Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka goditur një grup të strukturuar kriminal me bazë në Vlorë, i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, vrasje dhe pastrim parash. Në kuadër të hetimit janë lëshuar masa sigurie “arrest në burg” për 8 persona, ndërsa deri tani janë ekzekutuar për 3 prej tyre.
Sipas SPAK, në pranga kanë rënë oficeri i policisë Rezart Kuçi, si dhe Flodian Plaku, i njohur edhe me disa identitete të tjera. Ndërkohë, Hamëz Demushi është arrestuar në Zvicër. Në kërkim janë shpallur Inez Hajrulla, Ervis Matodashaj, Mendu Duka, Arben Memishaj dhe Argest Xhezani.
Hetimet janë zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 152 të vitit 2022 dhe janë mbështetur kryesisht në komunikimet e koduara në aplikacionin SkyECC, si dhe në veprime të tjera hetimore të kryera nga Byroja Kombëtare e Hetimit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.
Vrasjet e dokumentuara nga hetimi
Nga hetimet është dokumentuar përfshirja e anëtarëve të grupit në vrasjen e Gentjan Qarrit, ngjarje e ndodhur më 6 shkurt 2021 në Vlorë. Sipas SPAK, Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj, në bashkëpunim me persona të tjerë të grupit kriminal, kanë organizuar dhe koordinuar në kohë reale ekzekutorët, duke dhënë udhëzime për monitorimin e viktimës, sigurimin e automjeteve dhe djegien e tyre pas krimit.
Po ashtu, hetimet kanë zbuluar edhe përgatitjet për vrasjen e Bledar Birçajt, i cili u ekzekutua më 10 maj 2021 në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë. Nga komunikimet e zbërthyera rezulton se anëtarët e grupit kishin vendosur kamera survejimi pranë lokalit “The Boss”, në pronësi të Birçajt, për të monitoruar lëvizjet dhe për të planifikuar atentatin.
Sasitë e mëdha të drogës të sekuestruara
Gjatë hetimit janë dokumentuar disa episode të trafikimit ndërkombëtar të drogës, ku janë sekuestruar sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike në vende të ndryshme të Europës.
Rasti më i madh është sekuestrimi i 750 kilogramëve kokainë në portin e Roterdamit në Holandë, e porositur në Ekuador nga Flodian Plaku në bashkëpunim me Mendu Dukën dhe persona të tjerë. Droga kishte si destinacion vendet e Bashkimit Europian.
Një tjetër sasi prej 14 kilogramësh kokainë u sekuestrua nga policia greke në Patra brenda një kamioni që udhëtonte nga Holanda. Nga hetimet rezulton se transporti ishte organizuar nga Argest Xhezani, ndërsa në mjet dyshohet se ndodhej edhe një ngarkesë tjetër me destinacion Italinë.
Po ashtu, autoritetet gjermane sekuestruan 400 kilogramë kokainë në dhjetor 2020, të trafikuar nga Spanja drejt Gjermanisë. Sipas hetimeve, porositës dhe posedues të kësaj sasie dyshohet se ishin oficeri i policisë Rezart Kuçi dhe Arben Memishaj, në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të grupit kriminal.
Në dosje janë dokumentuar edhe raste të trafikut të kanabisit. Rreth 227 kilogramë cannabis sativa janë sekuestruar në korrik 2020 në pikën doganore Ipsala në Turqi, ndërsa 500 kilogramë të tjera janë kapur në mars 2021 në vendkalimin kufitar Bogorodicë në Maqedoninë e Veriut. Droga dyshohet se transportohej me kamionë përmes Greqisë drejt Turqisë.
Roli i oficerit të policisë
Sipas hetimeve, oficeri i policisë Rezart Kuçi dyshohet se ka përdorur detyrën për të ndihmuar aktivitetin kriminal të grupit.
Ai dyshohet se siguronte logjistikë për transportin e drogës, nxirrte informacione konfidenciale mbi kontrollet policore, ndërhynte në pajisje celulare për të fshirë të dhëna me interes për hetimin dhe përdorte në mënyrë të paligjshme sistemin TIMS për interesa të personave të përfshirë në aktivitet kriminal. Gjithashtu rezulton se komunikonte me anëtarët e grupit përmes aplikacionit të koduar SkyECC.
Kuçi më herët ka mbajtur detyra në Drejtoritë Vendore të Policisë në Vlorë, Fier, Tiranë dhe Kukës.





