojnë dy apartamentet krijon një ritëm të shpejtë dhe një lojë dinamike mes personazheve, ndërsa regjia e Londos mban nën kontroll gjithë kaosin komik të farsës.
“Gruaja e burrit tim” mbetet një nga farsat më argëtuese të repertorit teatral, ku identitetet e gabuara, gënjeshtrat dhe situatat e çuditshme krijojnë një paradë të pandërprerë të qeshurash për publikun.




